Elen Konve-Mure për vizitë në Kuvendin e RMV-së


load
Gazeta Express
4 Nëntor 2019 9:08

Nënkryetarja e Senatit të Republikës së Francës, Elen Konve-Mure, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Gjatë vizitës, ajo do të realizojë takime me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe me  nënkryetarin e Kuvendit Goran Misovski, me grupin e deputetëve për bashkëpunim me Parlamentin francez dhe me kryetarët e komisioneve kuvendore për mbrojtje dhe siguri, për politikë të jashtme dhe për çështje evropiane, Hari Lokvenec, Antonio Milloshoski dhe Artan Grubi.

Senatorja Konve-Mure ka marrë pjesë në përgatitjen e Propozim-ligjit për ratifikim të Protokollit për anëtarësim  të Maqedonisë së Veriut në NATO,  që muajin e kaluar në lexim të parë kaloi në Senatin  e Francës dhe pritet së shpejti  të miratohet në Asamblenë kombëtare,

Nga Ambasada informojnë se në suaza të kësaj vizite është parashikuar të mbahet edhe konferencë në Akademinë diplomatike të MPJ-së, në prani të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski lidhur me evoluimin e mbrojtjes evropiane.

Nesër Konve-Mure do t’i vizitojë varrezat ushtarake franceze në Shkup, si dhe shtëpinë përkujtimore  e cila ishte hapur në solemnitet në maj të vitit 2018, për t’u bërë homazhe 3.000 ushtarëve, të cilët prehen aty, e të cilët kanë ndërruar jetë për Francën.

Nga Ambasada theksojnë se kjo vizitë, që realizohet në suaza të  strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor i riafirmon marrëdhëniet  e besimit dhe miqësisë mes Senatit francez dhe Kuvendit të Maqedonisë, si dhe ndaj qytetarëve në tërësi.

Te fundit


Kthehu lart