E pabesueshme, por e vërtetë


Gazeta Express
22 Korrik 2019 11:59

Përkundër premtimeve të autoriteteve të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, të cilët u dakorduan me ndërkombëtarët se do ta bëjnë urgjentisht një zgjidhje të përhershme, ish punëtorët e RTP-së ngelën jashtë RTK-së

Agim Kasapolli

15 vjet të përjashtimit tim të dhunshëm nga RTK-ja, që ishte një kurdisje nga uzurpuesit e shtetit, të cilët edhe sot e sundojnë dhe e kontrollojnë edhe RTK-në, mediumin publik, që e kanë shndërruar në paçavure! Falë ujdive të gjyqësisë së kapur, në krye me kryeprokurorin e atëhershëm Hilmi Zhitija, i njohur për opinionin si njeri i zullumit, i cili gjatë komunizmit me funksion së pari xhandar popullor i ish-Jugosllavisë, më vonë kryeprokuror, e tani avokat (mjerë ai klient që kërkon mbrojtje të drejtësisë prej këtij satrapi i cili i solli vuajtje dhe fatkeqësi të mëdha popullit me aktakuza të montuara dhe të dirigjuara kundër pjesëtarëve të popullit liridashës shqiptar gjatë sistemit monist në ish Jugosllavi), ishte pra ky kryeprokurori politik i regjimit komunist të cilin mirë e njohin të gjithë ata që vuajtën në kazamatet e ish Jugosllavisë falë veprave të montuara nga ky satrap.

“Për çudi” edhe pas lufte në Kosovën e lirë e zaptoi këtë detyrë, duke vazhduar me avazin e vjetër, por tash duke u shërbyer “shefave të rinj” në Kosovën e lirë.

Gjatë okupimit të regjimit të Millosheviqit në periudhën 10 vjeçare isha kryetar i sindikatës së RTP-së në kuadër të BSPK-së.

Pas luftës, sipas vendimit të këshillit inicius për hapjen e RTK-së, u propozova të jem anëtar i grupit koordinues se bashku me Martin Qunin, i cili i takonte krahut të luftës dhe në bashkëpunim me stafin ndërkombëtar i caktuar nga OSEB-ja, u konsolidua kuadri për të startuar puna në RTK-së.

Drejtor gjeneral u emërua Erik Leman, ekspert i shquar i televizionit zviceran në kantonin francez. Ky person ka merita te jashtëzakonshme për punën profesionale dhe ndihmat e mëdha materiale dhe profesionale që ia siguroj RTK-së përmes donacioneve ndërkombëtare gjatë periudhës trevjeçare sa ishte në krye të këtij mediumi.

Në bashkëpunim me trupin koordinues kosovar, kërkonte që kuadri më profesional i RTP-së të kthehen në vendet e tyre të punës, gjë që edhe ndodhi. Mirëpo Z. Leman dhe stafi i tij ndërkombëtar qartë na informuan se RTK-së kur ma nuk do ta ketë numrin e të punësuarve si në kohen e RTP-së.

Ky projekt i mbikëqyrur dhe i financuar nga ndërkombëtarët ishte i paraparë t’i ketë 320 të punësuar në të gjitha segmentet e RTK-së, duke përfshirë edhe administratën. Kështu edhe ndodhi përkundër reagimeve të arsyeshme dhe të drejta të punëtorëve që ngelen jashtë. Lidhur me këtë ndërkombëtarët kërkonin që sa më shpejt qeveria e përkohshme t’i punësojnë të njëjtit në vende të reja të punës jashtë RTK- së dhe të bëjnë zgjidhjen e përhershme lidhur me punësimin e tyre. Sepse RTP- së para lufte i kishte të punësuar 1211veta.

Përkundër premtimeve të autoriteteve të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, të cilët u dakorduan me ndërkombëtarët se do ta bëjnë urgjentisht një zgjidhje të përhershme, ata punëtorë ngelën jashtë RTK-së. Ata jo vetëm që nuk i përmbushen premtimet e dhëna, duke e zhargitur këtë problem, por ne momentin kur ndërkombëtarët ua dorëzuan kompetencat e këtij mediumi stafit vendor, në skenë u paraqiten Hajredin Kuqi dhe Hilmi Reqica, në bashkëpunim me drejtorët kukull, me urdhra të ShIK-ut, i përjashtuan të gjithë ata që punonin në RTK e që nuk pranuan të jenë hyzmeqarët të tyre.

Pas këtij “suksesi” të protagonistëve të “spastrimit të terrenit”, Hajredin Kuçi, së bashku me komandant Petritin, Hilmi Reqicen, e filluan betejën e dytë në këtë medium, tani detyra e tyre ishte që RTK-në ta popullojnë me militantë të PDK-së.

Dhe me familjarë e akraba si dhe me njerëz të dëgjueshëm, dhe sot ky medium i numëron rreth 1200 veta. Ja vetëm disa emra të uzurpuesve të pushtetit, të cilët i punësuan të afërmit e vet aty: dy kunatat e Hashim Thaçit, motra e Kamishit, gruaja e Shaip Mujes, vëllai i gruas së Bekim Qollakut, motra e Vlora Çitakut, motra e Fatmir Limajt, vajza e Xhevahire Izmakut, mbesa e Azem Syles, miku i Abelard Tahirit, etj.

Edhe ata që ishin në bashkëqeverisje me PDK-në, pra ata të LDK-së janë më bollëk në këtë medium. Mirëpo mbulojnë vende të punës që nuk kanë absolutisht qasje në politiken programore! Gjithë këta numërojnë 1180 veta, ku shumica u takojnë lidhjeve fisnore partiake, e disa janë të punësuar falë “meritave” të tjera.

Të gjithë këta financohen nga buxheti i Kosovës me të ardhura mbi mesataren e të gjitha mediave të tjera! Ky dinozaur me këta “ekspertë” janë bërë ndotësitë më të mëdhenj të mesit intelektual, shoqëror dhe profesional në Kosovën e kontrolluar.

E tash një lajm i pabesueshëm, por i vërtetë.

Para disa ditësh, nga Gjykata Themelore në Prishtinë më arriti një haber zyrtar me shenjen E457/06 e emërtuar si “Ankesë” dhe e kuptova se bëhet fjalë për ankesën e RTK-së kundër një aktvendimi të kësaj gjykate të vitit 2006. Pra, fjala ishte për një procedurë të vjetër 15 vjeçare, kur në mënyrë të paligjshme isha dëbuar nga puna si redaktor i sportit në televizioni publik.

U befasova me faktin se rasti edhe pas 10 vjetëve kur ky proces kishte përfunduar në mënyrën më të turpshme dhe ma poshtëruese.

Pse të turpshme dhe poshtëruese?!

Sepse në vitin 2005, me aktgjykimet e plot fuqishme të Gjykatës komunale në Prishtinë dhe asaj të Qarkut, si shkallë e dytë ishte vërtetuar se largimi im nga puna në RTK-së ishte i paligjshëm dhe ishte urdhëruar e paditura që të më kthejë në vendin e mëparshëm të punës.

Duke u bazuar në këto akte të plotfuqishme juridike kisha kërkua ekzekutimin, përmbarimin e këtyre aktgjykimeve përmes gjykatës kompetente si dhe kompensimin e të ardhurave për kohen sa isha dëbuar nga bandat që vepronin në këtë medie.

E gjithë kjo histori ndodhi në vitin 2006 dhe si i tillë, për mua kishte përfunduar.

Mirëpo në praktikë nuk ndodhi kështu, gjyqësia dhe e drejta u poshtërua prej atyre që të paret ishte dashur ta zbatojnë dhe ta mbrojnë.

Në mejdan u paraqit hiq ma pak se kryeprokurori i shtetit, ish xhandari i regjimit monist Hilmi Zhitija, i cili  për një kontest pune, i cili ishte i përfunduar nga dy instancat gjyqësore në favor timin, ai personalisht me një kërkesë që ishte presedan për praktiken gjyqësore, meqë bëhej fjalë për kontest nga marrëdhënia e punës (ku në asnjë rast nuk është bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë), kryeprokurori i shtetit   anulon aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatës së parë dhe të dytë, duke refuzuar kërkesën time për kthim ne punë.

Me këtë veprim ai e kreu detyrën e bandave që e dirigjonte Agim Zatriqi, ndërsa ish xhandari dhe ish prokurori Hilmi Zhitija dëshmoi edhe një herë se ujku qimen e ndërron por hujin kurrsesi dhe proklamoj se shtet jam unë që i kryej detyrat e atyre që  Kosovën e konsiderojnë plaçkë të veten.

Ajo që më shtyri ta shkruaj këtë tregim të ithtë është se lugatët  edhe pas gati 18 vjetëve e kanë ende kontrollin mbi këtë medium.  Me ankesën e vitit 2019 prapë po e potencojnë tani pas 15 vitesh kërkojnë nga gjykata unë t’i kthej 2985,81 euro për pagat e realizuara për kohen sa kisha punuar ne RTK-së, pas vendimit të plotfuqishëm dhe kthimit ne punë.

Më habit analfabetizmi i debitorit të RTK-së, i cili pas 15 vitesh  me urdhër të sponsorëve kërkon argat të ri si ish xhandarin dhe kryeprokurorin, i cili tani po punon si avokat i pensionuar. Të shohim si do të përfundojë kjo dramë tragjikomike, ndërsa  zyrtarja ligjore e RTK-së, që kishte nënshkruar këtë ankesë, sipas mbiemrit e katapultuar në këtë vend pune, me direktivat e ShIK-ut, ndoshta në 15 vitet e ardhshme sa mendoj që do të zgjatë odisejada, do të mësojë diç nga profesioni i juristes.

Te fundit


Kthehu lart