Dritan Haxholli ishte shpallur në kërkim, gjykata e dënoi me burg pak ditë para se të ndodhte vrasja


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 16:23

Dritan Haxholli, 41- vjeçari që mbeti i vrarë në Kavajë, në banesën e ish-së dashurës së tij, Marsida Qatja, rezulton të ketë qenë person në kërkim prej afro një muaji, pasi ndaj tij kishte një masë arresti dhënë nga Gjykata e Kavajës.

Vendimi ishte dhënë më datë 5 shtator të këtij viti nga gjyqtarja Diamela Goxha, që mori në shqyrtim në dhomë këshillimi, kërkesën e prokurorit të Kavajës, Durim Bedini. Sipas vendimit të Gjykatës, Prokuroria e akuzonte Dritan Haxhollin për veprat penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Ndërsa kërkohej caktimi i masës shtrënguese “Arrest me burg” për veprat penale të sipërcituara.

“Gjykata, si shqyrtoi në dhomë këshillimi kërkesën dhe provat bashkëngjitur saj, vëren se kërkesa e paraqitur nga ana e akuzës për caktimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’, ndaj shtetasit Dritan Haxholli, është e bazuar në ligj e në prova dhe si e tillë do të pranohet”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Kavajës.

VENDIMI I GJYKATES

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Kavajës, që caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për Dritan Haxhollin, shpjegohet se, nga veprimet e para hetimore dhe nga studimi i të dhënave të dokumentuara në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se: Më datë 23.07.2019, nga ana e një punonjësi të Policisë së Rendit Publik, pranë Komisariatit të Policisë Kavajë, gjatë ushtrimit të detyrës, është konstatuar në segmentin rrugor nga Kavaja drejt Rrogozhinës, te mbikalimi i Gosës, automjeti tip ‘Audi’, me targa AA 332 XT. Automjeti i drejtuar nga punonjësi i Policisë ka qenë duke udhëtuar në limitet maksimale të lejuara në atë segment rrugor, 90 km/h dhe është parakaluar nga automjeti tip ‘Audi’, me targa AA 332 XT, i cili ka vazhduar të rrisë shpejtësinë. Punonjësi i Policisë i është vënë në ndjekje mjetit dhe i ka bërë shenjë ndalimi.

Drejtuesi i mjetit ka ndaluar dhe punonjësi i Policisë i ka shpjeguar arsyen e ndalimit, duke i kërkuar edhe lejen e drejtimit e dokumentacionin e mjetit. Drejtuesi i mjetit i është prezantuar si Tan Peza dhe i ka thënë se nuk kishte mjet identifikues dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për t’u futur në automjet. Nga ana e punonjësit të Policisë është njoftuar patrulla e Policisë për shoqërimin e drejtuesit të mjetit dhe personave që e shoqëronin atë.

Në momentin e ardhjes së patrullës 86/4, kur i është kërkuar të afrohej dhe të bëhej shoqërimi në Komisariat shtetasit të vetëdeklaruar si Tan Peza, ky i fundit ka kaluar sipër kufizueses anësore metalike dhe është hedhur për në rrugën dytësore. Nga patrulla e Policisë është identifikuar ky shtetas si Dritan Haxholli, gjithashtu janë pyetur edhe personat që ishin në makinë me të. Pas arsyetimit, Gjykata vendosi: Urdhërohet Prokuroria e Kavajës për ekzekutimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Durrës brenda 5 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të Gjykatës. U shpall në Kavajë më datë 05.09.2019.

VIKTIMA PA PATENTE

Në vendimin e Gjykatës së Kavajës, si provë që mbështet akuzën për “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, është cituar edhe një përgjigje që Drejtoria Rajonale e Shërbimit Rrugor Durrës i ka kthyer Prokurorisë së Kavajës. Në shkresën me numër 4975/ 1, Prokuroria mësoi se Dritan Haxholli nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Gjithashtu, për të argumentuar masën me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, Gjykata çmon se ky shtetas ka qenë i dënuar edhe dy herë të tjera për të njëjtën vepër penale. Konkretisht, më datë 29.06.2018, Gjykata e Kavajës e kishte dënuar Dritan Haxhollin me 5 muaj burgim dhe më 20.11.2018 me 8 muaj burgim./panorama

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart