Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule ka deklaruar para studentëve të masterit se të gjithë do t’i marrin kartonin e diplomës. Kule ka sqaruar se problemi është drejt zgjidhjes dhe se kërkesa e studentëve është legjitime.
“Kartonët e diplomave do t’i merrni, jemi në përfundim të procesit. Kërkesat e studentëve janë ligjitime. Kartonat do i merrni patjetër. E drejta juaj është shkelur. Ju këshilloj që në jetë asnjëherë mos shkelni ligjin. Ne po i japim publikut një shfaqje të shëmtuar me këtë çështje, por do rregullohet.”, u shpreh Dhori Kule.
Ky reagim i Kules vjen, pasi sot dhjetëra studentët të Ekonomikut, të cilët kanë mbaruar shkollën kërkojnë marrjen e kartonit të diplomës. Studentë kanë kërkuar edhe një takim me përfaqësues të ministrisë së Arsimit.
Shkak për mos marrjen e diplomave është bërë një konflikt mes dekanit të Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Kule i ka dërguar listat e studentëve tek Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe jo tek rektorati dhe për këtë arsye Koni nuk i ka fimosur.
Si pasojë e këtij konflikti ka mbetur pa diploma 315 studentë. Sakaq për këtë problematikë, Koni i ka kthyer një përgjigje ministrisë , ku i theksoi se do i firmosë diplomat e studentëve, sapo dekani i Fakultetit të Ekonomisë, të dorëzojë listën përfundimtare me të dhënat për matrikullim.