“Edhe unë nuk votoj”, personazhet e njohur që iu bashkuan nismës së Bujar Kapexhiut


Gazeta Express
25 Qershor 2019 11:21

Emra të njohur të artit dhe medias i janë bashkuar nismës së mjeshtrit Bujar Kapexhiu, për të mos marrë pjesë në votimet e ditës së dielë.

Pas emrave të tillë si Fatos Lubonja, Flutura Açka, Neritan Liçaj, Besnik Mustafaj e Robert Budina, tashmë lëvizjes i bashkohen emra të tjerë.

Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj i janë bashkuar hashtagut #EdheUnë të shpërndarë në rrjetet sociale.

“Jo votime! Jo diktaturë! Votimet plumb për demokracinë! Më 30 qershor me duar të pastra, pa gishta të nxirë! Këtu jam- Më dënoni! Hape burgun Rama!”, shkruan Gjekmarkaj.

Kurse pedagogu dhe analisti Mark Marku shkruan: “Dënomëni dhe mua. Dënojeni të gjithë. Qytetarët në burg. Kriminelët jashtë”.

Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se e përkrah nismën.

“Nëse të jesh kundër kësaj klike që rri në pushtet pa zgjedhje e pa vota do të thotë burg, atëhere do ta bëj dhe atë burg! Kështu si po vjen puna burgu është bërë si ushtria, për t’u bërë është. Thirrja ime ka qenë dhe mbetet: jo zgjedhje me 30 qershor! Kush voton më datë 30, voton grushtin e shtetit dhe DIKTATURËN! Hajdeni në plazh më mirë!” shkruan ai.

Vetë Kapexhiu në punimin e tij të radhës në Mapo, sjell një ironi për dy ambasadorët e BE dhe OSBE në Tiranë.

Reagimi i plotë i Flutura Açkës

#Edheunë nuk do të votoj

Sepse refuzoj të bëhem dorëzanë e rikthimit të diktaturës,
sepse e refuzoj një regjim që i ndau, i përtalli, i vodhi shqiptarët,
sepse refuzoj një sekt mavi që luan me të kuqen e flamurit tonë kur e ndjen neverinë tonë ndaj bojës së tij,
sepse nuk ka burg që më mban më brenda para së drejtës sime,
sepse Lirinë nuk na e dhuroi asnjë regjim, klikë a loser, por e fituam vetë,
sepse ne, “stoku antik i Europës”, siç shkruante më 1914 Arthur Moore, ne europianët e substancës së saj, nuk ka forcë që na vë më gardhe e tela me gjemba,
sepse të votosh këtë regjim, voton fundin e Lirisë tënde.

Fotoja 1. Peshkopia sot, aty ku parrulla e dikurshme “Shqipëria shkëmb graniti” që salduan etërit e bijve një kat më poshtë, është ronitur dhe është kthyer në glasore për korbat. Në xhiron e qytetit nuk duken pari as ish-kryetari brekegrisuri, as kryetari ndergrisuri nga përgjimet e fundit e vjedhjes së votave, akt që turpëroi Dibrën dhe dibranët.
Fotoja 2: Burgu famekeq i Burrelit

Reagimi i Markut:

“Denomeni dhe mua. Denojeni te gjithe. Qytetaret ne burg. Kriminelet jashte. Mark Marku”

Te fundit


Kthehu lart