Duka: Krenar për këtë organizim perfekt që e nderoi Shqipërinë - Gazeta Express
string(61) "duka-krenar-per-kete-organizim-perfekt-qe-e-nderoi-shqiperine"

Futboll

Gazeta Express

26/05/2022 14:30

Duka: Krenar për këtë organizim perfekt që e nderoi Shqipërinë

Futboll

Gazeta Express

26/05/2022 14:30

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, doli ditën e sotme në një konferencë për shtyp në ambientet e Shtëpisë së Futbollit për të folur mbi finalen e jashtëzakonshme të Conference League që u luajt mbrëmë në Air Albania Stadium.

Lexo Edhe:

I shoqëruar nga një pjesë e rëndësishme e drejtuesve të proceseve organizative të finales, njëkohësisht edhe drejtues Departamentesh në FSHF, kreu i futbollit shqiptar e vlerësoi organizimin perfekt të finales dhe theksoi se kjo ishte një reklamë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin futbollistik.

Fjala e Presidentit Duka:

Është një moment kënaqësie dhe krenarie për të gjithë ne që dalim para jush në mbyllje dhe me sukses të plotë të një aktiviteti që e bëri Tiranën kryeqytetin sportiv të Evropës për një ditë. Finalja e djeshme, është transmetuar zyrtarisht në 155 vende të botës dhe drejt “Air Albania” stadium janë drejtuar sytë mbi 400 milionë shikuesve nga e gjithë bota.

Së pari, dua të uroj fitoren ekipit të Romës për marrjen e Kupës në edicionin e parë të këtij kompeticioni. Edhe Feyenord kishte shanset e veta, por në fund, fitoi futbolli.

Askush nuk e mendonte një dekadë më parë që Shqipëria do të arrinte në këto nivele organizimi.

Por ja ku jemi, pas pjesëmarrjes së kombëtares shqiptare në Euro2016, vijmë në një tjetër stacion të rëndësishëm të historisë së futbollit shqiptar.

Kjo nuk është vetëm meritë e Federatës, por i takon gjithë komunitetit te futbollit, që e ka rreshtuar veten denjësisht krah komuniteteve te tjera sportive evropiane.

E mbaj mend si sot kur  para 5  vitesh, në 2017, bëmë aplikimin e parë për marrjen e një kompeticioni të tillë, që kur “Air Albania” ishte një projekt.

Vit pas viti punuam e lobuam pafundësisht, deri në marrjen e vendimit final të UEFA 2 vite më parë. Që nga shtatori 2021 kur në Tiranë mbërriti grupi i parë i punës së UEFA, çdo ditë, ka qenë ditë përgjegjësie maksimale nga ana e gjithë administratës në FSHF, vullnetarëve, zyrtarëve të UEFA që ishin vendosur në institucionin tonë.

Dje, ne mirëpritëm mbi 60 delegacione, ku përfshihen presidentët e 25 federatave të futbollit ndërkombëtar, thuajse gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA si dhe rreth 100 figura te spikatura të botës se futbollit, sponsor, partner, si dhe 510 gazetarë të mediave botërore e mbi 90 fotografë.

Mirëpritëm legjendat e futbollit ndërkombëtar si Boniek, Savicevic, Shuker, Toti, Figo, Boban, Van Persi, Tomason, Di Biaxhio, Robi Kean, Aldair, Kandela, e shumë të tjerë.

Mirëpritëm rreth 20 mijë tifozë brenda stadiumit, si dhe po aq të tjerë jashtë tij nëpër sheshe dhe fan zona.

Vetëm një orë më parë përcolla në aeroport presidentin Ceferin dhe stafin drejtues të UEFA të cilët më shprehën falënderimet e tyre për këtë sipërmarrje të madhe që doli me sukses që na zbardhi faqen të gjithëve, jo vetëm Shqipërisë por edhe vetë UEFA-s që na e besoi.

Dhe në këtë moment vjen çasti i falënderimeve:

Në radhë të parë dua t’ju falënderoj të gjithëve ju për impenjimin maksimal të këtyre ditëve e javëve në mbyllje të finales së UEFA Conference League në Tiranë.

Pa mbështetjen tuaj, raportimet, mirëkuptimin tuaj edhe për detaje te paparashikueshme që na dilnin rrugës shpeshherë, kjo punë e jashtëzakonshme nuk do te kishte vizibilitetin për mbarë opinionin shqiptar.

Së dyti, falënderoj UEFA-n, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv në UEFA dhe në veçanti presidentin Ceferin që na besuan pa u ndalur në ëndrrën tonë, tashmë realitet për zhvillimin e finales në Tiranë, në “Air Albania” stadium.

Së treti falënderoj gjithë administratën shtetërore dhe institucionet vendore dhe në veçanti kryeministrin Rama për mbështetjen e pakursyer në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Një falënderim i veçantë për forcat e policisë qe garantuan sigurinë ne stadium dhe menaxhuan situatën shpeshherë jo të lehtë në rrugët e kryeqytetit.

Falënderoj gjithë sportdashësit shqiptarë dhe qytetarët e Tiranës për mikpritjen që ofruan dhe që e kthyen këtë ndeshje në një festë të madhe për Shqipërinë.

E lashë për në fund, por në veçanti falënderoj stafin e Federatës Shqiptare të Futbollit për angazhimin e pakursyer me muaj të tërë, me orë e pa orë, ditë e natë për të plotësuar panoramën e zhvillimit të një finaleje model, njëlloj me të gjitha kompeticionet e tjera.

Të dashur sportdashës

Në mbyllje dua të garantoj se ky aktivitet historik është i pari, por jo i vetmi,  i një serie aktivitetesh ndërkombëtare të vazhdueshme.

Ne dëshmuam me fakte e prova se kemi kapacitetet dhe infrastrukturën për të përballuar sipërmarrje të tilla.

Festa të tilla sportive uroj të kemi dhe në të ardhmen, sepse futbolli veç na bashkon.

Jam i hapur për pyetjet e gjithsecilit. Faleminderit”. /Gazeta Express/