Dushi i ftohtë gjerman për pritjet e mëdha për integrim të shpejtë, Weber dhe Emini flasin për Express - Gazeta Express
string(101) "dushi-i-ftohte-gjerman-per-pritjet-e-medha-per-integrim-te-shpejte-weber-dhe-emini-flasin-per-express"

Lajme

Gazeta Express

12/03/2022 17:08

Dushi i ftohtë gjerman për pritjet e mëdha për integrim të shpejtë, Weber dhe Emini flasin për Express

Lajme

Gazeta Express

12/03/2022 17:08

Pritjet e mëdha të krijuara në Kosovë për përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian e marrjen e statusit të vendit kandidat, i ka prerë në mes shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, e cila përgjatë një vizite treditore ka skanuar gjendjen në rajon, meqë pas ngjarjeve në Ukrainë përmendej mundësia për destabilizim edhe në Bosnje dhe Kosovë. Ajo, si një gjermane tipike, ia ka treguar Kosovës manualin për anëtarësim dhe ka lënë të kuptohet se sa i përket integrimeve s’ndryshon asgjë. Kur është pyetur për statusin e vendit kandidat, Baerbock ka thënë se para kësaj vjen dialogu për normalizim me Serbinë. Por, çfarë nënkuptojnë vizita dhe deklaraimet e tilla të kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock? Për Express kanë folur eksperti gjerman nga DPC, Bodo Weber dhe drejtoresha e CiviKos, Donika Emini.

Shkruan: Besnik Velija

Lexo Edhe:

Eksperti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se dikush edhe mund të kritikojë pjesë të ndryshme të deklarimeve të kryediplomates gjermane, megjithatë thotë se ajo që ka rëndësi është se qasja e Qeverisë së re të Gjermanisë ndaj rajonit s’ka ndryshuar pavarësisht asaj që po ndodh në Ukrainë. Weber thotë se një gjë të tillë e dëshmon edhe vizita e Baerbock në rajon.

Bodo Weber

“Dikush mund të kritikojë pjesë të ndryshme të deklaratave të ministres Baerbock të bëra gjatë turneut të saj në Ballkanin Perëndimor këtë javë, por elementi kryesor në të gjitha është ky: Gjermania, koalicioni i ri qeverisës, veçanërisht përmes partnerit të saj të koalicionit të Gjelbër dhe ministrit të Jashtëm, ka deklaruar Ballkani Perëndimor është një prioritet kryesor i politikës së tij të jashtme dhe të sigurisë dhe të Evropës”, ka thënë Weber.

Ai tutje thotë se i kupton plotësisht ata që kërkojnë përshpejtim të procesit të integrimit e të cilët mund të jenë zhgënjyer me deklarimet e ministres gjermane, por shton se problemi me BE-në nuk qëndron te shpejtësia e integrimit, por tek fakti që shtetet anëtare kanë harruar arsyet politike dhe motivimin përpara fillimit të procesit të zgjerimit.

Weber në fund thotë se duhet ndryshuar politika e BE-së ndaj rajonit, me një kthesë të plotë ndaj Serbisë që, sipas tij, kjo do të çonte në një ndryshim real dhe jo përshpejtim reaktiv të proceseve integruese për në BE.

“…por kam besim se në sfondin e këtij diskutimi kemi një dritare mundësish për ta kthyer BE-në në rifitimin e bindjeve politike se pse duam një Evropë të plotë dhe të lirë. Bazuar në një proces të tillë, ne duhet të ndryshojmë politikën ndaj rajonit përtej reagimit ndaj politikës kriminale të Putinit, duke filluar me një kthesë të plotë ndaj Serbisë. Kjo do të sjellë një ndryshim real, jo ndonjë përshpejtim reaktiv të proceseve integruese në BE”, ka përfunduar Weber.

Lidhur me vizitën dhe deklarimet e kryediplomates gjermane gjatë vizitës në Kosovë, për Gazetën Express ka folur edhe drejtoresha e CiviKos, Donika Emini.

Emini thotë se vizita e Baerbock në Prishtinë rikonfirmon se rajoni mbetet prioritet i Qeverisë së re të Gjermanisë dhe këshillon që Kosova të maksimalizojë përpjekjet për përfitime politike dhe diplomatike nga një situatë e tillë e favorshme sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Gjithashtu porosit që të mos krijohen iluzione për një anëtarësim të përshpejtuar në BE.

Donika Emini, CiviKos

“Gjithsesi, pavarësisht kësaj situate, e cila mund të duket si e favorshme për Kosovën, nuk duhet të krijohen iluzionet për zgjerim ‘fast track’”, ka thënë Emini për Gazetën Express.

Drejtoresha e CiviKos dhe njohësja e zhvillimeve politike në vend dhe rajon tutje thotë se edhe vetë Bashkimi Evropian ka treguar zyrtarisht se s’do të ketë një “fast track” për anëtarësim dhe se njejtë sikur Baerbock kanë treguar se dialogu është parakusht për avancim në integrim për dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë.

“Kjo përgjigje është dhënë edhe zyrtarisht nga Brukseli. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është parakusht për të dyja vendet, mirëpo për Kosovën situatë rëndohet edhe më tej për shkak të pesë vendeve jonjohëse të BE-së. Këto të fundit – përkundër gjendjes në Ukrainë – nuk kanë treguar asnjë shenjë që çon mesazhe politike për njohje të Kosovës. Ndërsa vendet anëtare që mund të lobojnë për anëtarësim ‘fast track’ për Balkanin (Franca dhe Gjermania) nuk kanë kapacitetin e plotë politik të shtyjnë procese të tilla për shkak të investimit të kapitalit politik e diplomatik në përfundimin e luftës në Ukrainë. Andaj, kryediplomatja gjermane veç ka konfirmuar vullnetin politik për të mbështetur procese me rëndësi në Kosovë (reforma dhe dialogu), mirëpo pa ushqyer asnjë shpresë për ‘fast track’ integrim në kurriz të situatës së krijuar në Ukrainë apo edhe për qëllime gjeopolitike në Ballkan”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse duhet të ndryshojë burokracia evropiane sa i përket proceseve të integrimit marrë parasysh atë çfarë po ndodh në botë, Emini thotë se aplikimi direkt i Ukrainës i pasuar nga Moldavia dhe Gjeorgjia tregon se normat aktuale të Brukselit janë duke u sfiduar.

“Lufta në Ukrainë, aplikimi për anëtarësim direkt në Bruksel i Ukrainës, përcjellë nga Moldavia dhe Gjeorgjia, kanë treguar që normat aktuale janë duke u sfiduar. Gjatë dekadës së fundit është avokuar vazhdimisht për ndryshimin e procedurave për anëtarësim në BE. Kjo ka ardhur edhe si pakënaqësi për tejzgjatje të procesit të integrimit. Njëri ndër propozimet ka qenë edhe “integrimi i shkallëzuar”, një proces i cili do ta integronte të gjitha Ballkanin në nivele, kështu duket përshpejtuar edhe rrugëtimin e rajonit për në BE, por edhe gjatë këtij rrugëtimi të përfitojnë nga BE dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes po aq sa vendet anëtare. Përshpejtim të tipit burokratik mund të ketë kjo për shkak se zgjerimi i BE-së – megjithatë – ka qenë reaktiv ndaj situatave gjeopolitike (rasti i Bullgarisë dhe Rumanisë). Mirëpo, nuk mund të ketë integrim pa asnjë apo angazhim minimal të elitave politike në Ballkan për demokratizim dhe reforma”, ka shtuar ajo.

Emini në fund thotë se pritjet e krijuara nga Qeveria për punën e një integrimi të përshpejtuar në BE dhe NATO janë artificiale dhe thekson se një gjë e tillë mund të ketë efekte negative njejtë sikur rasti me liberalizimin e vizave.

Megjithatë, Emini thekson se kjo nuk nënkupton që Kosova s’duhet ta kapitalizojë gjithë këtë situatë në favor të vetin për të forcuar edhe më tej komunikimin me partnerët strategjikë dhe për të treguar vizionin e qartë për partneritet serioz në BE dhe NATO.

“Situata e krijuar në Kosovë gjatë rreshtimit të madh pro apo kundër Rusisë sollën edhe shpresën që Kosova do të shpërblehej për rreshtim pas perëndimit, por edhe Serbia do të ndëshkohet për mosdënim publik të Rusisë apo për mungesë të vullnetit politik për të aplikuar sanksionet ndaj Rusisë. Në anën tjetër, frika nga destabilizimi i Bosnjës e Hercegovinës dhe i Kosovës – kryesisht nga kërcënimi serb – janë përdorur si elemente legjitime me qëllim të përshpejtimit të anëtarësimit në NATO e BE. Këto janë normalisht artificiale për anëtarësim në NATO e BE. Duhet të tejkalohet qasja e vendeve jonjohëse (pesë në BE dhe katër në NATO). Mirëpo, kjo nuk do të thotë që Kosova nuk mund të kapitalizojë këtë situatë duke përforcuar bashkëpunim e komunikim më partnerët strategjikë dhe duke treguar vizion të qartë dhe partneritet serioz me BE-në (vendet anëtare) dhe me NATO-n. Qeveria nuk do të duhet të krijojë pritshmëri në këtë drejtim, sepse kjo mund të ketë efekt negativ sikurse në rastin e liberalizmit të vizave. Mirëpo, të punojë aktivisht prapa dyerve të mbyllura për të shtyrë para agjendën e vendit”, ka përfunduar Emini.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se gjatë vitit 2022 Kosova do të synojë aplikimin për statusin e vendit kandidat, megjithatë ka potencuar se për një gjë të tillë s’ka ndonjë datë të saktë.

“Ne kemi thënë qe këtë do ta bëjmë sivjet dhe zhvillimet e reja gjeopolitike me siguri që na imponojnë një përshpejtim, por nuk kemi një datë se kur do të mund të themi që do të aplikojmë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian dhe as për Këshillin e Evropës. Besoj që përcaktimi i një date tash nuk do t’u ndihmonte përgatitjeve tona dhe do te ishte objektivisht i pamundur për shkak se ka shumë punë që të arrijmë në atë pikë e në të cilën megjithatë duhet të ecim sa më shpejt që mundet”, ka thënë kryeministri Kurti më 7 mars të këtij viti. /GazetaExpress/