Efektet e Marrëveshjes së Ohrit 18 vjet pas nënshkrimit


load
Gazeta Express
13 Gusht 2019 10:23

Ekspertët në Maqedoninë e Veriut edhe pas 18 vjetësh vazhdojnë të jenë të ndarë sa i përket efekteve që ka prodhuar Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001.

Dokumenti kornizë i Ohrit, që u nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, duhej të zbatohej brenda katër vjetësh. Ky dokument, në bazë kishte avancimin e të drejtave të shqiptarëve, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e Veriut ka avancuar në masë të theksuar kërkesat e shqiptarëve, por njëkohësisht janë evidentuar edhe ngecje në zbatimin në praktik të normave ligjore që burojnë nga ky dokument, thotë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi, një nga ekspertët që ka marrë pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Maqedonia e Veriut para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit sigurisht se nuk është e njëjtë. Maqedonia e Veriut ka transformime serioze në mënyrën e funksionimit, në mënyrën e barazisë së të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike dhe në mënyrën e realizmit të aspiratave të komuniteteve joshumicë, këtu në rend të parë shqiptarëve. Marrëveshja e Ohrit sigurisht se ka dhënë kontribut serioz në këtë drejtim”, thotë Ziberi.

Por, ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Tito Petkovski thotë sekonflikti i armatosur më 2001, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si luftë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai luftë e quan marrjen nën kontroll të territoreve.

“Nuk mund të thuhet se atë kohë luftohej për idenë për barazi për të gjithë qytetarët. Tani nga ky dimension, lufta e 2001 mund të trajtohet dhe si luftë për territore. Por, një gjë është e sigurt se konflikti i armatosur mund të mbyllej vetëm përmes një marrëveshjeje”.

“Marrëveshjet paqësore paraqesin detyrime dhe obligime për të dyja palët. Në këtë rast, fraza se ‘ka fituar Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Ohrit’ për mua është e papranueshme sepse në këtë rast ne kemi humbur shumë, mendoj edhe maqedonasit edhe shqiptarët. Por, marrëveshja u arrit si rrjedhojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, që kishte interes që ta menaxhojë konfliktin ashtu siç e menaxhoi”, thotë Petkoski.

Sipas Naser Ziberit është e rëndësishme që të vazhdojë të mbizotërojë fryma e Marrëveshjes së Ohrit edhe në të ardhmen, në mënyrë që, sipas tij, shteti të funksionojë mbi konceptin shumetnik.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart