Philippe Coutinho shënoi het-trik fantastik në fitoren bindëse të Bayern Munich 6:1 kundër Werder Bremen të shtunën dhe paraqitjet e tij në javët e fundit për kampionin gjerman kanë bërë që shumë persona të besojnë se braziliani është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Që prej se u largua nga Liverpooli drejt Barcelonës më 2018, Coutinho ka pasur shumë vështirësi ta gjejë formën e tij më të mirë, por duket se ka nisur ta bëjë një gjë të tillë tani në Gjermani, veçanërisht prej se Hansi Flick e mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Niko Kovacit, transmeton Gazeta Express.
Coutinho është i huazuar në Bayern, por shumë prej bashkëlojtarëve të tij duan që klubi ta blejë atë përfundimisht.
“Nëse e keni shikuar ndeshjen sot, them se ne duhet ta blejmë atë, apo jo?” tha David Alaba pas ndeshjes.
Braziliani e ka një klauzolë në kontratën e huazimit në Bayern, e cila ia mundëson gjigantit gjerman ta blejë atë përfundimisht verën e ardhshme.
Ama për ta bërë këtë, Bayerni duhet t’i derdhë 120 milionë euro. /Gazeta Express/