Dosja për policin 56-vjeç: Sulmoi seksualisht për 5 muaj 15-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore - Gazeta Express
string(98) "dosja-per-policin-56-vjec-sulmoi-seksualisht-15-vjecaren-me-aftesi-te-kufizuara-mendore-per-5-muaj"

Dosja për policin 56-vjeç: Sulmoi seksualisht për 5 muaj 15-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

Lajme

Merita Miftari

22/04/2021 16:17

Zyrtari policor i Njësisë Rajonale në Gjilan, R.Sh., 56-vjeçar, dyshohet se për pesë muaj, në intervale të ndryshme kohore, ka sulmuar seksualisht një 15-vjeçare me aftësi të kufizuar mendore.

Në dosjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, të cilën e ka siguruar Gazeta Express, thuhet se zyrtari policor R.Sh., nga nëntori i vitit 2020 deri më 20.04.2021, është takuar disa herë në banesën e të dëmtuarës (e mitur), me aftësi të kufizuar mendore dhe ndaj të njëjtës ka ushtruar sulm seksual.

Lexo Edhe:

Sipas prokurorisë, zyrtari policor ka puthur të dëmtuarën në fytyrë, në buzë dhe në pjesën e gjoksit.

“…dhe atë përqafimet me të si dhe prekjet në zonat intime dhe këto veprimet i ka përsëritur në intervale të ndryshme kohore”, thuhet tutje.

Prokuroria thekson se i pandehuri ka pasur njohuri për moshën dhe gjendjen shëndetësore të të dëmtuarës, por megjithatë ndaj të njëjtës shpesh herë ka kryer sulmin seksual.

“Dyshimi i bazuar se i pandehuri, e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë rezulton nga kallëzimi penal i Inspektoratit Policor të Kosovës”, thekson prokuroria.

Prandaj, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj zyrtarit policor.

Rastin e ka bërë të ditur dje Inspektorati Policor i Kosovës, duke njoftuar se polici i dyshuar, përveç arrestimit është suspenduar deri në përfundim të hetimit.

“Si rezultat i veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi në bazë të të cilave dyshohet se zyrtari policor ka kryer veprën penale të “sulmit seksual” ndaj viktimës së këtij rasti (një e mitur).Bazuar në këto dyshime, sot në orët e pasdites është arrestuar zyrtari policor (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar IPK.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës të prokurorisë Themelore në Gjilan”, përfundon njoftimi i IPK-së. /Gazeta Express/