Legjenda e futbollit të Burnley-t, Andy Payton, po u bën thirrje personave të moshës së mesme që të kontrollohen për shenjat paralajmëruese të demencës së hershme, pas një diagnoze tronditëse.
Ish-sulmuesi, 57 vjeç, kishte kohë që vuante nga dhimbje koke dhe humbje kujtese, çka e çoi të bënte një skanim të trurit më herët këtë vit, pas diagnozës me demencë të ish-bashkëlojtarit të tij, Dean Windass, në janar, në moshën 56 vjeçare.
Një diagnozë e kësaj sëmundjeje nën moshën 65 vjeç konsiderohet si demencë e hershme, e cila një në dhjetë raste ka shkak gjenetik, sipas “Alzheimer’s Research UK”.
Ajo gjithashtu mund të shkaktohet nga faktorë jo-gjenetikë, si dëmtimet traumatike të trurit, dëmtimet e rënda pas goditjes në tru, ose konsumimi i tepruar i alkoolit.
Pavarësisht se rastet janë në rritje, ekspertët paralajmërojnë se njerëzit e rinj janë kryesisht të painformuar për shenjat unike paralajmëruese të kësaj gjendjeje.
Sipas “Dementia UK”, më shumë se 70,800 persona nën moshën 65 vjeç jetojnë me demencë të hershme, një rritje prej 69% që nga viti 2014.
Duke folur për “The Observer”, z. Payton tha:
“Dua të rris ndërgjegjësimin për ish-lojtarët dhe të ndihmoj të tjerët. Prandaj jam këtu. Vetëm dua që djemtë të shkojnë dhe të kontrollohen.”
Ai përjetonte simptomat e zakonshme të demencës, si harresa, humbja e memories dhe dhimbjet e kokës, para se të merrte diagnozën.
Ai shtoi:
“Është tmerrësisht e frikshme, sepse ti e di çfarë të pret më tej” – transmeton GazetaExpress.
Neurologu që i kreu skanimin e trurit i kishte thënë se nga 68 traktet e trurit, 27 ishin të dëmtuara, dhe gjithashtu se truri i tij ishte zvogëluar pak.
Sipas Payton, neurologu nuk kishte asnjë dyshim se dëmtimet ishin shkaktuar nga goditjet e përsëritura në kokë gjatë lojës së futbollit.
Ish-sulmuesi, i cili bëri mbi 500 paraqitje në karrierën e tij, tha:
“Një skanim truri nuk gënjen. Gjysma e trurit është e dëmtuar, gjë që shpjegon se si po ndihesha.”
Edhe pse shkencëtarët nuk janë ende të sigurt për shkaqet e kësaj rritjeje, ekspertët kanë identifikuar të paktën 14 faktorë të rrezikut, të lidhur me stilin e jetesës, që mund të ndikojnë në zhvillimin e demencës së hershme.
Këto përfshijnë:
Presion të lartë të gjakut
Konsum të lartë të alkoolit
Diabet tip 2
Obezitet
Sipas raportit të “Lancet Commission” të publikuar vitin e kaluar, nuk është ende e qartë nëse disa faktorë janë më të rëndësishëm se të tjerët, por “është logjike” që sa më herët t’i ekspozoheni këtyre faktorëve – dhe sa më gjatë të zgjatin – aq më i madh do të jetë dëmtimi i trurit.
Profesor Robert Howard nga University College London shpjegon:
“Nëse zhvillon, për shembull, diabet tip 2 dhe hipertension herët dhe nuk e trajton, do të dëmtohet zemra dhe rrjeti vaskular që furnizon trurin. Kjo mund të çojë në zhvillimin më të hershëm të demencës vaskulare, dhe ndoshta përshpejton proceset që shkaktojnë Alzheimer.”
Lajmi i mirë është se duke trajtuar këto faktorë rreziku, mund të ulet rreziku i sëmundjes.
Dr. Scott Chiesa nga Instituti i Shkencave Kardiovaskulare në UCL shton:
“Ne besojmë se ka shumë gjasa që zvogëlimi i ekspozimit ndaj faktorëve të rrezikut mund të ketë ndikim në demencë – qoftë në parandalimin e sëmundjes së hershme, apo në zvogëlimin e gjasave që ajo të ndodhë më vonë.”
A jeni në rrezik nga demenca e hershme – dhe çfarë mund të bëni për ta parandaluar
🟩 Vazhdoni të pini duhan? Asnjëherë nuk është vonë për të lënë
Rreth 2% e rasteve me demencë lidhen me pirjen e duhanit. Por lënia e duhanit eliminon rrezikun. Edhe nëse ndaloni në moshën 60 vjeç, mund të fitoni 3 vite jetë më shumë.
🟨 Keni problem me alkoolin? Kërkoni ndihmë
Përdorimi i alkoolit mbi 21 njësi në javë rrit rrezikun e demencës me 18%, ndërsa varësia nga alkooli është rreziku më i madh për formën e hershme të sëmundjes.
🟦 Takohuni me miq (ose edhe armiq!)
Izolimi social rrit rrezikun e demencës me 60%. Madje edhe ndërveprimi me njerëz që nuk i doni mund të ndihmojë në ruajtjen e funksioneve të trurit
🟧 Probleme me dëgjimin? Vendosni ndihmës dëgjimi
Çdo rënie me 10 dB në dëgjim rrit rrezikun e demencës me deri në 24%. Dëgjimi i dobët lidhet me zvogëlim të lobit temporal të trurit – zonë që lidhet me memorien.
🟥 Ndiheni në stres? Kërkoni trajtim
Trajtimi i depresionit (me terapi apo medikamente) mund të zvogëlojë rrezikun e demencës me deri në 38%.
🟫 Humbni peshë – sidomos nëse jeni grua
Mbipesha është një faktor i rëndësishëm, veçanërisht për gratë. Edhe humbja e vetëm 2 kg ka treguar përmirësim të kujtesës brenda 6 muajsh.
🟨 Kontrolloni presionin e gjakut dhe sheqerin
Presioni i lartë dhe diabeti i tipit 2 janë të lidhura fort me demencën, veçanërisht kur shfaqen në moshë të re. Mbajtja nën kontroll e këtyre faktorëve zvogëlon ndjeshëm rrezikun.
🟩 Ulni kolesterolin
Kolesteroli i lartë, veçanërisht LDL (“kolesteroli i keq”), rrit rrezikun e demencës. Dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe nëse duhet, statinat, janë mënyra efektive për uljen e tij.
🟦 Bëni aktivitet fizik
Çdo formë e lëvizjes (ecje, kopshtari, not) ul rrezikun e demencës me 20%. Aktiviteti fizik rrit qarkullimin, përmirëson plastikën e trurit dhe ul inflamacionin.
🟥 Shmangni rrugët me ndotje të lartë
Ajri i ndotur mund të përmbajë grimca që depërtojnë në tru. Shmangni rrugët kryesore, dhe përdorni harta të cilësisë së ajrit online për të gjetur rrugët më të pastra.
🟫 Ngisni biçikletën? Vendosni helmetë
Edhe goditjet e lehta në kokë, përmes aksidenteve ose sporteve si futbolli, rrisin rrezikun për sëmundje neurologjike. Helmetat janë të domosdoshme.
🟧 Probleme me shikimin? Vizitoni okulistin
Problemet me shikimin që nuk trajtohen mund të rrisin rrezikun e demencës me 47%. Ndërrimi i syzeve ose operacioni për katarakt mund të sjellin përfitime të mëdha. /GazetaExpress/