Mania “6–7” ishte një nga trendet globale më të përhapura të vitit 2025, duke lënë shumë të rritur të hutuar dhe të irrituar.
“6–7” është një term zhargoni që shqiptohet “six seven” dhe shoqërohet me një gjest të krahëve, sikur dikush po peshon diçka në të dyja duart. Nuk ka asnjë kuptim të mirëfilltë, por u shndërrua në një fenomen në rrjetet sociale dhe u përhap aq shumë nëpër shkolla, sa disa mësues u detyruan ta ndalonin përdorimin e tij.
Megjithatë, ekspertët thonë se kjo modë bezdisëse është thjesht pjesë e një tradite të vjetër: fëmijët që krijojnë një “gjuhë sekrete” vetëm për ta.


Një grup akademikësh nga Australia, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë shkruar se “6–7” është “vetëm shembulli më i fundit i këtyre praktikave të kahershme”.
“Si studiues të medias që merren me kulturën e fëmijëve, ne nuk e pamë këtë meme me habi apo bezdi,” shkruajnë ata në The Conversation.
“Përkundrazi, u kthyem pas në fëmijërinë tonë, në tre kontinente të ndryshme – dhe te të gjitha gjuhët sekrete që përdornim.”
Po ju, a i mbani mend këto ekuivalentë “old-school” nga fëmijëria juaj?
Pig Latin
Kjo lojë gjuhësore konsiston në zhvendosjen e bashkëtingëllores (ose grupit të bashkëtingëlloreve) nga fillimi i fjalës në fund, duke shtuar një tingull zanor si “ay”, për të hutuar dëgjuesin.
Për shembull, “dog” bëhet “og-day”, ndërsa “speak” kthehet në “eak-spay”.


Një fjali si “Let’s watch that movie tonight” do të shndërrohej në:
“Et’s-lay atch-way at-thay ovie-may onight-tay”.
Pig Latin u bë shumë popullor në vitet 1920–1930 dhe vazhdoi të përdorej për dekada si një mënyrë argëtuese për të ngatërruar të tjerët.
“Cool S”
Simboli i famshëm “S”, i vizatuar me 14 vija të drejta në fletore dhe banka shkollash, mbetet edhe sot një mister – askush nuk e di saktësisht çfarë do të thotë.
Origjina e tij është e paqartë, por u përhap masivisht në vitet 1990, duke u kthyer në një ikonë të padiskutueshme të kulturës së nxënësve.
Shenja “L” në ballë
Gjest i bërë me gishtin tregues dhe gishtin e madh, që formon shkronjën “L” (loser), u bë jashtëzakonisht popullor në fillim dhe mesin e viteve ’90.
Ai u përforcua nga personazhi i Jim Carrey në filmin Ace Ventura: Pet Detective (1994), edhe pse përdorej edhe më herët. Shenja u përmend më pas edhe në këngën “All Star” të Smash Mouth, të përfshirë në filmin Shrek.
Sot kuptimi i saj është i njohur për të gjithë, por dikur i linte të rriturit të habitur.
Rimiksimi i lojërave me duartrokitje
“Historikisht, fëmijët kanë rimodeluar rimat dhe lojërat me duartrokitje, duke i përshtatur me kulturën popullore të kohës,” shpjegojnë studiuesit.
Në Britaninë e viteve ’70, një thirrje e famshme ishte “Georgie Best, Superstar”, e kënduar mbi melodinë e “Jesus Christ Superstar”, në nder të futbollistit legjendar George Best.
Një variant tjetër i lojës “I went to a Chinese Restaurant” përfshinte vargje si:
“My name is Elvis Presley, girls are sexy, sitting on the back seat, drinking Pepsi.”
Sipas studiuesve, një arsye pse “6–7” u bë kaq popullor është thjeshtësia e tij:
“Të thuash ‘6–7’ dhe të bësh gjestin përkatës është shumë e lehtë për t’u mësuar dhe përshtatur në kultura të ndryshme.”

Kjo thjeshtësi, shtojnë ata, e bëri trendin të aksesueshëm edhe për fëmijët e shurdhër dhe për fëmijë nga kultura të ndryshme që mund ta përsërisnin frazën në anglisht.
“Fjalët e çuditshme, lojërat pa kuptim dhe krijimtaria e fëmijërisë suaj mund të duken qesharake sot,” përfundojnë ata.
“Por këto botë të fshehta kanë vlerë reale. Me ose pa internet, fëmijët do të vazhdojnë të transformojnë gjuhën dhe lojërat sipas nevojave të tyre – dhe po, kjo përfshin edhe bezdisjen e të rriturve.”
Fjalë të Gen Z dhe Gen Alpha – çfarë kuptimi kanë?
Aura points
Mënyrë për të matur sa “cool” është dikush dhe çfarë energjie përcjell. Mund të fitosh ose humbasësh pikë nëse je “cringe”.
Sigma
Përdoret për të përshkruar dikë si lider dominues, “ujk i vetmuar”, cool dhe popullor.
Shprehja “what the sigma” nënkupton “çfarë dreqin”.
Skibidi
Vjen nga seria virale Skibidi Toilet. Kuptimi ndryshon sipas kontekstit: diçka e mirë ose e keqe, cool ose e çuditshme, qesharake apo pa kuptim.
Ballerina cappuccina
Sipas përdoruesve, nënkupton dikë që duket “i/e ëmbël dhe elegant/e”.
8
Kur dikush ka bërë diçka jashtëzakonisht mirë ose ka lënë përshtypje të fortë.
It’s giving
Përdoret për të përshkruar “vibën” ose energjinë e dikujt, p.sh. “it’s giving CEO” = “po jep energji CEO-je”.
Bussin
Do të thotë se diçka është shumë e shijshme. /GazetaExpress/