Dy të dyshuar të tjerë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, janë pjesë e krimit në Veri


Gazeta Express
16 Prill 2019 12:22

Prokuroria e Shtetit po i vazhdon hetimet e nisura një vit më parë për të kapur vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Nën llupën e prokurorisë speciale janë edhe dy të dyshuar të rinj, që sipas prokurorit Sylë Hoxhaj, po kërkohen për t’u arrestuar. Që të dy jetojnë në Mitrovicën Veriore dhe janë të përfshirë në krim të organizuar. Në lidhje me vrasjen e politikanit serb deri tani janë arrestuar 4 persona, dy prej të cilëve janë liruar. Ndërsa shteti ka lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar për Milan Radojiçiqin i cili po fshihet në Serbi.

Gentiana Hasani

Vrasësit e politikanit serb Oliver Ivanoviq ende nuk janë zbuluar, ani se për këtë çështje tashmë janë gjashtë persona të dyshuar.

Për vrasjen e cila ndodhi në mëngjesin e 16 janarit të 2018-s në Veri të Mitrovicës, nga prokuroria po hetohen edhe dy të dyshuar të tjerë.

Të dy këta, sipas hetuesisë kosovare, jetojnë ne pjesën veriore të Mitrovicës. Të dyshuarit e rinj thuhet se merren me krim te organizuar në Mitrovicë.

Detaje rreth hetimeve të vrasjes së politikanit serb për Express ka dhënë prokurori special që po merret me rastin, Sylë Hoxha.

“Hetimet ne jemi duke i vazhduar. Kemi mbledhur prova, intervistuar persona të ndryshëm që ndërlidhen me rastin”, deklaron Hoxha.

Ai e pranon se hetimet për këtë vrasje janë zgjeruar si dhe janë edhe dy persona të tjerë të dyshuar.

“Po, kemi zgjeruar hetimet. Janë edhe dy persona të tjerë qe i kemi futë në listë. Jemi duke punuar për arrestimin e tyre. Vendndodhjen e tyre e dimë”, deklaron prokurori special që po merret me zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Rreth këtij rasti, Kosova, tashmë ka lëshuar një urdhërrestim ndërkombëtar për Milan Radojiçiqin, si i dyshuar për përfshirje në vrasje.

Milan Radojiçiq, i cili konsiderohet si njeriu më i fuqishëm i Veriut, ka qenë target në një operacioni të kryer nga njësitë speciale të Kosovës në orët e para të mëngjesit të 23 nëntorit.

Ai nuk është gjendur në shtëpinë e tij, por Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të tjerë, tre prej të cilëve policë serbë që dyshohej se janë implikuar në vrasjen e Ivanoviqit.

Radojiçiq edhe më tutje është në arrati, ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ka lëshuar urdhër arrest.

Oliver Ivanoviq, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës ka udhëhequr SDP’në, ndërsa u vra më 16 janar të vitit 2018./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart