Edhe dardanët e Austrisë në mbështetje të Kosovës në Plzen


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 17:17

Kombëtares së Kosovës mund t’i mungojë gjithçka përveç përkrahjes së zjarrtë dhe kudo të tifozëve të saj dardanë.

Tifozë dardanë nga Kosova dhe vende të tjera evropiane kanë udhëtuar drejt Plzen për t’i mbështetur nga afër djelmoshat verdhekaltër në ndeshjen e tyre vendimtare kundër Republikës së Çekisë në fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Në mesin e tyre edhe të tillë nga kryeqyteti i Austrisë, Vjena. Një grup prej mbi 30 tifozëve të Kosovës, që jetojnë në Austri, kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar drejt Plzen.

Fatkeqësisht, shumë prej tifozëve shqiptarë nuk do të kenë mundësi të futen në stadiumin Doosan Arena për ta mbështetur nga afër Kombëtaren, për shkak se Federata e Futbollit e Çekisë ndau vetëm rreth 600 bileta për Kosovën.

Kjo federatë, po ashtu, vendosi t’ju shesë bileta vetëm personave që mbajnë pasaportë apo letërnjoftim çek, duke ua shuar ëndrrën shumë shqiptarëve në Diasporë për të blerë biletë si tifozë neutral.

Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar ata të udhëtojnë drejt Plzen për ta mbështetur Kombëtaren e tyre në qytetin ku po qëndrojnë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart