Partitë politike zotohen se do ta respektojnë kuotën gjinore në listat zgjedhore - Gazeta Express
string(80) "partite-politike-zotohen-se-do-ta-respektojne-kuoten-gjinore-ne-listat-zgjedhore"

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

16/01/2021 10:29

Partitë politike zotohen se do ta respektojnë kuotën gjinore në listat zgjedhore

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

16/01/2021 10:29

Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë përcakton se 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë gra. Pikërisht duke u bazuar në këtë Ligj, subjektet politike janë zotuar se do të respektojnë kuotën gjinore 30 për qind edhe në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Express.

Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Lirije Kajtazi ka thënë për Express, se ndonëse nuk është finalizuar ende lista zgjedhore, kjo parti do të ketë aty gra me potencial dhe që kanë kontribuar në parti.

Lexo Edhe:

“Lista ende nuk është finale por natyrisht që është edhe obligim ligjor por edhe ka potenciale që 30% me qenë gjithsesi i përfaqësuar nga gratë. Kur ajo të publikohet besoj që do ta shihni se ka gra me potenciale dhe që kanë kontribuar në punën e partisë”, ka thënë ajo për Express.

Njësoj po thonë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Zëdhënësi i partisë, Përparim Kryeziu ka thënë për Express se LVV’ja ka për synim programor dhe politik përmirësimin dhe zhvillimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe në politikëbërje.

“Patjetër se po. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka synim programor dhe politik përmirësimin dhe zhvillimin e pozitës së gruas si në shoqëri ashtu edhe politikëbërje. Kësaj radhe do të mundohemi që përfaqësimi i gruas në listën tonë zgjedhore të tejkaloj kuotën gjinore prej 30%.”, ka thënë ai për Express.

Në ndërkohë, ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili ka thënë që ndonëse lista nuk është finalizuar ende beson që edhe PDK’ja do ta respektojë kuotën gjinore në listën zgjedhore.

“Lista ende nuk është finalizuar dhe për besë nuk kam informacione se sa gra janë në të, por PDK’ja sikurse herëve të tjera do ta respektojë këtë kuotë. Mbetet të shihet kur të publikohet lista me emra”, ka thënë ajo, për Express.

Pakoja e Ligjeve Kundër Diskriminimit  është adoptuar në vitin 2015, e ku bëjnë pjesë: Ligji Kundër Diskriminimit, Ligji për Ombudspersonin dhe Ligji për Barazi Gjinore, e që  garantojnë të drejta të barabarta të pjesëmarrjes së jetës publike të qytetarëve.

Lidhur me këtë, ligji specifik, ai për Barazi Gjinore, parasheh 50% të përfaqësimit gjinor (përfaqësim i barabartë i të dy gjinive), në çdo mekanizëm dhe nivel të pjesëmarrjes në jetën politike dhe publike.

Me Ligjin për Barazi Gjinore parashihet edhe themelimi i Agjencisë për Barazi Gjinore si institucion qendror i cili integron aspektin gjinor në politikbërjen në nivel shtetëror.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare  të 6 tetorit, shumica e grave deputete të ardhshme kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës pa pasur nevojë për kuotë gjinore.

Ligji për barazi gjinore në Kosovë obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Sistemin e kuotave në Kosovë për herë të parë e pati aplikuar Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në vitin 2000. Në bazë të një rregulloreje kërkonte që së paku 30 për qind të kandidatëve në listat e partive të jenë të gjinisë femërore.