E turpshme, dyshohet se një zjarrfikës vodhi telefonat e njërit prej viktimave të aksidentit në Rahovec


Liridonë Çeta
13 Gusht 2019 17:28

Të premten e 26 korrikut, në fshatin Bërnjak të Rahovecit ka ndodhur një aksident trafiku ku si pasojë e tij dy persona kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar. E duket se këtë tragjedi dikush e ka shfrytëzuar për të vjedhur. Dyshohet se zjarrfikësi me inicialet N. K.,  i cili kishte shkuar për të intervenuar në vendin ku ndodhi aksidenti, ka marrë nga aty dy telefona të njërit prej të aksidentuarve, shkruan Gazeta Express

Një dëshmitar në kushte anonimiteti ka treguar për Gazetën Express se si ka ndodhur e tërë ngjarja pas aksidentit me fatalitet në Bërnjak.

“Rasti i vjedhjes ka ndodhë ditën e aksidentit, telefonat janë gjetur nga disa zjarrfikës tjerë. Ai (zjarrfikësi i dyshuar për vjedhjen) i  ka lënë telefonat në kamionin me të cilin ka qenë në vendin e ngjarjes. Ai në ora 20:00 e ka përfunduar orarin dhe ka shkuar në shtëpi, por është kthyer në punë pas orës 21:30 dhe ka thënë se ka ardhur që t’i marrë rrobat për t’i pastruar. Ai është kthyer me qëllimin që t’i marrë telefonat, por nuk ka mundur se i njëjti kamion me të cilin ai ka qenë në vendin ku ka ndodhur aksidenti, ka dalë në një intervenim tjetër. Rreth orës 23:15 ka bërë alarmi i njërit prej telefonave. Zjarrfikësit tjerë i kanë gjetur telefonat, në njërin prej tyre e kanë parë fotografinë e njërit prej viktimave. Rasti është lajmëruar tek drejtori i zjarrfikësve dhe ai të hënën e ka lajmëruar rastin në polici”, ka thënë dëshmitari për Express.


Express ka kontaktuar edhe policinë e Gjakovës, të cilët kanë konfirmuar se rasti është lajmëruar në polici dhe se kanë filluar hetimet ndaj të dyshuarit. 

“Jam në dijeni për këtë rast, më kanë lajmëruar të hënën nga stacioni policor në Rahovec, dy ditë pas aksidentit. Është identifikuar i dyshuari dhe është iniciuar kallëzim penal ndaj tij”, ka thënë Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta.

Graishta ka bërë të ditur se telefonat kanë qenë në stacionin policor në Rahovces dhe tashmë u janë kthyer familjarëve të viktimave.

Graishta ka treguar se lidhur me këtë rast është lajmëruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ndërkaq Latifi ka thënë për Express se si kryetar i komunës pret që të zbardhet e vërteta rreth këtij rasti dhe të zbatohet ligji. 

“Jam në dijeni si kryetar, realisht zjarrfikësit ani pse veprojnë në komunën tonë, janë punëtor ose zyrtar të Agjencisë për Menaxhim Emergjent. Nëse mund të merren masa, AME’ja është kompetente për të marrë veprime administrative ndaj një punonjësi të saj. Por, në qoftë se e vërteta del ashtu, realisht kjo është një shkelje e rëndë dhe e papranueshme, ndaj këtyre personave do duhej të ndërmerreshin masa ligjore”, ka thënë Latifi.

Latifi ka theksuar se ka pasur një takim me drejtorin e zjarrfikësve të AME’së dhe drejtorin për mbrojtje dhe shpëtim me të cilët e ka biseduar edhe këtë rast. Ai shton se kjo çështje duhet të definohet nga policia dhe AME’ja.

Ndërkaq telefonat të cilët dyshohet se N.K. i ka vjedhur, kanë qenë të 32-vjeçarit Samir Lama i cili sot ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në aksidentin e 26 korrikut/GazetaExpress

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart