Dr. Daniela Bega, mjekja që lufton çdo ditë me vdekjen - Gazeta Express
string(52) "dr-daniela-bega-mjekja-qe-lufton-cdo-dite-me-vdekjen"

Dr. Daniela Bega, mjekja që lufton çdo ditë me vdekjen

Shqiperi

Gazeta Express

09/06/2023 12:20

Një mjek është një HERO! Ky është një profesion, që ndryshe nga të tjerët kërkon humanizëm, sakrificë personale, përkushtim…Por gjithashtu edhe shpërblimi që merr mbrapsht është shumë i madh! Kështu është edhe për dr. Daniela Begën: “Është një motivim, zgjohem në mëngjes dhe e di që do bëj diçka të mirë, do ndihmoj dikë. Një mjek i mirë është ai që e do pacientin.”

 “Streha e kujdesit dhe e shpresës”, kështu e quan dr. Daniela spitalin.

Lexo Edhe:

Edhe pse për dr. Daniela Begën përpjekjet kanë qenë të shumta, që kontributin e saj ta jepte në spitalet shtetërore, për shkak të mungesës së meritokracisë është përballur me pengesa që e kanë çuar drejt shërbimit privat shëndetësor në vend. Ajo nuk ka dashur të largohet nga Shqipëria sepse është vendi i saj, por përballja me mungesën e meritokracisë e ka bërë pesimiste dhe ka ndryshuar mendim, duke e parë edhe të punuarit jashtë Shqipërie si një mundësi në të ardhmen.

Dr. Daniela Bega lindi më 6 janar 1986 në fshatin Sinanaj, në Tepelenë. Vjen nga një familje e vogël që përbëhet nga dy prindërit dhe vëllai i saj. Ajo u largua nga vendlindja pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare për të ndjekur studimet në Tiranë, së bashku më vëllain e saj. Në Tiranë ka kryer gjimnazin “Eqrem Çabej” (2001-2004) dhe studimet e larta, nga viti 2004-2010 në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

“Jeta është shumë e shtrenjtë dhe duhet vlerësuar,” thotë ajo.

Dr. Bega u specializua për onkologji (2011-2014), në një fushë të vështirë, ku lufta jetë-vdekje është shumë e fortë… Por gjithashtu edhe forca dhe dashuria për jetën shumë më e madhe. Shumë herë ia ka dal ta fitojë këtë betejë së bashku me pacientët e saj, e herë të tjera jo…“Onkologjia është shumë e vështirë dhe njëkohësisht e bukur, ku të sëmurët luftojnë me një sëmundje jetëkërcënuese. Mjeku me mbështetjen, kujdesin dhe dhënien e shpresës ia bën më të lehtë rrugën e sëmundjes.”

Dr. Daniela Bega ka një eksperiencë pune prej 11 vitesh (8 vite mjeke kliniciste onkologe dhe 3 vite specializim). Në Tepelenë, Shkodër dhe së fundmi prej disa vitesh jep kontributin e saj në Tiranë, në një prej spitaleve private në vend (Spitali Amerikan).

Këmbëngulja e saj ka qenë shumë e madhe për të punuar në sistemin shëndetësor shtetëror, madje në emër të misionit të mjekut ajo u zhvendos në Shkodër të punonte, në një qytet ku nuk njihte asnjë…”Pas mbarimit të fakultetit kam punuar si mjeke familje për disa muaj në Tepelenë, pastaj kam fituar specializimin për onkologji. Pas mbarimit të specializimit zgjodha të punoj në Shkodër sepse në Tiranë, për shkak të mungesës së meritokracisë nuk ishte e mundur të punoja. Shkodrën e zgjodha duke u bazuar në informacionin që mora, se aty prej shumë vitesh nuk kishte mjek onkolog. Dëshira për të punuar dhe fakti që është një qytet me kultrurë dhe traditë. Fillimet e mia si onkologe kanë qenë të vështira sepse ishte një qytet i huaj për mua, por edhe mungesa e eksperiencës, diferenca kulturore mes Shkodrës dhe qytetit ku unë isha rritur, faktit që unë do të punoja në një shërbim që sapo ishte hapur në Spitalin e Shkodrës, kujdesi paliativ dhe kimioterapisë një shërbim i ri në këtë spital.”

E mes gjithë sfidave dhe këmbënguljes, së bashku me stafin ata ia dolën të ofronin një shërbim të një niveli të lartë për pacientët e tyre… “Pavarësisht se fillimi ishte i vështirë, fal punës këmbëngulëse dhe bashkëpunimit me stafin dhe gjithë kolegët e Spitalit të Shkodrës, ne arritëm që shërbimi i kujdesit paliativ dhe kimioterapisë të ishte një shërbim model dhe pacientët ta marrnin shërbimin në qytetin e tyre, brenda gjithë standarteve mjekësore duke evituar rrugën në Tiranë.”

Në vitin 2018, Dr. Daniela u largua nga Shkodra me përshtypjen më të mire, “Iu jam mirënjohëse të gjithëve, si stafit dhe pacientëve për respektin dhe vlerësimim e tyre”, thotë ajo. “Dëshira ime ishte të punoja në një spital shtetëror, por ishte e pamundur dhe zgjodha te punoj te Spitali Amerikan, ku punoj prej 4 vitesh.”

Onkologjia nuk është aspak e lehtë! Jeta është e shtrenjtë për të gjithë. COVID-19 ka përkeqësuar situatën sepse shumë pacientë janë diagnostikuar në stad të vonshëm dhe sjellje agresive të sëmundjeve. Diagnoza onkologjike është jetë kërcënuese dhe për arsye të ndryshme nuk është rutinë konsulta me psikologun dhe punonjësin social, ndaj janë pikërisht mjekët ata të cilët duhet të japin lajmet jo të mira pacientëve, thotë dr. Daniela. Mjeku nuk e trajton njeriun nga mosha pavarësisht se për një moshë të re dhimbja është më e madhe. “Unë kam një raport shumë të mirë me pacientët e mi, ne krijojmë një raport besimi, i’u jap kurajo, mbështetje, shpresë që në fund të tunelit ka dritë.”

Vështirësitë gjatë këtij profesioni, sigurisht janë të shumta. Por ajo veçanërisht përmend mungesën e terapive të reja bashkëkohore dhe teknikat e reja diagnostikuese. Është fakt që sëmundjet tumorale janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, por dr. Daniela na jep edhe një lajm të mirë, edhe atë të rritjes të rasteve të suksesit. “Ka rritje të rasteve tumoriale dhe nga ana tjetër në sajë të teknikave të reja diagnostikuese dhe alternativave të reja të mjekimit si (imunoterapia, terapia molekulare) kemi edhe rritje të rasteve të suksesit.”

Kategoria më e riskuar për t`u prekur nga sëmundjet tumoriale janë individët që kanë histori familjare me këto sëmundje, mosha që për fat të keq është ulur ku përfshihen individët mbi 40 vjeç. Por edhe stili i jetesës, cilësia dhe mundësia për kujdesin shëndetësor, janë faktorë që ndikojnë. Këto sëmundje mund të parandalohen dhe këshilla e saj është: “Kemi parandalim parësor të evitojmë rrezikun (jo konsumimi i ushqimeve të dëmshme), vaksinimi i papiloma virus, mbrojtja nga rrezet e forta të diellit etj. Parandalimi dytësor kur sëmundja është në trup por nuk ka dhënë shenja dhe mund ta zbulojmë me anë të një pap-test, mamografi etj.”

“Por fatkeqësisht ndërgjegjësimi i shqiptarëve lë për të dëshiruar…”

Ashtu si çdo mjek, kur përballen me raste që nuk kanë mundur ta fitojnë luftën me vdekjen, edhe ajo e ka menduar të heqi dorë nga ky profesion: “Edhe e kam menduar të largohem…në rastet kur trajtimi i një pacienti nuk ka rezultuar me sukses mbingarkohesh dhe dëshiron ta lësh si profesion, por më pas kam menduar se pacientët kanë nevojë për mua dhe kam vazhduar.”

Dr. Daniela është rritur në një ambient të shëndetshëm familjar, e ushqyer me shumë dashuri dhe humanizëm për të tjerët, fëmijëria ka qenë shumë e lumtur për të…“Gjithmonë më ka pëlqyer t`i ndihmoj njerëzit. Në fillim doja të bëhesha pediatre, por gjatë rrugës më ndryshoi mendja dhe zgjodha të bëhesha onkologe. Fëmijëria ka qenë një periudhe shumë e bukur për mua, rrethuar nga dashuria e prindërve të mi.

Mami im, duke qenë mesuese, gjithmonë ishte prezente dhe kalonte një kohë të gjatë me mua dhe këmbëngulte vazhdimisht që unë të lexoja sa me shumë libra, dhe gjithmonë më thoshte që nëse do të bëhesh dikush duhet të harxhosh më shume kohë me libra, vetëm me njohuritë që ti do të fitosh do t`ia dalësh të arrish qëllimet e tua, ndërsa babi më ka trasmetuar humanizmin dhe deshirën për t`i ndihmuar dhe mbështetur njerëzit në nevojë, gjë të cilën ai e ka bërë vazhdimisht në punën e tij, ndërsa dashuria e gjyshes sime me të cilën kam qenë shumë e lidhur ka ndikuar në formimin tim si personalitet.”

Pothuajse të gjithë ditën dr. Daniela e kalon në spital. Jemi më të predispozuar ndaj sindromës BurnOut dhe është e vështirë të ruhet ekuilibri jetë personale-jetë profesionale”, thotë dr. Daniela… “Pasi dal nga spitali shkëkupem komplet nga puna, gjatë rrugës për në shtëpi mendoj për gjërat e mia personale, takoj familjarë, miq dhe kryej aktivitete të ndryshme, për të dalë nga rutina për të hequr mbingarkesën emocionale që kam marrë gjatë ditës.”

Mjeku onkolog është një mjek që më shumë se çdo specialitet tjetër lidhjen me pacientin e ka më delikat: “Ju premtoj që çdo etapë nga momenti i diagnozës deri në trajtimin e saj do të jemi së bashku, do ta luftojmë sëbashku. Asnjëherë nuk duhet ta humbasim shpresën, duhet të luftojnë deri në momentin e fundit për jetën e tyre.” Një profesion aspak i lehtë, që hera herës përveçse kërkon të jesh një mjek profesionist, kërkon edhe shumë humanizëm, si dr.Daniela, shembulli i një mjeke që me pasionin dhe përkushtimin e saj të frymëzon.