Drenica s’e pranon Kadri Veselin, në Skenderaj e dëgjojnë më pak se 200 veta


Gazeta Express
8 Qershor 2019 17:49

Fiks 13 mijë e 498 vota më pak ka marrë Partia e Kadri Veselit në Skenderaj në zgjedhjet e fundit nacionale krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014.

Ky trend i rënies së PDK’së në bastionin e dikurshëm të saj është vërejtur sot kur ka folur Kadri Veseli para simpatizantëve të partisë. Aty, e kanë dëgjuar më pak se 200 anëtarë.

Burime të Express kanë treguar se shkaku i pjesëmarrjes së vogël të përkrahësve ishte shtyrë për një orë mbajtja e takimit derisa në fund ishte vendosur të mbahej në ambient të hapur e jo në objekte të mbyllura qysh ka vepruar nëpër qytete të tjera.

Megjithatë një gjë e tillë nuk e ka penguar Veselin që të vazhdojë fjalimin, duke bërë premtime se Kosova për dhjetë vitet e ardhshme to të krahasohet me Francë e Gjermani.

“Që 10 vjet e kemi shtetin. Shikone si ka arritur Kosova për këto 10 vjet. Unë po ju garantoj që nëse e marrim besimin e juaj, pas 10 vitesh jo vetëm që nuk do të mbetet asnjë person i papunë në Kosovë, por që vendi ynë do jetë më i zhvilluar se të gjitha vendet e rajonit dhe do të krahasohet me vendet e BE-së”, ka deklaruar Veseli në këtë tubim.

Shefi i PDK’së ka folur pikërisht në vendlindjen e këshilltarit të tij, Blerim Latifit. Bashkë me Shefin e PDK’së ka qenë edhe Sami Lushtaku, Kryetar i Degës së kësaj partie në Skenderaj.

PDK në Skenderaj nuk e ka pushtetin pasi Veseli bashkë me zyrtarë tjerë të partisë, patën vendosur ta përkrahnin Bekim Jasharin për Shef të Komunës. Aktualisht, në këtë qytet, janë dy grupe të PDK’së. Njërit i prin Kryetari i Degës, ndërsa, në krah të Bekim Jasharit janë Nuredin Lushtaku e Bekim Haxhiu, dy zyrtarë të lartë të PDK’së.

Nën udhëheqjen e Kadri Veselit, PDK ka mbetur në pushtet vetëm në Ferizaj, Drenas, Dragash, Shtime e Kaçanik.

PDK në Skenderaj, në zgjedhjet nacionale, më së shumti vota kishte fituar më 2010, kur kishte marrë 26 mijë e 11 vota.

Ndërsa, më së paku, më 2017, kur kishte marrë 15 mijë e 775 vota.

Më 2014, PDK kishte marrë 22 mijë e 775 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2017, PDK në Skenderaj kishte marrë 15 mijë e 775 vota,

Në vitin 2010, PDK kishte fituar 26 mijë e 11 vota.

Në vitin 2007, PDK kishte fituar 19 mijë e 7 98 vota në Skenderaj.

Te fundit


Kthehu lart