Efektet e Covid-19 në ekonomi - Disa sugjerime për bizneset - Gazeta Express
string(57) "efektet-e-covid-19-ne-ekonomi-disa-sugjerime-per-bizneset"

Efektet e Covid-19 në ekonomi – Disa sugjerime për bizneset

Gazeta Express

29/04/2020 10:52

Të qenit i izoluar (shkaku i virusit aktual) në fillim ishte një goditje e fuqishme, por tani njerëzit kanë filluar disi të adaptohen me këtë formë te jetesës, dhe po krijojnë shprehi të reja. Tani po jetojmë ndryshe nga disa muaj më parë, dhe pas 6-7 muajve mund të jemi duke jetuar ndryshe. Me gjasë jeta nuk do të jetë e njëjtë pas pandemisë. Andaj, bizneset duhet të jenë shumë të vëmendshëm në këtë aspekt, të përcjellin nga afër ndryshimet dhe të ofrojnë produkte/shërbime adekuate për shprehitë/kërkesat/nevojat e reja të klientëve

Shkruan: Reuf Shkodra

Lexo Edhe:

Miliona persona të infektuar, e qindra mijëra të vdekur, shtete te izoluara, bizneset e mbyllura dhe popullata e gjerë në karantinë. Kjo është gjendja aktuale në botë e shkaktuar nga COVID-19 – virusi i cili besohet se buroi nga provinca e Wuhanit të Kinës. Një krizë globale e paprecedentë. Numri tejet i madh i të prekurve me këtë virus ka rënduar tej mase sistemin shëndetësorë anembanë botës, saqë edhe në vendet me shëndetësi tejet të përparuar rrezikojnë kollapsimin, por edhe dëme shumë të mëdha në bizneset dhe ekonominë globale. Deri në këtë moment (28 Prill 2020), sipas data bazës së ‘Johns Hopkins University’, në mbarë botën ka të konfirmuar si të infektuar mbi 3.06 milionë persona dhe mbi 212 mijë vdekje të konfirmuara. Shifra këto që po vazhdojnë të rriten, saqë kur ju të jeni duke lexuar këtë artikull, këta numra do të jenë rritur për dhjetëra mijëra. Mirëpo distribuimi i numrit është asimetrik, ngase shtete të ndryshme janë në faza të ndryshme të pandemisë. Për disa shtete/vende mendohet se e kane kaluar pikun. Ndërsa tek ne në Kosovë, të konfirmuar si të prekur me këtë virus janë 780, dhe ka lënë 22 të vdekur.

Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, qeveritë kanë aplikuar masa që përfshijnë ndalesa të lëvizjes për popullatën e gjerë dhe mbylljen e bizneseve jo-esenciale. Ndërsa në ato pjesë/regjione ku gjendja është më e rëndë, është aplikuar edhe karantinimi. Është krijuar një situatë krejtësisht e re, e cila ishte e paimagjinueshme javë më parë – një normale re. Por kjo normalja e re erdhi shumë shpejtë, dhe gjeti të papërgatitur po thuaj të gjithë, qeveritë, bizneset dhe popullin.

Masat e ndërmarra për te parandaluar përhapjen e virusit janë duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, dhe ekonomistët po parashikojnë se do të tejkalojnë krizën ekonomike të vitit 2008, e madje edhe ‘Depresionin e Madh’ të viteve 1930-ta. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në 170 shtetet do të ketë rënje të GDP-së për kokë banori, dhe se ekonomia globale do të tkurret për 3%. Ndërsa, Banka Botërore po parashikon që si pasojë e Covid -19, në vitin 2020 tregtia globale do të ketë rënje ndërmjet 13%-33%. Kjo për arsye se janë bllokuar shtetet që gjenerojnë mbi 50% të GDP-së globale.

Situata është aq e rëndë saqë në shtetin më të zhvilluar në botë, në SHBA, deri në këtë moment janë regjistruar mbi 26.4 milionë persona si të papunë, dhe sipas ekonomisteve të Rezervës Federale, skenari që papunësia në SHBA të arrijë 30% është parashikimi më i mundshëm. Kjo i bie të jetë tre herë me e lartë se gjatë krizës financiare të vitit 2008 dhe për afër 17% më e lartë se gjatë Depresionit të Madh (Gjatë DM, kjo shifër ishte afër 25%). 

Kjo gjendje e shkaktuar ka prekur bashkë ofertën dhe kërkesën. Tek oferta – mbyllja totale ose e pjesshme e bizneseve (me theks te veçantë ato jo-esenciale), mungesa e fuqisë punëtore (kufizimet e grupimeve, por edhe shkaku i punëtorëve të infektuar dhe frika nga infektimi), kufizimet në eksport që kanë zbatuar shumë shtete e edhe mbyllja e kufijve. Në anën tjetër, te pjesa e kërkesës janë ulja e të hyrave mujorë, frika dhe pasiguria se sa do të zgjasë pandemia (ulja e konsumit për produkte jo-esenciale dhe luksi), dhe natyrisht kufizimet e lëvizjes dhe grupimeve – ku kjo masë ka dëmtuar sidomos sektorin e shërbimeve. Duhet përmendur gjithashtu kërkesën e shtyrë dhe atë të shkatërruar ose humbur. Tek kërkesa e shtyre hynë ato blerje që mund të behën pasi te rihapet ekonomia, ndërsa ajo e humbur kur konsumatorët kanë heq dorë nga ajo, ose e kanë lënë për vitin/vitet e ardhshme.

Industria e linjave ajrore dhe ajo e turizmit janë më të dëmtuarat. Këtu është pastaj efekti domino, ngase automatikisht ndikimi përhapet edhe tek sektorët tjerë. P.sh. nuk ka udhëtime – nuk ka vizitues – nuk ka dhoma te rezervuara (këtu preket rënd hoteleria dhe restorantet) – nuk ka shërbime të ofruara (përfshirë edhe transportin rrugor) – nuk ka produkte ushqimore të shitura (nga hoteleria) nuk ka produkte ushqimore dhe pije të shitura nga prodhuesit dhe kanalet tjera në zinxhirit të furnizimit. Gjithashtu zinxhiri i furnizimit ushqimorë po ndërpritet shkaku i mbylljes së fabrikave përpunuese, dhe kështu mund të ketë mungesë të disa produkteve në treg. Ndalja/zvogëlimi i qarkullimit ka ulur kërkesën për derivate, duke dëmtuar kështu industrinë e naftës dhe janë shënuar çmimet më të ulëta të naftës në 20 vitet e fundit. Gjithashtu ndalja e punës në industrinë përpunuese ka efekte mëdha në ekonomi, për arsye se ndikon në të gjithë pjesëtarët e zinxhirit të furnizimit dhe shtimit të vlerës. Me thjeshtësua, të gjitha ndërmarrjet që marrin pjesë në zhvillimin dhe dërgimin e produktit te konsumatori final.

Mirëpo, në krejt këtë kaos, janë bizneset e vogla ato që do të pësojnë më së keqi. Hulumtimet nga vendet e zhvilluara, përfshi këtu edhe SHBA-të, tregojnë se pjesa më e madhe e bizneseve të vogla (dimë që bizneset e vogla në Amerikë dhe Evrope për Kosovë mund të jenë të mëdha, por kjo vetëm sa për të ilustruar gjendjen e rëndë të kësaj kategorie), kanë rezerva që mund të mbulojnë shpenzimet jo më shumë se një muaj. Andaj këto të dhëna tregojnë se pa kredi afatgjate me norma ultra të ulëta të interesit, dhe infuzioneve me kesh nga qeveria, bizneset e vogla janë para opsioneve jo të lehta për të zgjedhur. Ato do të duhet ulin shpenzimet në mënyrë drastike përndryshe rrezikojnë falimentimin. Tek shpenzimet, ajo çka na intereson më shumë është mos-reduktimi i numrit të punëtorëve – ose sa më pak që është e mundur. Prandaj reagimi nga Banka Qendrore dhe Qeveria duhet të jenë të shpejta, përndryshe dëmet mund të jenë të pa-riparueshme.

Në këtë kontekst, Qeveria e Kosovës (tani në detyrë), respektivisht Ministria e Financave dhe Transfereve, ka përgatitur një pako emergjentë në të cilën janë ndarë 41 milion Euro për të mbuluar shpenzimet e pagave mujore në vlerë prej 170 Euro (vlera e pagës minimale) për punëtorët e regjistruar, dhe do të bëjë subvencionimin e qerasë deri në 50% të vlerës së qerasë, masë kjo në vlerë prej 12 milion Euro. Këto vlejnë për muajt Prill dhe Maj. Ndonëse jo të mjaftueshme, këto masa u mirëpritën nga bizneset dhe punëtorët, mirëpo deri në këto momente (28 Prill 2020) bizneset nuk kane marrë as edhe një cent nga kjo pako. Vonesa në implementimin e pakos është e pajustifikueshme. Si rezultat i ndalesave të qeverisë për operim të bizneseve jo esenciale dhe ndalesës në qarkullim për popullatën e gjerë – të hyrat për këto biznese janë ndalur, por jo edhe kostot fikse. Pronari i objektit kërkon paratë për qira, dhe punëtorët kërkojnë pagat. Të hyrat janë ndalë në ato familje, por jo edhe shpenzimet. Përkundrazi, kudo në botë nga frika se mund të ketë mungesë të produkteve në treg (sidomos atyre esenciale), familjet kanë shpenzuar më shumë duke krijuar stoqe nëpër shtëpitë e tyre, dhe Kosova nuk përbën përjashtim. Andaj, mos-efikasiteti i qeverisë mund të jetë shkatërrimtare për shumë biznese dhe familje.

E udhës është edhe të shihen implikimet në buxhet dhe te krijohej një fond që garanton dhe mbulon kreditë për ato biznese që rrezikojnë të falimentojnë ose të largojnë numër të madh të punëtorëve. Varësisht nga mënyra e përdorimit që do t’i bëjnë bizneset atyre parave do të jetë mbulesa nga qeveria. Kështu, p.sh., për ato biznese që mbajnë të gjithë punëtorët pa ua ulur pagat, dhe me ato para paguajnë qiranë, këstet e kredive të mëhershme si dhe shpenzimet tjera qe ndërlidhen me biznesin për këta dy muaj, të iu falet kredia.

Por në të njëjtën kohe, janë edhe disa ‘detyra shtëpie’ që bizneset duhet t’i bëjnë në mënyrë që të mbijetojnë e edhe të dalin më të fortë nga kjo pandemi. Ka një kohë prej kur ka filluar pandemia dhe besohet se bizneset tani janë në fazën e ‘stabilizimit’, ngase kanë filluar të mësohen me këtë ‘normalen e re’. Tani fokusi duhet të jetë tek ruajtja e vlerës së biznesit, analiza e likuiditetit, planifikimin e skenarëve operacional, ruajtja e talentit (fuqisë punëtore profesionale) dhe të shohin të gjitha mundësitë se si të përfitojnë nga pakoja emergjente qeveritare. Duhet kujdes i shtuar dhe analiza të mirëfillta nga ekspertë të fushave përkatëse ngase vendimet që merren tani nga do të ndikojnë në pozicionin dhe performancën e ndërmarrjes tani dhe në të ardhmen e saj.

Ndonëse ka shumë fusha që duhet të shtjellojmë, në ketë pjesë të shkrimit do të trajtohen fuqia punëtore/burimet njerëzore, zinxhiri i furnizimit, dhe ndryshimi i kërkesave apo nevojave të konsumatorëve.

Burimet njerëzore – janë pasuria më e madhe e një kompanie, dhe në këtë kohë për shumë nga ta e ardhmja nuk është bukur e qartë dhe e sigurt. Kështu që drejtuesit e bizneseve duhet të komunikojnë rregullisht me punëtorët e tyre dhe t’i mbajnë të informuar për çdo ndryshim eventual në funksionimin dhe strukturën e ndërmarrjes. Ato biznese që janë duke operuar pjesërisht, do të zgjedhin punëtorët më të mirë për të vazhduar punën, dhe kjo nxjerr në pah boshllëqet në aftësitë e fuqisë punëtore ekzistuese. Andaj është një mundësi e mirë për të zgjedhur fushat në të cilat nevojitet riaftësim i fuqisë punëtore. Në ato firma/biznese në të cilat puna është duke vazhduar nga distanca, duhet të sigurohen që punëtorët të jenë të sigurt dhe efikas. Të sigurohen që kanë të gjitha mjetet e nevojshme, dhe se kanë në përdorim teknologjinë e duhur. Rëndësi të veçantë duhet kushtuar edhe mbrojtjes nga sulmet potenciale fizike dhe ato kibernetike.

Së fundi, largimi i punëtorëve me qëllim të zvogëlimit të kostove nuk është i sugjerueshëm, ngase rindërtimi i ekipit do të jetë më i vështirë. Siç u cek edhe sipër, Ministria e Financave dhe Transfereve ka ndarë 41 milion Euro për të mbuluar shpenzimet e pagave mujorë në vlerë prej 170 Euro (për punëtorët e regjistruar) për muajt Prill dhe Maj, dhe gjithashtu, atyre ndërmarrjeve që nuk i kanë të regjistruar punëtoret e tyre, iu është mundësuar ta bëjnë këtë tani në mënyre që të përfitojnë nga pakoja emergjente.

Dhe krejt në fund, por jo për nga rëndësia, është pjesa humane? Është pandemi dhe mund të jetë periudhë shkatërruese për disa, andaj bëni gjithçka është e mundur që ata të jenë mirë dhe të sigurt – me shëndet dhe financa. Duhet të kujdeseni/brengoseni për mirëqenien e tyre. Shumë nga ta mbajnë të gjithë familjen dhe pagën nga ju mund ta kenë të vetmin burim financiar, dhe ndihma nga MFT prej 170 Euro mund të mos jetë e mjaftueshme. Zemërgjerësia gjatë krizave bën që të krijohet një lidhje shumë më e fortë ndërmjet jush.

Rrjeti i furnizimit është i fortë aq sa pika më e dobët e tij.

Në këtë kohë globalizmi dhe kur tregtia globale po lulëzon, edhe rrjeti apo zinxhiri i furnizimit është internacional – aktorë të ndryshëm janë në vende të ndryshme të botës, varësisht nga avantazhet e tyre krahasuese. Çdo produkt që e përdorim apo konsumojmë në ndonjë fazë të udhëtimit të tij deri tek konsumatori final i është nënshtruar tregtisë ndërkombëtare. Kështu p.sh., një mulli që furnizon furrat e bukës me miell, një pjesë të grurit e blen nga Serbia, Hungaria apo ndonjë vend tjetër. Fermat prodhuese të qumështit dhe vezëve, blejnë gjedhët nga Hungaria, Bullgaria apo Çekia, kurse zogjtë nga Greqia, dhe një pjesë bukur të madhe të drithërave që përdorët si ushqim për kafshët e tyre e marrin nga ndonjë vend rajonal. Një prodhues i mobilieve në Ferizaj, e blen lëndën e parë (drurin) në Slloveni; etj. Shembuj të tillë ka pa fund.

Pandemia COVID-19 ka prekur edhe zinxhirët e furnizimit duke ndërprerë përkohësisht funksionimin normal të tyre. Kjo për arsye të mbylljes apo zvogëlimit të veprimtarisë, apo edhe kufizimit në eksport që shumë shtete kanë aplikuar. Andaj duhet të identifikohen se cilët, apo a ka ndonjë nga furnizuesit në rrjedhjen e sipërme (ata prej të cilëve blejmë) në zonat e prekura më rëndë nga pandemia, dhe a mund të transportohen produktet. Në këtë kontekst, nëse eventualisht ndonjë furnizues nuk arrin të plotësojë kërkesën, duhet të dihet si do të ndikoje kjo tek aktorët tjerë ne zinxhir?

Më sipër u cekën shembuj se si ‘dështimi’ i një hallke çrregullon të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe shtimit të vlerës. Prandaj duhet të merrni sa më shumë detaje që është e mundur, ngase në këtë periudhë pandemie ka edhe plotë kompani tjera që konkurrojnë për të siguruar kapacitetin e mbetur. Ndërmarrjet duhet të kontrollojnë vazhdimisht disponueshmërinë në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe të bëjnë vlerësime në kohë reale për kërkesën. Këtu duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e ekonomisë botërore po ngadalësohet, por gjithashtu duhet të ketë një plan për të riaktivizuar porositë pasi të hiqen kufizimet, ekonomia të hapet dhe kërkesa të fillojë të rritet. Do të jenë në avantazh ato firma të cilat janë mirë të përgatitura dhe janë të gatshme të fillojnë menjëherë me dërgesat e produkteve/ofrimin e shërbimeve.

Ndryshimi në kërkesat e konsumatorëve

Të qenit i izoluar (shkaku i virusit aktual) në fillim ishte një goditje e fuqishme, por tani njerëzit kanë filluar disi të adaptohen me këtë formë te jetesës, dhe po krijojnë shprehi të reja. Tani po jetojmë ndryshe nga disa muaj më parë, dhe pas 6-7 muajve mund të jemi duke jetuar ndryshe. Me gjasë jeta nuk do të jetë e njëjtë pas pandemisë. Andaj, bizneset duhet të jenë shumë të vëmendshëm në këtë aspekt, të përcjellin nga afër ndryshimet dhe të ofrojnë produkte/shërbime adekuate për shprehitë/kërkesat/nevojat e reja të klientëve. Klientët nuk presin thirrje ose mesazh nga ju që t’iu tregoni se sa shumë brengoseni dhe kujdeseni për ta. Ata kane nevojë për shpresë, rehati dhe argëtim, dhe produktet apo shërbimet tuaja duhet t’i ndihmojnë në këtë aspekt. Duhet të vazhdoni të jeni pjesë e jetës së tyre edhe në këtë kohë të vështirë. Tani njerëzit po zhvillojnë dhe shijojnë eksperienca të reja në internet, duke qenë shumë komod dhe të sigurt nëpër shtëpitë e tyre. Por edhe disa ndërmarrje po mundohen të përcjellin trendin. Kështu p.sh. rrjetet e shitjes me pakicë po i kushtojnë më shumë vëmendje shitjeve online. Shumë restorante qe shërbim të vetëm e kanë pas shërbimin në lokal/restorant, kanë filluar të bëjnë edhe dërgesa nëpër shtëpi. Dyqane të veshmbathjeve dhe pajisjeve teknologjike gjithashtu po vazhdojnë shitjet online. Por ato biznese që kishin të themeluar departamentin e shitjeve online ose shitjeve me porosi përmes thirrjeve telefonike (më e theksuar tek fastfood-et) tani kanë avantazhe ndaj konkurrentëve dhe pritet rrisin prezencën e tyre në treg dhe të krijojnë një lidhje të fortë me klientët e tyre. Shumë nga këto shprehitë e reja pritet të vazhdojnë edhe pas pandemisë, andaj është shumë e rëndësishme që të arrini të kuptoni si të vazhdoni të ofroni shërbime që japin vlerë klientëve tuaj edhe në ketë pandemi por edhe pas saj. Mirëpo ato medoemos duhet të jenë edhe pjesë e planifikimeve dhe investimeve për ardhmen.