Edhe ju do të përfundoni në burg


Gazeta Express
21 Mars 2019 11:14

Vendimi i Gjykatës së Hagës (20.03.2019) për ta dënuar me burg të përjetshëm Radovan Karaxhiçin është një lajm i mirë për të drejtën ndërkombëtare

Rüdiger Rossig; DW

Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që kërkojnë që gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në mbarë botën të përndiqen dhe që fajtorët e tyre të vihen para drejtësisë: Radovan Karaxhiçi, koka e nacionalistëve serbë në Luftën e Bosnjë-Hercegovinës nga viti 1992 deri në vitin 1995, do ta kalojë në burg këtë pjesë të jetës që i ka mbetur. Këtë e vendosi  të mërkurën (20.03.2019) në një vendim apeli Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës së ish-Jugosllavi-së.

Dënimi me burgim të përjetshëm për Radovan Karaxhiçin është një dëmshpërblim shpirtëror për të afërmit e viktimave të “spastrimit etnik” të kryer nga nacionalistët serbë në disa pjesë të Bosnjës; por ai është edhe një sinjal për nacionalistët ende të pushtetshëm në Republika Srpska dhe një lajm i mirë për kritikët ndaj Gjykatës së Hagës në shtetet e tjera pasuese të ish-Jugosllavisë, të cilët nuk e shohin Gjykatën e OKB-së si një shembull të së drejtës ndërkombëtare, por si drejtësinë e fitimtarit.

Përveç kësaj, ky vendim i Hagës për Karaxhiçin është edhe një mesazh në drejtim të shteteve si SHBA, Rusia ose Kina që refuzojnë t’i dërgojnë shtetasit e tyre në gjykata ndërkombëtare dhe që do të parapëlqenin ta shfuqizonin të drejtën ndërkombëtare.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Hagës u ka treguar këtyre se me gjithë vështirësitë e mëdha, ajo është e aftë të gjykojë e të ushtrojë pushtetin gjyqësor. Pikërisht me këtë vendim Gjykata e Krimeve të Lutës së ish-Jugosllavi vendos një shenjë të rëndësishme:

Ai u dërgon një mesazh të gjithë politikanëve dhe ushtarakëve në këtë planet që besojnë se në luftë nuk vlejnë normat dhe ligjet. Ai u thotë: Ju duhet të llogarisni edhe në të ardhmen me drejtësinë penale ndërkombëtare, në dorë të së cilës do të bini herët a vonë. Ajo do t’ju ulë në bankën e të akuzuarve në një gjykatë të njohur ndërkombëtare dhe do t’ju dënojë sipas së drejtës ndërkombëtare të vlefshme dhe do të përfundoni aty ku tani do të kalojë këtë pjesë të jetës së tij edhe Radovan Karaxhiçi: në burg.

/https://www.dw.com/sq/koment-edhe-ju-do-t%C3%AB-p%C3%ABrfundoni-n%C3%AB-burg/a-48003695

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart