Dritan Dajti dërgohet me urgjencë në spital, QSUT-ja blindohet nga policia - Gazeta Express
string(73) "dritan-dajti-dergohet-me-urgjence-ne-spital-qsut-ja-blindohet-nga-policia"

Shqiperi

Gazeta Express

26/01/2021 19:54

Dritan Dajti dërgohet me urgjencë në spital, QSUT-ja blindohet nga policia

Shqiperi

Gazeta Express

26/01/2021 19:54

Dritan Dajti, i cili po vuan dënimin në burgun e Peqinit, për vrasjen e katër 4 policëve në gusht të vitit 2009 është dërguar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza” për trajtim mjekësor.

Mësohet se Dajti pritet t’i nënshtrohet një operacioni dhe do të qëndrojë në spitalin e burgut në QSUT deri në stabilizimin e situatës, ndërkohë që ai është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie dhe spitali është rrethuar me policë.

Kujtojmë se herën e fundit që Dritan Dajti u soll në Tiranë në një klinikë private, u pezulluan disa policë të burgjeve, pasi nuk kishin njoftuar drejtorin e burgjeve.

Lexo Edhe:

Ngjarja, për të cilën Dritan Dajti u gjykua dhe u dënua me vendim të formës së prerë, me 25 vite burg, ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50 në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël “Iliria”. Në dosjen e Prokurorisë sqarohet se gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm disa punonjës Policie, ndërsa është marrë informacion për një makinë ku dyshohej se ishte Dajti.

Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tri automjetet e tyre. Sapo janë afruar te mjeti “Touareg”, punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen “Ndal, Policia!”, i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë.

Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri ku për pasojë, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda “Touareg”-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit, dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.

Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahëqafë.

Me pistoletën që mbante në dorë ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh, në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Dritan Dajti është arrestuar disa minuta më vonë i plagosur, ndërsa gjatë procesit ai është shprehur se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.