Eliminimi i hershëm i Dritës shkaku i Covid-19 mund t’i kushtojë Kosovës sezonet e ardhshme - Gazeta Express
string(90) "eliminimi-i-hershem-i-drites-shkaku-i-covid-19-mund-ti-kushtoje-kosoves-sezonet-e-ardhshme"

Gazeta Express

13/08/2020 15:38

Eliminimi i hershëm i Dritës shkaku i Covid-19 mund t’i kushtojë Kosovës sezonet e ardhshme

Gazeta Express

13/08/2020 15:38

Me suksese të Dritës, Prishtinës e Gjilanit këtë verë në kualifikime për garat evropiane, Kosova shpresonte të garojë edhe me më shumë se tri klube në edicionet e ardhshme në Evropë. Mirëpo, problemet me koronavirus i kanë bërë më të paarritshme synimet e klubeve dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, veçanërisht pas vendimit të UEFA për Dritën.

Doruntina Baftiu

Lexo Edhe:

Se sa klube kosovare marrin pjesë në kualifikimet për garat evropiane varet nga radhitja e Kosovës në ranglistën e UEFA-s për koeficientet e vendeve. Kjo ranglistë përditësohet nga UEFA vazhdimisht, varësisht nga sukseset e klubeve në garat evropiane, shkruan Gazeta Express.

Kosova shpresonte se me suksese të Dritës, Prishtinës dhe Gjlanit këtë verë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës do të ngrihej për disa vende më lart dhe do ta fitonte të drejtën për të garuar me të paktën katër klube në edicionet e ardhshme. Përkundër që është e radhitur në pozitën e 52-të në ranglistën e UEFA-s, nga gjithsej 55 vende, Kosova ka vetëm katër pikë më pak sesa Luksemburgu në pozitën e 34-të.

Por, një ngritje e tillë i është vështirësuar Kosovës shkaku i pandemisë Covid-19. Dritës iu anulua ndeshja finale e rundit preliminar për kualifikim në Ligën e Kampionëve pas infektimit të dy lojtarëve dhe UEFA vendosi që ndeshja të mos zhvillohet në një datë tjetër por e vlerësoi si tërheqje të Dritës nga gara dhe ia dha klubit irlandez Linfield fitoren me rezultat 3:0 në tavolinë.

I pyetur nga Gazeta Express se si do të ndikojë eliminimi i Dritës në koeficientin e Kosovës, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, tha: “Nuk kemi marrë ende njoftim për këtë nga UEFA. Natyrisht është situatë e komplikuar, s’është si çdo humbje tjetër. Por, kjo s’është në dorën tonë, i kemi shkruar UEFA-së dje”.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe zëdhënësi për media i UEFA-s, që në përgjigje për Gazetën Express shkroi: “Nuk kemi asnjë vendim tjetër për këtë çështje”, përderisa e theksoi vendimin e së mërkurës që e cilëson Dritës të eliminuar nga rundi preliminar me humbje 3:0.

Tani Drita do ta vazhdojë garën në kualifikimet për Ligën e Evropës, ku me probleme po përballen edhe Gjilani, që të mërkurën i konfirmoi dy raste pozitive me Covid-19, dhe Prishtina, që u ankua se i është dhënë shumë pak kohë të organizohet për udhëtim në këtë kohë pandemie.

Kosova duhet të marrë rezultate më të mirë sesa Estonia dhe Mali i Zi në këto kualifikime, në mënyrë që të ngrihet të paktën në pozitën e 50-të dhe ta sigurojë pjesëmarrjen në Evropë sezonin e ardhshëm me katër klube.

Kjo pasi që në garën e re të Evropës, Europa Conference League, që do të inaugurohet në sezonin 2020/21 do të marrin pjesë nga tri klube për vendet e radhitura nga pozita e 16-të në pozitën e 50-të, ndërsa vetëm dy nga vendet e radhitura nga pozita e 51-të deri në pozitën e 55-të.

Siç qëndron situata aktualisht, Kosova do të marrë pjesë me tri klube, një në Ligën e Kampionëve dhe dy në Europa Conference League, por kjo mund të ndryshojë varësisht nga rezultatet e klubeve kosovare këtë verë.

Mali i Zi i ka vetëm 0.375 pikë më shumë sesa Kosova në listën e UEFA për koeficiente të klubeve, kështu që shpresat për pjesëmarrje me më shumë klube nuk kanë marrë fund. Në rundet kualifikuese, klubet i fitojnë nga një pikë për fitore edhe 0.5 pikë për barazim, ndërsa marrin edhe bonuse shtesë për çdo rund të kaluar.

Deri më tani, klubet kosovare kanë treguar më së shumti sezonin në sezonin 2018/19, kur u shpërblyen me 2.5 pikë, ndërsa sezonin e kaluar i grumbulluan vetëm 1.5 pikë.

Për t’i fituar ato 2.5 pikë, Drita dhe Prishtina, që e përfaqësuan atë sezon Kosovën në Evropë, i regjistruan tri fitore dhe tri barazime në ndeshjet e zhvilluara. /Gazeta Express/