Edhe me Mitsotakisin, Marrëveshja e Prespës është e sigurt


Gazeta Express
10 Korrik 2019 10:49

Partia opozitare e qendrës së djathtë Demokracia e Re, e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis, ka dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi.

Menjëherë pas rezultatit, kryeministri ende në detyrë Aleksis Cipras, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme dhe e ka telefonuar kundërshtarin e tij për t’i uruar fitoren.

Kryeministri i zgjedhur, Mitsotakis, tha se ardhja e tij në krye të shtetit është një mandat për ndryshim.

“Vendi ynë me krenari ngre kokën përsëri dhe se unë do të jemi kryeministër për të gjithë, sepse grekët janë shumë pak për të qëndruar të ndarë”, tha ai në daljen e parë publike pas fitores, shkruan gazeta KOHA.

Ndërsa, pas bërjes publike të rezultateve, kryeministri i deritanishëm, Aleksis Cipras, përmendi vendimet e vështira që është dashur të marrë në kohën sa ka qenë në pushtet.

“Me kokën lartë, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot, ne duhej të merrnim vendime të vështira me një kosto të rëndë politike”, ka theksuar Cipras para gazetarëve.

Ndërkohë, që në muajin shkurt, lideri i Demokracisë së Re, ka deklaruar se do të bllokojë integrimin evropian të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, nëse merr pushtetin në Greqi.

Analistët dhe njohësit e çështjeve politike, duke folur për ndryshimet politike në Greqi thonë se fitorja e Mitsotakisit nuk do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në Maqedoninë e Veriut, pasi vetë Greqia ka qenë e interesuar që ta heqë qafe problemin e emrit.

Sipas tyre, në planë afatgjatë dhe strategjik, Marrëveshja në mes dy shteteve ka favorizuar Greqinë duke e vendosur në qendër të tregtisë rajonale dhe duke e forcuar pozicionin tek amerikanët.

“Fitorja e Mitsotakisit do të ketë reflektime për konsum të brendshëm se sa në raportet ndër fqinjësore. Megjithatë, nuk duhet harruar se Greqia gjendet në një fazë delikate ekonomike dhe e vetmja rrugë mbetet forcimi ekonomik nëpërmes diplomacisë ekonomike. Populizmi në Greqi mund të jetë sezonal dhe pa efekte rajonale”, deklaroi Selim Ibraimi, analist.

Te fundit


Kthehu lart