Edhe Mogerini është optimiste për marrjen e datës për negociata


Gazeta Express
17 Qershor 2019 10:27

Federika Mogerini sot në mëngjes nga Luksemburgu e uroi përvjetorin e Marrëveshjes së Prespës dhe i bëri thirrje  vendeve anëtare të marrin një vendim pozitiv për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

“Sot u mbush një vit që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, dhe mendoj se duhet të kujtojmë fuqinë e guximit dhe lidershipin, si dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në Ballkan. Shpresoj që shtetet anëtare t’i kujtojnë dhe t’i njohin këto hapa, veçanërisht në ditët në vijim kur duhet marrë vendim i rëndësishëm në hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vendim që duhet bërë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogerini, para fillimit të Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme në Luksemburg të cilin e kryeson.

Mogerini do të fillojë takimin e sotëm me disa fjalë lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe do të dërgojë mesazhe të ngjashme tek ministrat e vendeve anëtare të BE-së këtë mëngjes.

Të njëjtët ministra nesër do të mbajnë mbledhjen e “Çështjeve të Përgjithshme” në Luksemburg dhe në rend dite do të jetë hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart