Ekspertët: Dezinformimi rus, pengesë për imunizimin kundër koronavirusit - Gazeta Express
string(70) "ekspertet-dezinformimi-rus-pengese-per-imunizimin-kunder-koronavirusit"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2021 21:12

Ekspertët: Dezinformimi rus, pengesë për imunizimin kundër koronavirusit

Lajme

Gazeta Express

12/06/2021 21:12

Shtetet e Bashkuara u zotuan të enjten të dhurojnë 500 milionë doza të tjera të vaksinës kundër koronavirusit, për të ndihmuar 92 vende më në nevojë për fushatën e imunizimeve deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ndërkaq ekspertët thonë se Rusia po punon për të diskredituar vaksinat perëndimore dhe po reklamon intensivisht vaksinën e saj Sputnik V.

Kur administrata amerikane për Ushqimin dhe Barnat miratoi vaksinën Pfizer për të luftuar koronavirusin në dhjetor 2020, Rusia e kishte gati fushatën e saj të dezinformimit duke u përpjekur të bindte publikun se vaksina ishte e rrezikshme.

Lexo Edhe:

Grupe mediatike ruse dhe postime në median sociale përhapnin pretendime të pabaza se vaksinimi kishte shkaktuar vdekje dhe se vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna shkaktonin mpiksje gjaku.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se këto pretendime të rreme të përhapura nga Rusia synojnë të minojnë besimin tek vaksinat që prodhon Perëndimi.

“Info-demia, siç e kemi cilësuar, është problem po aq i madh sa edhe pandemia. Kjo fushatë përcjell informacion që po përhapet nëpër botë më shpejt sesa vetë virusi,” thotë një zëdhënëse e OBSH’së.

Por Rusia nuk është e vetmja që përhap dezinformim. Shërbimi i Jashtëm Evropian tha në raportin e tij të fundit se media pro-Kremlinit, si edhe Kina po punojnë për të minuar besimin tek vaksinat evropiane e amerikane.

Zyrtarët amerikanë thonë se po bëjnë ç’është e mundur për të luftuar dezinformimin.

“Bashkëpunojmë me partnerë të ndryshëm, që nga qeveritë e deri tek shoqëria civile për t’iu përgjigjur kësaj fushate. Sidomos në kushtet e një pandemie globale, ku ka rëndësi të veçantë vaksinimi i popullatës, njerëzit duan të dëgjojnë të vërtetën. Për fat të mirë, po shtohet numri i organizatave të angazhuara për të arritur imunizimin,” thotë Daniel Kimmage, zyrtar në Departamentin e Shtetit.

Kjo fushatë dezinformimi e bën më të vështirë luftën kundër pandemisë.

Mosbesimi që po mbjell Rusia dëmton edhe interesat e saj, thonë ekspertët, duke sjellë si shembull rezistencën që kanë shfaqur vetë rusët ndaj vaksinës Sputnik V./VOA