Edi Rama i hidhëruar keq me Haradinajn, reagon që e ftoi Haga pa ia përmendur emrin


Gazeta Express
20 Korrik 2019 13:47

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka thënë asnjë fjalë dje për dorëheqjen e homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinaj. Megjithatë, para pak çastesh, Rama ka shkruar për ftesat e Gjykatës Speciale në përgjithësi, pa e përmendur konkretisht Haradinajn.

Për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës reaguan presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha, ministri i diasporës, Pandeli Majko, kreu i opozitës, Lulzim Basha e ish-ministri i punëve të jashtme, Ditmir Bushati. Por jo edhe i pari i qeverisë shqiptare.

Edi Rama sot ka reaguar për ftesat e Speciales që iu bënë së fundmi Ramush Haradinajt, Jakup Krasniqit e Bislim Zyrapit. Për këto zhvillime, Rama thotë se janë sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për ta provuar deri në fund pafajësinë e tyre.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK-së janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Rama, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri i Shqipërisë kohët e fundit kishte një ftohje me Ramush Haradinajn pas deklaratave të këtij të fundit se Rama e kishte detyruar në Samitin e Berlinit që të ndryshonte mendim për taksën ndaj Serbisë.

Haradinaj në një intervistë për T7 gjatë samitit të Berlinit kishte thënë se Edi Rama dhe Hashim Thaçi i kishin bërë presion në sy të ndërkombëtarëve për ta hequr taksën, e nuk i kishin dalë në krah. Madje ai tha se vetë Rama e Thaçi i kishin bërë më shumë presion sesa vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

E Rama, në anën tjetër, e kishte akuzuar publikisht kryeministrin e Kosovës së ka gënjyer me deklaratat e tij.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vjet të Qeverisë së ndërtuar nga AAK-ja, PDK-ja, NISMA e AKR-ja.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart