Drejtuesit e Man Unitedit ia bëjnë të qartë Pogbas: Nuk do të të shesim


Gazeta Express
14 Gusht 2019 13:57

Drejtuesit e Manchester Unitedit e kanë informuar Paul Pogban se ai nuk do të lejohet të largohet nga klubi për t’iu bashkuar Real Madridit gjatë këtij afati kalimtar të verës, pa marrë parasysh ofertën.

Paul Pogba nuk do të largohet nga Manchester Unitedi – as edhe për 200 milionë euro. Mundësitë e mesfushorit francez për t’u larguar nga Real Madridit u shuan kur u mbyll afati kalimtar për klubet e Premierligës javën e kaluar, shkruan AS, transmeton Gazeta Express.

Këtë konsensus e kanë arritur drejtuesit e klubit në “Old Trafford”, mirëpo situatën Pogbës e kuptojnë kështu edhe drejtuesit e Real Madridit.

Lojtari, i cili tani është i vetëdijshëm se nuk ka ku të shkojë këtë verë, ishte i fundit që u largua nga fusha e “Old Traffordit” pas fitores 4:0 kundër Chelseat në ndeshjen hapëse të Premierligës. Ai madje ia dhuroi fanellën e tij një tifozi, në tentim për ta përmirësuar lidhjen me ta.

Vetëm disa minuta më vonë, ai u tha gazetarëve se “e ardhmja do të na tregojë” nëse ai do të largohet nga Manchester Unitedi këtë verë apo do të qëndrojë aty ku është.

Megjithatë, ajo që ka ndryshuar që nga ajo kohë është se Manchester Unitedi e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e shitjes së Pogbas këtë verë, pa marrë parasysh ofertën që mund t’ua bëjnë madrilenët.

Pogba i ka edhe tre vjet të mbetura në kontratën e tij me Manchester Unitedin, ku i fiton 16 milionë euro në vit. Megjithatë, nuk dihet nëse “Djajtë e kuq” do të jenë të gatshëm ta shesin atë verën tjetër pasi që deri atëherë mund t’i ofrojnë kontratë të re. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart