'Duke korrur kanabisin me kosë' Si reagon Ministri Brendshëm ndaj karikaturës - Gazeta Express
string(75) "duke-korrur-kanabisin-me-kose-si-reagon-ministri-brendshem-ndaj-karikatures"

‘Duke korrur kanabisin me kosë’ Si reagon Ministri Brendshëm ndaj karikaturës

Gazeta Express

05/06/2020 21:48

Një karikaturë e artistit të njohur Bujar Kapexhiu për çështjen e kanabisit, ka detyruar ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj të reagojë.

Gjatë një takimi në Velipojë që kishte në fokus edhe luftën kundër kanabisit, Lleshaj tha se kjo çështje mbetet sfidë.

Lexo Edhe:

Ndërsa Kapexhiu shprehet nëpërmjet karikaturës se kanabisi është mbjellë në të gjithë Shqipërinë, Lleshaj shpreh se situata nuk është e tillë.

Ministri thotë se nuk është detyra e Policisë të dalë dhe të kosisë kanabisin nëpër male, duke shtuar se detyra e përgjegjësisë është të dalë e “të kosisë” kriminelë, dhe të “kosisë” zyrtarë që nuk bëjnë detyrën.

Pjesë nga reagimi dhe karikatura në fund:

Një çështje tjetër që ka të bëjë shumë me të gjithë aktorët e pranishëm në këtë takim të sotëm, është ajo që ka të bëjë më luftën kundër kultivimit të kanabisit. Nuk kam pasur kohë sot të merrem me mediat e mëngjesit, se nganjëherë ja hedh një sy por sot thjesht në televizor e pashë që kishte një karikaturë të madhe miku im Bujar Kapexhiu, ku më paraqiste me një kosë të madhe duke kositur kanabis në të gjithë Shqipërinë. Dhe vërtetë Bujarin e kam edhe mik, dhe për këtë arsye e ka kollaj të ma bëjë portretin pa u lodhur shumë se e njeh portretin tim kështu nga afër.

Thashë që ta tematizoj çështjen e kanabisit për arsye se mbetet një sfidë e madhe për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë në shumë plane. Kapexhiu kishte nxjerrë sikur unë me kosë po kosis kanabis në të gjithë Shqipërinë. Në fakt sigurisht karikatura e  ka lejuar të hiperbolizojë gjendjen sepse ky është arti i karikaturës që t’i zmadhojë gjërat. Nganjëherë të zmadhon hundën, të zmadhon veshin, nganjëherë zmadhon një fenomen.

Unë nuk besoj që Shqipëria është në atë gjendje. Jo nuk besoj por nuk është në atë gjendje. Por unë besoj që ka ende tentativa për ta zhytur Shqipërinë në gjendje të papëlqyeshme, të papërshtatshme.

Dua t’ju them që kjo lufta kundër kanabisit, të nderuar zonja dhe zotërinj, mbetet një përgjegjësi e madhe për të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë vend, qofshin zyrtarë të shtetit, qendrorë apo vendorë, qofshin edhe subjekte private apo edhe individë, dhe deviza ime si Ministër i Brendshëm mbetet luftë e pakompromis. Kjo luftë do të vazhdojë.

Policia është e angazhuar dhe shpresoj që do ta bëjë detyrën e vet në dy fronte: e para, për të luftuar kriminelët që merren realisht me kultivimin, apo trafikimin e bimëve narkotike, dhe e dyta, të merret me vënien para përgjegjësisë ligjore të kujtdo, që ka përgjegjësi për administrimin dhe kontrollin e territorit.

Për arsye se ky pak territor që kemi, kjo pak Shqipëri që kemi, është në përgjegjësinë e shumë vetëve. Ka përgjegjësi qeveria qendrore, ka përgjegjësi Policia, ka IKMT-ja, kanë përgjegjësi inspektoratet e panumërta që kemi për ta kontrolluar territorin. Kanë përgjegjësi autoritetet vendore, kanë përgjegjësi subjektet private për atë copë tokë që është private, dhe të gjithë këta, duhet të angazhohen fortë për ta kryer këtë përgjegjësi.

Nuk është detyra e Policisë të dalë dhe të kosisë kanabisin nëpër male. Detyra e përgjegjësisë është të dalë e “të kosisë kriminelë”, dhe të “kosisë zyrtarë” që nuk bëjnë detyrën.