Edicioni i parë i ‘Nisesos’ i dedikohet Rrugës B - Gazeta Express
string(46) "edicioni-i-pare-i-nisesos-i-dedikohet-rruges-b"

Arte

Gazeta Express

18/05/2023 15:21

Edicioni i parë i ‘Nisesos’ i dedikohet Rrugës B

Arte

Gazeta Express

18/05/2023 15:21

Edicioni i parë i Nisesos i dedikohet Rrugës B në Prishtinë, e cila edhe pse për nga gjallëria dhe madhësia e konkuron qendrën e qytetit, cilësohet periferike për nga distanca ndaj saj. Si vetë titulli rruga b është vetëm një rrugë, por në konceptimin e atyre që e jetojnë nuk është vetëm rruga me lokalet e zhurmshme, me jetën e natës, muzikën, makinat luksoze.

Për nga fama, rruga B është e gjithë zona bashkë me rrugët e tjera të brendshme apo ato që nisin prej saj. Për këtë arsye hulumtimi por edhe ekspozita shtrihet pothuaj në të gjithë lagjen Mati 1 duke përfshirë rrugën Muharrem Fejza me të cilën ndajnë të njëjtën pikënisje e duke vazhduar me rrugicat dytësore të brendashkruara.

Lexo Edhe:

Koncepte si qendër dhe periferi nuk janë absolute dhe shpërbëhen në varësi të kontekstit, të kushteve historike, demografike e urbanistike. Sipas rrëfimeve të të intervistuarve, aty ku dikur përfundonte qyteti, me livadhin dhe përroskën, lulediellit dhe snajperistat serbë, tashmë ngrihet një metropol i vogël me një dendësi marramendëse, ku fjalën e fundit e kanë bizneset private.

Duket se Rruga B nuk është vetëm ndarja fizike midis dy lagjeve, Bregut Të Diellit dhe Matit 1, por qëndron edhe si një shkëputje e rëndësishme kohore, ajo që ndan para luftën dhe pas luftën duke e cilësuar rrugën B si produkt krejtësisht të pasluftës. Edhe pse secila zonë ka probleme, është e pamundur të paktën vizualisht, të mos ngrihen paralele, lagjet qëndrojnë përballë, e aty ku njëra ka gjelbërim, parqe lojërash për fëmijë, hapësirë e shtigje për të shëtitur, tjetra ka banesa të larta, disa pemë të rralla e per të ardhur keq, makina pa fund dhe mungesë trotuaresh. Si rrjedhojë është e pashmangshme përballja me mungesën e hapësirës publike dhe mbizoterimin e asaj private. Shenjat, reklamat, shërbimet, emërtimet duke filluar nga rrethi i Vivës, banesat e Kawa-s, ato të Royallit, Alkogroup, Vivagreen, rrethi i Maxit 24 ore, ish Meridiani te kryqëzimi, furra Tanore, mishtore Shantiri te rruga B, fruta perime te rrethi, duke vazhduar me një pafundësi farmacish, marketesh të mëdha e të vogla, cerdhe e kopshte private, qëndrime ditore, frizerë, sallone bukurie, ordinancat private, mjekët, laboratorët, etj. sa vijnë e shumëfishohen në pasqyrën e kapitalizmit.

Dhe mund të thuhet – duke cituar Henry Lefebvre në the Right to the City – se “mendimi planifikues” i banesave të mëdha sociale është vënë fjalë për fjalë kundër qytetit dhe urbanistikes për t’i zhdukur ato.

I gjithë realiteti urban i perceptueshëm dhe i lexueshëm është zhdukur: rrugë, sheshe, monumente, vende takimi. Atëherë jeta e komunitetit, në pamundësi, zhvillohet pikërisht në hapësiren private, në kafenetë e shumta dhe ndoshta më të bukurat në qytet, në markete, në parukeri e kudo tjetër që konsumohet dicka. Natyrshëm edhe ekspozita mbi Rrugen B shtrihet në këto hapësira me anë të intervenimeve minimale.

Do të doja t’a quaja një ekspozitë të rastësishme, po aq sa i rastësishëm imagjinoj të jetë edhe vështrimi i veprave në mure ku syri nuk është i mësuar t’i gjejë. Në momente të ditës kur shkujdesur zgjedhim domatet ose blejmë bukën të furra poshtë shtëpisë. I rastësishëm do të jetë edhe zbulimi i artistëve të shpërndarë në një lloj harte biznesesh të shndërruara përkohësisht në galeri eksperimentale të artit që sfidojnë hapësirat e paracaktuara për të ekspozuar art, që e presin publikun me të njëjtin entuziazëm që i presin myshterinjtë sepse këtu, koincidon që të jenë i njëjti person.

Dhe së fundi rastësia është ajo që karakterizon edhe vetë planifikimin urban të kësaj lagjeje. Veprat e ekspozuara janë vepra të përzgjedhura ose të komisionuara posaçërisht për rrugën, do të jetë përgjatë hartës qe do të zbulohen pikturat në vaj të Rron Qenës, punë të cilat rikthejnë në kujtesë atë livadh që ishte rruga B e fëmijërisë së tij, me lojërat, shokët, ditët e pafundme të shpërfaqura me të gjithë intensitetin e penelatave. Në kontrast, fotografitë e Blerim Racaj janë një dokumentim i shndërrimit, ku subjektet përhumben në çastin e ngrirë fotografik brenda kaosit te xhunglës urbane që të gjithë e njohim. Puna e Fatlum Doçit mbetet më e abstraguar në një ide të përgjithshme të asaj çfarë kuptojmë me periferi, në një bashkëjetesë të destinuar në përleshje të pambarimta midis kohës dhe progresit, kujtimit dhe të resë së panjohur.

Këto vepra së bashku me kërkimet apo esetë e realizuara nga autorë, si Rozi Basha përsa i përket vështrimit arkitekturor, Era Qena dhe Shpat Shkodra me një mbledhje të gjerë rrëfimesh të banorëve të lagjes dhe Milot Hasimja si gazetar dhe njëkohesisht aktivist i lagjes, mundohen të ofrojnë, me anë të këndvështrimeve të disiplinave të ndryshme, një shije të mahallës, një kontribut në historinë e saj të shkurtër dhe shpesh herë të keqkuptuar.

/Express/