Gent Cakaj i quan spekulime shkrimet që po i bashkohet PDK’së - Gazeta Express
string(60) "gent-cakaj-i-quan-spekulime-shkrimet-qe-po-i-bashkohet-pdkse"

Gent Cakaj i quan spekulime shkrimet që po i bashkohet PDK’së

Gazeta Express

06/07/2020 17:53

Kryediplomati i Shqipërisë, Gent Cakaj, është raportuar se po kthehet në Kosovë, për t’u bërë pjesë e PDK’së. Zyra e tij këto raportime i quan spekulime. Edhe Besa Shahini, e cila është gruaja e kryetarit të PSD’së, Dardan Molliqajt, sipas këtyre shkrimeve, mund t’i bashkohet skenës politike kosovare, por nën siglën e partisë së Kadri Veselit.

Dy ministrat nga Kosova në kabinetin e Edi Ramës raportohet se mund të largohen nga Shqipëria, për t’u bërë pjesë e politikës kosovare. Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini thuhet se do të jenë në listën e reformave që kryeministri Rama planifikojë t’i bëjë në kabinetin e tij.

Lexo Edhe:

Zyra e Cakajt për Gazetën Express mohon këto raportime, duke thënë se ai mban detyrat që i ka të caktuara në Qeverinë e Shqipërisë dhe të tjerat përtej tyre  janë spekulime politike.

“Cakaj është Ministër në detyrë për Evropen dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë si dhe Sekretar i Partisë Socialiste te Shqipërisë. E gjitha puna e tij është e fokusuar tek realizimi sa me i suksesshëm i detyrave të cilat i janë caktuar dhe mbi te gjitha këtij mandati. Çdo punë e tij e zhvilluar deri më sot shkon në përputhje me mandatin e tij. Kjo për t’u nënvizuar. Më vjen keq, por çdo gjë tjetër është spekulim për qëllime politike”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Përveç Cakajt, raportohet se edhe ministrja e Arsimit, kosovarja Besa Shahini, që u bë pjesë e Qeverisë së Shqipërisë, kur kryeministri Rama vendosi të emëronte politikanë të rinj nga Kosova në disa prej dikastereve kryesore.

“Burimet bëjnë të ditur se dy lëvizjet kryesore që do të prekin qeverinë e Edi Ramës janë rikthimi në Kosovë i ministres së Arsimit, Besa Shahini dhe shefit të diplomacisë në detyrë, Genti Cakaj. Të cilët pritet të shërbejnë si një “ardhje e re” në PDK-në e Kadri Veselit, pas trazimit që ka pasur kjo forcë politike si pasojë e akuzës nga Prokuroria Speciale ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit”, thuhet në një shkrim të publikuar në veriu.info.

Rama, në mandatin e tij të dytë si kryeministër i Shqipërisë befasoi duke emëruar në disa prej dikasterët kryesore ministra nga Kosova.

Më parë, Cakaj ka qenë këshilltar i Ramës, ndërsa ai mbeti sot e kësaj dite ministër në detyrë, pasi presidenti Ilir Meta, refuzoi ta dekretonte si ministër të Jashtëm për shkak të disa deklaratave të Cakajt që, sipas Metës, ishte pro idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Cakaj, 30-vjecar, vite më parë ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, si aktivist i saj. Kur ai nisi karrierën e tij politike duke mbajtur pozita të larta shtetërore në Shqipëri, pati disa përplasje me lëvizjen të cilës i takonte më parë. /Express/