Dy ushtarë ukrainas vriten në ditën e parë të armëpushimit


Gazeta Express
22 Korrik 2019 13:26

Ushtria e Ukrainës njoftoi të hënën se dy ushtarë të saj janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të dielën, kur një mjet i panjohur shpërthyes u aktivizua nga një grup sabotues i forcave separatist të mbështetura nga Rusia.

Vrasja e ushtarëve në konfliktin e armatosur mes Ukrainës dhe separatistëve erdhi në ditën e parë të armëpushimit, i cili u arrit në Minsk mes të përfaqësuesve ukrainas dhe rusë. Ky armëpushim u përkrah edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE-ja).

Pikat e marrëveshjes së armëpushimit, e cila u arrit në Minsk duke u bazuar në paktet paraprake të shtatorit të 2014-ës dhe shkurtit të 2015-ës, kanë ndikuar në pakësimin e luftimeve, por nuk e ka ndërprerë plotësisht konfliktin.

Rreth 13 mijë njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës, në prill të vitit 2014, kur separatistët e përkrahur nga Rusia i morën armët për të luftuar kundër forcave qeveritare të Ukrainës.

Besohet se 1.5 milionë njerëz janë detyruar të zhvendosen në pjesë të tjera të Ukrainës. Kjo është zhvendosja më e madhe e popullsisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart