Eksportet në rënie 2.3 për qind në katër muajt e parë të vitit


Gazeta Express
19 Maj 2019 9:29

Muajt e parë të këtij viti nuk kanë qenë pozitivë për ecurinë e eksporteve. Pas një përmirësimi të lehtë në mars, ato i janë rikthyer sërish tkurrjes së lehtë në muajin prill, me -0.24%. Si rrjedhojë, për 4 mujorin u eksportuan jashtë vendit mallra me vlerë 99 miliardë lekë, me një rënie prej 2.3% në raport me janar-prillin e 2018-s.

Performanca e dobët në prill ishte kryesisht nga “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, eksportet e të cilit u përgjysmuan. Edhe për katërmujorin, eksportet e këtij grupi ranë me 25% me bazë vjetore, duke zbritur në gati 15 miliardë lekë (15% e totalit, duke kaluar në grupin e tretë më të madh të eksportuar).

Tekstilet dhe këpucët e kanë rimarrë veten, pas rënies së lehtë të muajve të parë, duke rikuperuar në prill. Për 4-mujorin, ky grup, që është më i madhi, me gati 42% të totalit të eksporteve, ka shitur jashtë 41 miliardë lekë mallra, me një rënie të lehtë prej 0.6%.

Materialet e ndërtimit dhe metalet, kanë kaluar sërish në grupin e tretë më të madh në vend me 16% të totalit. Eksportet për 4-mujorin ishin 16 miliardë lekë, me një rënie prej 8% me bazë vjetore, por që vjen nga performanca negative e dy muajve të parë, ndërsa në prill u rritën me 13%.

Në rritje të ndjeshme ishin dhe eksportet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit, që u zgjeruan me 18%, duke përbërë 10% të totalit të eksporteve.

Deficiti tregtar arriti vlerën 106 miliardë lekë, duke u rritur me 8.9%, krahasuar me 2018-ën.

Te fundit


Kthehu lart