Dy vjet qeverisje të Ramush Haradinajt – Si do ta mbajmë mend?


Arjeta Shabani
2 Gusht 2019 12:19

Ramush Haradinaj e kishte kërkuar gjatë shansin për t’u treguar në qeverisje pasi në vitin 2005 Tribunali i Hagës ia kishte ndërprerë hovin që ai pretendonte se e kishte sjellë si kryeministër. Mundësia e re iu ofrua te më 2017, por Haradinaj në shumë raste e shpërdori besimin.  Që nga dyfishimi i pagës, ushtria e zëvendësministrave, ofendimet direkte ndaj prokurorëve, gazetarëve e institucioneve, arsyetimet qesharake e kërcënuese pas vendimeve skandaloze, do të mbesin në mendjen e qytetarëve. Po ashtu, nuk do të harrohen as vrapimet befasuese, këndimet në raste të ndryshme sikurse edhe lotët pas dorëheqjes.

Gazeta Express

Skandalet e tij filluan që nga muaji i parë kur shkeli në Zyrën e Kryeministrit. I ardhur nga opozita ku kishte mbetur për një kohë të gjatë, Haradinaj zotohej se do t’ia kthente qeverisjen e mirë vendit, por gjatë 2 vjetëve sa i ra ta drejtojë ekzekutivin me PDK-në e Nismën, Haradinaj ka shokuar shpesh me vendimet.

E kur është kritikuar për to, ka ditur të ofendojë.

Skandali kryesor që i faturohet Haradinajt dhe partnerëve, është “ushtria e zëvendësministrave” që emëroheshin për çdo ditë të lume. 

Edhe pse Kosova është një prej vendeve më të vogla, qeveria që ai udhëhoqi kishte mbi 100 të emëruar si zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra. Vetë Haradinaj kishte të emëruar gjithsej 33 këshilltarë.

Haradinaj ishte kritikuar ashpër kur edhe kishte rritur pagën e tij dhe të këshilltarëve. Madje ishte organizuar edhe një protestë ku ishin dërguar kravata te kangjellat e Qeverisë pasi një nga arsyetimet e Haradinajt për rritjen e pagës ishte edhe blerja e kravatave.

I njohur për dëshirën e tij për t’u marrë me sporte rekreative dhe kondicionin e shkëlqyer, Haradinaj do të mbahet në mend edhe për vrapimet e tij të papritura kur ishte me vonesë e për ofendimet ndaj zyrtarëve të shtetit.

Një nga momentet aspak të lavdishme të Haradinajt si kryeministër ishte shpërthimi ndaj prokurorit Elez Blakaj, i ngarkuar për t’i hetuar fryrjet e listave të veteranëve.

Haradinaj e kishte quajtur “hajn të pulave dhe pishpirik” prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj, që ishte larguar në Amerikë pasi kishte dorëzuar aktakuzën.

“Çdokush po flet çka po do. Nuk është ashtu. Veteranit të vërtetë s’ia humbë vlerën askush. As edhe një profiter aty. Ligji le ta çojë në burg. Por të themi se në Dukagjin ka pasë shumë, atëherë ku ke qenë ti që po i ofendon këta njerëz? Hajn i pulave! Hajn i pulave është ai që flet kështu!”, kishte thënë Haradinaj.

Duke tentuar ta poshtërojë më shumë prokurorin Blakaj, ai kishte ofenduar të gjithë ata që gjatë luftës kishin qëndruar në Bllacë e Stankovec. Kishte thënë se atyre nuk iu takon të flasin se kush ka qenë në luftë, meqenëse nuk i kishin kapur armët.  

“Njerëzve prej Bllacës e Stankovecit nuk iu takon të flasin kush ka qenë në luftë në Dukagjin. Qysh po e di ai kush ka qenë në luftë? Unë tregoj se nuk e kam lëshuar kurrë luftën. Në Dukagjin i madh e i vogël, në qindra vendbanime, kanë qenë në luftë, nga njëqind njerëz të armatosur. E kanë fituar të drejtën me ligj. Është dashur të mendohej me kohë se a do t’i dalim zot të drejtës së tyre, por jo të çohet një i tillë të ofendojë kontributin e tyre”, kishte thënë Haradinaj.

E përderisa këto deklarata për të tjerët i kishte thënë me shumë lehtësi, krejtësisht ndryshe kishte reaguar kur dikush e kishte ofenduar atë.

Më 12 korrik të vitit të kaluar, një numër i madh i zjarrfikësve kishin qëndruar me orë të tëra para objektit të Qeverisë duke kërkuar përmirësim të kushteve. Njëri prej zjarrfikësve i ishte drejtuar Haradinajt me fjalët “ti je hajn”.

Ndaj tij, Haradinaj kishte reaguar në mënyrë jashtëzakonisht të ashpër. Kishte thënë se askujt nuk ia kishte vjedhur nënën e babanë që ta quante ashtu.

“Kush është ai që po thotë hajn, s’e di a ia kom vjedh babën a nënën… Le t’kallxon. Tanë jemi të këtij vendi, mos gaboni. Po e nij dikon duke thanë hajna. Nëse jam hajn atëherë shkoni në shpi se nuk kemi çka folim”, kishte thënë Haradinaj para tyre.

Përveç prokurorit Blakaj, Haradinaj dy ditë para se të dorëhiqej kishte ofenduar edhe anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe gazetarët. Për anëtarët e KSHC-së kishte thënë se janë mercenarë dhe mafioze, derisa për gazetarët kishte deklaruar se shumica e tyre nuk dinë të lexojnë anglisht dhe se janë të pashkollë.

“Ju (gazetarët) po raportoni pa ditë, besoni, shkoni më shumë në shkollë, shikoni çfarë po thonë ata. E kam lexuar deklaratën e amerikanëve dhe kjo që po thua ti nuk është ashtu”, kishte deklaruar Haradinaj.

Ish-kryeministri nuk ngurroi që ta përdorte edhe intervenimin fizik në raste që nuk i konvenonin. Një incident i tillë kishte ndodhur në ceremoninë e shënimit të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mes tij dhe të bijës së Mehmet Dërrallës.

Ajo kishte marrë fjalën jashtë protokollit në ceremoninë e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, por ishte ndërprerë me forcë nga vetë kryeministri Haradinaj.

Qytetarët e vendit nuk do t’i harrojnë as pushimet e tij luksoze në fshatin turistik më të shtrenjtë në botë.

Ai ishte parë duke pushuar në hotelin luksoz “Carlton” në St. Moritz në Zvicër. Pushimet familjare të Haradinajt kishin zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katrorë, në kohën e ndërrimit të viteve kishte arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e Vitit të Ri në këtë hotel kishte kushtuar një mijë e 50 franga.

Nuk është bërë asnjëherë publike sesa kishte paguar Haradinaj saktësisht, por bazuar në çmimet publike të hotelit, rezultonte se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga. As Zyra e Kryeministrit nuk kishin pranuar të tregojnë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet.

E ndonëse dikush mund t’i ketë harruar arsyetimet qesharake për vendimet që merrte “veç për qejf”, Haradinaj po kujdeset që t’ua kujtojë ato edhe pas dorëheqjes.

Pak ditë pasi kishte ardhur në pushtet, Haradinaj me një vendim të ngutshëm ua kishte falur borxhin disa kompanive që bënin ambalazhimin e ujit, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës përreth 60 milionë euro. Vendimin e tij, ai e kishte arsyetuar me një përgjigje qesharake se ashtu kishte pasur qejf.

Një arsyetim të ngjashëm ai e dha edhe dje kur u pyet lidhur me arsyen e takimit me krerët e ish-koalicionit qeverisës. Haradinaj tha se temë diskutimi do të jetë ngrohja globale. E si të harrojmë që gjatë qeverisjes së tij vendi pagoi para shtesë për autostradën “Arbën Xhaferi” duke ia dhënë me lehtësi Bechtel &Enkës edhe 55 milionë ekstra.

Përveç skandaleve, Haradinaj do të kujtohet edhe për ndejat ku ia dha këngës dhe momentet e dorëheqjes së tij. Pavarësisht se disa herë u kritikua për zërin e tij, ai vazhdoi të këndonte kudo që i jepej rasti.

Ajo që duhet t’i atribuohet si meritë është ligji për ushtrinë dhe bekimi që për këtë Haradinaj e kishte marrë personalisht nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tani i larguar nga kjo detyrë. Haradinaj ka qenë i zëshëm edhe në çështjen e mosprekjes së territorit të vendit në negociatat Kosovë ndërkohë që si meritë që ia ka kthyer Kosovës nderin e sheh taksën kundër Serbisë.

Krej aventura e Haradinajt që zgjati rreth dy vjet mori fund muajin e kaluar, kur në një konferencë befasuese shpalli se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale duke dhënë dorëheqje të parevokueshme. Atë ditë për herë të parë ai u pa me lot në sy, ndoshta për herë të parë që prej se është aktiv në jetën publike.

Largimi i papritur nuk shkaktoi ndonjë solidaritet të kolegëve të tij nga politika pasi këtë veprim e panë si kalkulim të Haradinajt për të fituar sa më shumë nga procesi elektoral në vijim. E shije të keqe la veçmas thirrja e mbledhjeve të qeverive dhe vërejtja eksplicite nga partneri senior në qeveri PDK, se një qeveri me një kryeministër të dorëhequr s’ka mandat për të marrë vendime për pronat./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart