“E kam qëlluar me guri, s’e kam ditur që e kam vra”, si e pranoi Sefedin Osmani vrasjen e 9-vjeçarit


Gentiana Hasani
17 Korrik 2019 18:59

K. Veseli, 9 vjeçar, mundim pas mundimi, dhunim pas dhunimi, braktisje pas braktisjeje, përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme, i rrahur deri në vdekje. I dyshuari për vrasjen e tij, Sefedin Osmani,  i cili si duket e ka dhunuar seksualisht në vazhdimësi të riun e komunitetit rom, e ka pranuar para hetuesisë se e ka kryer krimin. Tani që të gjitha kanë filluar ta dalin në shesh, po zbulohet se edhe reagimi i institucioneve për mbrojtjen e të riut nuk ishte i duhur.

Gentiana HASANI

Dhunimin e parë seksual, fizik e psikologjik, tashmë i ndjeri K.Veseli, e përjetoi në moshën 8-vjeçare. Ai bashkë me nënën e tij, Makfiren, vëllezërit e motrat, po kërkonin gjësende nëpër kontejnerë në lagje të ndryshme të Fushë Kosovës.

Pikërisht derisa ishte “në vendin e tij të punës”, duke  kontrolluar nëpër bërllok për të siguruar pak para,  K.Veseli po ngacmohej nga një djalë 10 vjet më i madh se ai, nga 19 vjeçari me emrin Sefedin Osmani.

I ndjeri K.VESELI

Rastin, K.Veseli bashkë me nënën e tij, e kishte raportuar në policinë e Kosovës, në janarin e këtij viti. Por, Sefedini, që tani është i dyshuari kryesor për vrasjen e djalit të mitur të komunitetit rom, edhe pse po përballej me akuza për abuzim seksual, po vazhdonte të qëndronte në liri.

Policia e Kosovës në marsin e këtij viti, ishte mjaftuar vetëm me një kallëzim penal ndaj personit të dyshuar për kryerjen e këtij akti.

Kështu janë deklaruar vetë nga policia e Kosovës për Gazetën Express.

Me datën 29 janar 2019, kemi pranuar informatën për një rast të keqtrajtimit seksual. Informata është trajtuar nga ana e policisë, me pas është iniciuar rast. Më datë 15 prill është ngritur kallëzim penal ndaj personit të dyshuar dhe i njëjti rast është proceduar ne prokurori”, kanë deklaruar për gazetën nga policia.

Qendra për Punë Sociale: Në muajin mars, K.Veseli na tregoi se u dhunua seksualisht

Për më shumë se gjashtë muaj, K.Veseli po torturohej fizikisht e psiqikisht nga fqinji i tij, Sefedini. Përgjatë kësaj periudhe ai ishte dhunuar seksualisht dy herë.

Por, rasti i dhunimit të parë i bërë gjatë fillim-vitit 2019 ndaj 9-vjeçarit nga i dyshuari Sefedin Osmani nuk kishte qenë i vetmi. Ai ishte dhunuar edhe një herë tjetër nga Sefedini. Këtë herë pas disa muajve, pra gjatë vitit 2019.

E edhe gjatë kësaj radhe, nëna e tij, Makfirja bashkë me të birin ishin ankuar pranë institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar ndihmë. 

Në shkurtin e vitit 2019, K.Veseli bashkë me të ëmën, Makfiren kishin folur me menaxherin e Qendrës Sociale në Fushë Kosovë, Bahri Bislimin, të cilit ia kishin treguar hallin e tyre.

Nëna Makfirja

Gazeta Express, sot gjatë gjithë ditës ka qëndruar në këtë qendër ku ka biseduar me menaxherët rreth trajtimit të këtij rasti.

Personi nga Qendra Sociale, Bahri Bislimi,  që është  marrë me familjen e të ndjerit K.Veselit, ka deklaruar se informatën për abuzimin seksual që 9-vjeçari po e përjetonte e kishin marrë gjatë vitit 2019.

“Më datë 31.01.2018, ne jemi njoftuar nga policia se dyshohet që një person e ka keqtrajtua fëmiun. Ne kemi shku me polici e kemi vizituar atë (K.Veselin). Ai ka hezituar që të tregojë mbi rastin”, ka sqaruar menaxheri i rastit.

Por, K.Veseli, në atë kohë nuk e kishte pranuar para punonjësve të Qendrës se ishte dhunuar. Pas 3 muajve, ai i ishte rrëfyer psikologes së Qendrës duke ia shpjeguar të gjithë rastin.

“Më datë 13.03.2019, ne e kemi ftu psikologun këtu në Qendrën për Punë. Fëmija nuk ka dashur që të ndahet nga nëna, por gjatë seancës psikologjike, ai ka pranuar se është keqtrajtuar seksualisht nga personi i dyshuar”, ka deklaruar Bislimi nga Qendra për Punë Sociale.

Hetuesia mjaftohet me një kallëzim penal, i dyshuari gjendej në liri

Por me gjithë këto raportime të nënës së viktimës por edhe vet tashmë të ndjerit, Prokuroria  e shtetit, rastin e kishte lënë në procedurë të rregullt. Kapjen e të dyshuarit për këtë rast e kishte bërë pas disa muajve, anise ai lirshëm po shetitej rrugëve të Fushë Kosovës. Pra, Sefedi u arrestua mbëmë (16 korrik), pas më shumë se gjashtë muajve nga raportimi i rastit.

Përgjatë janarit e deri në korrik kur edhe viktima vdiq, institucionet nuk janë marrë me sigurinë dhe mirëqenien e tij.

Avokati i 19-vjeçarit të dyshuar për vrasje: Klienti im e pranoi veprën

Express ka kontaktuar edhe me palën mbrojtëse, Fitim Malokaj, i cili është avokat i të dyshuarit për vrasjen e 9-vjeçarit, K.Veseli

Ai tha për Express se gjatë intervistimit nga hetuesit, klienti i tij ka pranuar se ka pasur kontakt me viktimën, K.Veselin, dhe se e ka goditur atë me mjete të forta, por që, sipas tij, ai nuk ka besuar se viktima ka vdekur.

Mbrëmë sipas detyrës zyrtare më kanë thirrë policia dhe kam shku në stacionin policor, departamenti për krime të rënda. Personi në fjalë është intervistu në cilësinë e të dyshuarit. Kallëzimin penal policia e ka dërguar në prokurori. Prokuroria ende nuk e ka dërgua kërkesën për caktimin e paraburgimit. Gjatë intervistimit të të dyshuarit, ai e ka pranu veprën të cilën dyshohet se ka kryer. E kam goditë me guri, por nuk e kam ditë që e kamë vra”, ka deklaruar avokati i të dashurit për vrasje.

Shtëpia ku ka jetuar tashmë i ndjeri

Ndryshe, gjatë tërë ditës Express ka kërkuar përgjigje nga prokuroria e Shtetit për masat që ka ndërmarrë për këtë rast prej fillim vitit, por që nuk i janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Por kush është familja e K.Veselit i cili u vra në mënyrë makabre

K.Veseli u lind në vitin 2010 në Prishtinë nga prindërit, Makfire Bajrami si dhe babai Brahim Veseli, i cili ka vdekur para katër vitesh. Familja pesë anëtaresh e  9-vjeçarit të ndjerë për vite të tëra kishte jetuar me asistencë sociale, deri në vitin 2018.

Në atë vit, ndihmesa për këtë familje ishte bërë 375 euro. Kjo ngase Muhameti, vëllai i K.Veselit të ndjerë është me aftësi të kufizuara.

Makfirja (nëna e 9-vjeçarit të ndjerë), bashkë me tre fëmijët jetim pas vdekjes së burrit, ishte martuar me një person tjetër. Me të, ajo ka edhe një djalë.

Vendi ku u gjet i vdekur K.Veseli

Gjatë jetesës me këtë burrë, Makifrja është keqtrajtuar disa herë nga ai.

Madje gjatë muajit shkurt Qendra për Punë Sociale e kishte dërguar në një strehimore në Prishtinë bashkë me fëmijët e saj. Mirëpo, aty, ata kishin qëndruar vetëm një natë duke u kthyer sërish në shtëpinë e burrit të saj. Aty ku jetojnë edhe sot, por pa K.Veselin.

Nga  Qendra për punë Sociale i thanë Expressit se i kishte rekomanduar Makfires që mos të dalë për të kërkuar lëmoshë më me fëmijët, mirëpo, ajo kishte vazhduar që të dilte.

Kujtojmë se nga Qendra për Punë Sociale i thanë Gazetës se raportimin e parë për ngacmim seksual nga K.Veselit e kishin marrë nga policia me datë 31 dhjetor të vitit 2018. Ndërkohë, në mars i ndjeri ia kishte pranuar psikologes së Qëndres se po dhunohej nga Sefedini.

Por, Gazeta Express në vazhdimësi ka raportuar  se viktima K.Veseli ka qenë i moshës 11-vjecare. Raportime këto të cilat janë bazuar në të dhënat që nëna e viktimës i ka ofruar. Mirëpo, në ekstraktin e lindjes së viktimës, K.Veseli, figuron se u lind në vitin 2010. Pra i bie t’i ketë pasur vetëm 9 vjet në momentin kur ka vdekur./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart