Eksploruesi amerikan, me flamur të Shqipërisë, e thyen rekordin për zhytje


Gazeta Express
14 Maj 2019 13:31

Eksploruesi amerikan, i cili u zhyt në njërën prej pikave të më thella të tokës, në gati 11 mijë metra thellësi, në rrobat e tij e mbante flamurin e Shqipërisë.

Victor Vescovo e ka thyer rekordin për zhytjen në pikën më të thellë të Oqeanit Paqësor. Ai u zhyt në 10,928 metra thellësi, ndërsa rekordi paraprak ishte për 10,912 metra thellësi, që ishte vendosur në vitin 1960, transmeton Gazeta Express.

Në këtë ekspeditë të grupit “Five Deeps” u përfaqësua edhe Shqipëria, pasi që në rrobat e Vescovos shihej flamuri kuqezi. Në uebsajtin e këtij grupi tregohet arsyeja pse eksploruesi e mban këtë flamur në rrobat e tij.

“Flamuri kuqezi i Shqipërisë është një shpagim për këmbënguljen dhe historinë e jashtëzakonshme të popullit të mrekullueshëm shqiptar dhe në veçanti të një gruaje shqiptare, e cila e ka sponsorizuar ekspeditën tonë që një kohë të gjatë dhe mbetet mbështetëse e madhe e jona”, shkruhet në uebsajt.

Në ekspeditën e fundit të Vescovos morën pjesë pesë zhytës, në prill dhe në maj. Ata u zhytën në disa pikë të ndryshme të “Mariana Trench”, pikës më të thellë në oqeanet e botës.

Rekordi u thye qysh në tentimin e parë, më 28 prill. Gjatë zhytjeve, eksploruesit u përballen me të paktën tri gjallesa të panjohura. Megjithatë, ajo që e ka marrë vëmendjen e të gjithëve është se në pikën më të thellë u gjet edhe një qese plastike.

Ky zbulim i ka alarmuar organizatat botërore për mirëmbajtjen e ambientit, pasi që qesja plastike, e gjetur në pikën më të thellë të oqeaneve në botë, shërben si dëshmi që tanimë çdo pjesë e Tokës është ndikuar nga papastërtia. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart