Durrësi dhe PISA - Gazeta Express
string(16) "durresi-dhe-pisa"

Gazeta Express

04/12/2019 11:50

Durrësi dhe PISA

Gazeta Express

04/12/2019 11:50

Rindërtimi i një qyteti të shkatërruar nga tërmeti mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër, por rindërtimi i mendjes së shkatërruar të një populli nga industria e keqe e arsimit merr kohën e dekadave të tëra. Dhe në ndërkohë bota ecë më tutje, e neve na përsëritet historia e te qenurit më të vonuarit

Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Javën që shkoi Shqipëria u godit nga një tërmet fatal, i cili la pas mbi 50 të vdekur, qindra të plagosur, mijëra banesa e shtëpi të rrënuara dhe vendin të zhytur në kaos dhe frikë.

Fillimi i kësaj jave solli në tërmet të ri, por kësaj rradhe në Kosovë dhe i një natyre tjetër. Ky tërmet nuk ka të bëjë me gjeofizikën, por me mendjen tonë. Ai është tërmeti i PISA-s, Instituti i specializuar ndërkombëtar, i cili, për herë të dytë, na rëndit në fund të listës botërore për cilësi të shkollave.

 Natyra dhe shoqëria, kuptohet, janë dy gjëra të ndryshme dhe rrjedhimisht edhe tërmetet e tyre dallojnë, por në rastin tonë tërmeti i Durrësit dhe ky tërmeti i PISA-s kanë një gjë të përbashkët: korrupsionin dhe qeverisjen e keqe të elitave politike shqiptare, në dekadat e fundit.

Si pasojë e qeverisjeve të këqija, në dekadat e fundit shqiptarët janë detyruar të jetojnë në kushtet e diktuara nga një industri ndërtimi, e cila, në shumicën e rasteve, nuk ka respektuar fare standardet teknike të qëndrueshmërisë arktitektonike. Krimi i organizuar dhe korrupsioni politik, tek kjo industri kanë gjetur mundësinë e shpejtë për t’i pastruar paratë e e tyre të pista. Zbatuesit e ligjit, në shumicën e rasteve, kanë mbyllur sytë në këmbim të ndonjë përfitimi privat nga ky proces dhe në fund të ditës shqiptarët e varfër janë pajtuar të jetojnë brenda ndërtesave të pasigurta, të cilat që në goditjen e parë sizmike rrënohen për tokë bashkë me jetët njerëzore.

Kjo që i ka ndodhur Durrësit, mund t’i ndodhë secilit qytet shqiptar, nga Saranda në Mitrovicë, sepse nëse ka diçka tjetër që na bën bashkë ne shqiptarëve, përveç gjuhës kombëtare, është edhe industria e keqe e ndërtimit. Natyrisht, jo vetëm këto dy gjëra. Na bashkon edhe industria e keqe e arsimit. Rënia e komunizmit në Shqipëri mori me vete edhe sistemin arsimor, të cilin e kishte ndërtuar regjimi i Enver Hoxhës dhe, që atëherë, kanë kaluar pothuase tri dekada dhe ende Shqipëria nuk ka arritur të funksionalizoj një sistem arsimor konkurent me sistemet arsimore të shteteve  të zhvilluara europiane.

Në Kosovë, ndërkaq, gjërat kanë shkuar edhe më keq. Industria e arsimit në Kosovë ka plot 30 vjet që vuan nga fenomeni i improvizimit. Nga viti 1990 e deri në vitin 1999, ky improvizim arsyetohej me idenë e mbrojtjes së shkollës shqipe, në kushtet e aparteidit, të cilin e zbatonte Milosheviqi në Kosovë. Përfundimi i luftës solli shpresat se tash e tutje gjërat do të bëheshin ndryshe. Nxënësit dhe studentët u kthyen në objektet e shkollave dhe universitetit, por improvizimi arsimor nuk u eleminua. Ai vetëm ndërroj formë. Nga viti 1999, e deri me tani, improvizimi në sistemin arsimor kosovar është bërë në emër të reformave dhe këtë e dëshmon më se miri rezultati të cilin e kemi marrë në PISA. Ministritë e Arsimit më shumë janë marrë me rehatimin e militantëve partikë në hallkat e tyre administrative, se sa me përmirësimin e cilësisë në arsim.

Në anën tjetër janë dhënë miliona euro për trajnimin e mësimdhënësve dhe krejt çfarë është arritur në fund është mbushja e xhirollogarive private të menaxhuesve dhe implementuesve të këtyre trajnimeve.  

Kështu, hap pas hapi, industria e arsimit në Kosovë është shndërruar në një industri të riprodhimit të injorancës, simbol i të cilit janë nxënësit që kanë probleme në të shkruar e lexuar, mësimdhënësit e profesorët që marrin gradat me plagjiatura dhe politikanët, të cilët, para se të shkojnë në ndonjë intervistë, mësojnë përmendësh titullin e ndonjë libri apo autori, në mënyrë që të mos bijnë në situatë të palakmueshme, kur t’i pyesin se çfarë kanë lexuar së fundi ose cilin shkrimtar e pëlqejnë më shumë.  Arsimi kosovar i shndërruar në industri të riprodhimit të injorancës ka mundësuar që të krijohet hapësira vitale për depërtimin e fanatizmit fetar, falë të cilit sot shumë të rinj në Kosovë janë në gjëndje të grinden me orë të tëra me njëri tjetrin nëse filan hadithi i profetit është autentik apo jo, por nuk janë në gjendje të të flasin as dy minuta për njohuritë shkencore në matematikë, biologji, fizikë, apo ndonjë shkencë tjetër. Dhe këtu duhet të theksojmë një analogji tjetër mes tërmetit gjeofizik dhe tërmetit të mendjes. Industria e keqe e ndërtimit e bën më fatal tërmetin gjeofizik, ndërsa industria e keqe e arsimit, e bën më fatal tërmetin ideologjik. Asnjëherë, që nga hapja e shkollave dhe universitetit, Kosova nuk ka pasur rini më të papërgatitur në edukimin shkencor, pa të cilin, sot, nuk mund të mendohet as zhvillimi ekonomik, e as funksionimi i sistemit demokratik të qeverisjes. Dhe për këtë nuk është fajtor kjo rini. Faji është tek elitat politike, që patologjikisht mendojnë se nuk ka jetë pa pushtet, prandaj tërë jetën e tyre ia kushtojnë marrjes dhe mbajtjes së pushtetit. Një gjë dihet : rindërtimi i një qyteti të shkatërruar nga tërmeti mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër, por rindërtimi i mendjes së shkatërruar të një populli nga industria e keqe e arsimit merr kohën e dekadave të tëra. Dhe në ndërkohë bota ecë më tutje, e neve na përsëritet historia e te qenurit më të vonuarit. Vazhdimisht!