“Dua të ta pres kokën”, gazetari britanik shpalos përvojën me xhihadistin kosovar


Gazeta Express
14 Gusht 2019 17:23

Një intervistë e gjatë me ish-pjesëtarin e ISIS’it nga Kosova, Fitim Lladrovci është publikuar në magazinën 1843 të mediumit britanik “The Economist”.

Gazetari Alexander Clapp, i cili e kishte takuar disa herë Lladrovcin në Obiliq, pasi ishte liruar nga burgu në Kosovë, ka përshkruar përvojat e tij me kosovarin e radikalizuar.

Gazetari e ka takuar katër herë Lladrovcin dhe ka biseduar mbi 10 orë me të, për të cilin thotë se i ndryshonte gjendja.

“Ai nuk ishte as kërcënues e as impresiv. Më shumë dukej se e ndiqte e kaluara e tij. Gjatë një periudhe prej gjysmë viti, unë e takova Lladrovcin katër herë dhe fola me të gati 10 orë. Nganjëherë hidhërimi i tij shfaqej befas: “Ndjej se më duhet të ta pres kokën”, më tha ai njëherë. Herave tjera tërbimi i tij zbutej. Ai interesohej për nënën e sëmurë të ndihmësit tim, duke pyetur secilën herë për shëndetin e saj. Por ai gjatë gjithë kohës mbeti mosbesues dhe i paqartë. Kur i thashë se dua ta takojë gruan e tij ai refuzoi me shpejtësi Kur biseda jonë kalonte në tema jo aq të lehta ai ndalej dhe buzëqeshte lehtë. Sa veta i ke vrarë? Buzëqeshje e lehtë? A ke armë aktualisht? Buzëqeshje e lehtë?” shkruan Clapp.

Ish-pjesëtari i ISIS’it ia ka përshkruar gazetarit të gjithë jetën e tij, rrugëtimin në Siri, kthimin dhe jetën pas luftës.

Lladrovci ka shkuar në Siri në vitin 2013 dhe u kthye një vit më pas në Kosovë, ku u arrestua dhe qëndroi në burg për tri vjet.

Pasi doli nga burgu, ai akoma krenohej me Shtetin Islamik dhe thoshte se është i penduar pse u kthye nga Siria.

Tash Lladrovci është nën arrest shtëpiak deri në shtator të vitit 2019. /Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart