Edhe pas tri disfatave në katër ndeshje, Solskjaer është i kënaqur me skuadrën e tij


Gazeta Express
3 Prill 2019 8:28

Manchester Unitedi i ka humbur tri nga katër ndeshjet e fundit, mirëpo trajneri i tyre u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në disfatën 2:1 ndaj Wolvesit.

Ole Gunnar Solskjaer e lavdëroi paraqitjen e Manchester Unitedit në disfatën me rezultat 2:1 ndaj Wolves. Kjo disfatë ua ul “Djajve të kuq” shpresat për kualifikim në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Goli i shënuar nga Scott McTominay e kaloi Manchester Unitedin në epërsi në Molineux, ku fitorja do ta kishte dërguar klubin e tij në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës, duke e kaluar Arsenalin dhe Tottenhamin.

Por, Diogo Jota e barazoi rezultatin pasi Fredi e humbi topin në një fazë të rrezikshme. Më vonë, kapiteni i Manchester Unitedit, Ashley Young, u ndëshkua me karton të kuq për shkak të ndërhyrjeve të parregullta.

Manchester Unitedi u duk fillimisht se ishte në kontroll të ndeshjes edhe pse po luante me një lojtar më pak në fushë, mirëpo një harkim i Joao Moutinho bëri që Chris Smalling të shënojë autogol.

Ecuria prej tri disfatash në katër ndeshje të të gjitha garave ka bërë që Manchester Unitedi të pësojë në një fazë tejet të rëndësishme të sezonit, mirëpo Solskjaer ishte prapëseprapë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.

“Ishte njëra prej atyre ditëve kur ne bëmë mjaftueshëm për t’i shënuar dy apo tri gola. Kishim raste të mrekullueshme dhe pati pritje fantastike nga portieri. Natyrisht që ata meritojnë lëvdata, ata shënuan dhe i shfrytëzuan gabimet tona”, ka thënë Solskjaer.

“Mendoj se djelmoshat luajtën mirë, krijuan raste edhe me dhjetë lojtarë në fushë. Ata shënuan nga rasti i tyre i parë brenda 25 minutave pas kartonit të kuq. Djelmoshat bënë gjithçka që patën mundësi, por ne pranuam gola prej gabimeve tona të shkujdesura”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart