Drejtori i Atleticos beson se Real Madridi favorizohet nga gjyqtarët: Gjithmonë ndodh e njëjta, nuk është më lajm - Gazeta Express
string(111) "drejtori-i-atleticos-beson-se-real-madridi-favorizohet-nga-gjyqtaret-gjithmone-ndodh-e-njejta-nuk-eshte-me-lajm"

Sport

Gazeta Express

28/01/2023 10:45

Drejtori i Atleticos beson se Real Madridi favorizohet nga gjyqtarët: Gjithmonë ndodh e njëjta, nuk është më lajm

Sport

Gazeta Express

28/01/2023 10:45

Ndeshja çerekfinale e Kupës së Mbretit të së enjtes, mes Real Madridit dhe Atletico Madridit, u përshkrua me momente të diskutueshme.

Atletico, që ishte duke udhëhequr me rezultatin minimal në këtë ndeshje nga minuta e 19-të deri në minutën e 79-të, pësoi humbje 3:1 pas vazhdimeve, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Skuadra e Diego Simeones mbeti me një futbollist më pak në vazhdime, pasi Stefan Savic u përjashtua në minutën e 99-të, pasi mori kartonin e dytë të verdhë.

“Los Colchoneros” ishin të “zemëruar” me faktin që një dënim i ngjashëm nuk iu dha Dani Ceballos në kohën e rregullt, kur ata po udhëhiqnin me rezultatin 0:1.

Drejtori Ekzekutiv i Atletico Madridit tani është shprehur se beson se rivalët e tyre të qytetit favorizohen në mënyrë të pavullnetshme nga gjyqtarët. Në një deklaratë për faqen zyrtare të klubit, Miguel Angel Gil Marin, tha se Real Madridi ka krijuar një atmosferë që ndikon në zyrtarët e ndeshjes.

“Kam respekt maksimal për kolektivin e gjyqtarëve dhe jam i bindur se qëllimi i tyre është gjithmonë më i miri, por kushdo që vëzhgon (situatën) nga jashtë mund të shohë se për dekada pothuajse gjithmonë ndodh e njëjta gjë. Fatkeqësisht nuk befason më askënd, nuk është lajm. Është shumë e qartë dhe ju vetëm duhet të mbani mend historinë”, tha fillimisht ai.

“(Real) Madridi është një klub me një mjedis shumë të fortë, me shumë interesa rreth tij. Ata krijojnë një presion të tillë, saqë është normale që të ndikojë tek njerëzit që duhet të marrin vendime. Ata janë të vetëdijshëm se çfarë i pret nëse dëmtohen me ndonjë gabim apo edhe me ndonjë sukses. Është e zakonshme të bëhet fushatë kundër atyre që ata i konsiderojnë të dëmshëm”, vazhdoi tutje “CEO” i klubit nga “Wanda Metropolitano”.

Duke marrë parasysh këtë, Gil Marin beson se nuk është për t’u habitur që Ceballos nuk u përjashtua, pavarësisht se ai beson se rregullat e lojës thonë se mesfushori spanjoll duhej të ndëshkohej.

“Kartoni i verdhë i dytë ishte i dukshëm, i padyshimtë dhe i përshtatur me rregulloret. Por, me 0-1, në minutën e 71-të, të luash për gjysmëfinalen e Kupës në stadiumin e tyre, duke lënë Real Madridin me 10 lojtarë është një vendim i madh”, deklaroi Miguel Angel Gil Marin.

Mbetet për t’u parë nëse Real Madridi ose Federata Mbretërore e Futbollit në Spanjë (RFEF) do të japin një përgjigje ndaj komenteve të Gil Marin. /Gazeta Express/