Donnarumma i siguron tifozët e Milanit për të ardhmen e tij


Gazeta Express
10 Korrik 2019 15:47

Portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, thotë se është gati ta fillojë sezonin e ri me skuadrën e Milanit dhe ta përdorë zhgënjimin e sezonit të kaluar si shtysë ekstra për sezonin e ri.

Milani e mposhti SPAL-in me rezultat 2:1 në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar të Serisë A, mirë Gianluigi Donnarumma e la ndeshjen i lënduar dhe në fund kuqezinjtë nuk arritën të kualifikohen në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Kjo ka bërë që të ketë edhe më shumë spekulime se portieri italian e kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit për Milanin. Mirëpo, ai tani i ka qetësuar tifozët e gjigantit italian, duke thënë se do të qëndrojë edhe më tutje.

“Unë u ktheva pak më herët për t’u bërë gati për sot dhe për ta filluar turneun parasezonal me pjesën tjetër të skuadrës. Më erdhi keq që u detyrova të dal nga fusha vetëm pas disa minutave lojë në Ferrra, por jam gati ta nisim sezonin e ri”, ka thënë Donnarumma për MilanTV.

“Dita e para e parasezonit më sjell emocione shumë të forta. Gjithmonë më duket si hera e parë, kështu që jam i emocionuar dhe mezi po pres të fillojë të jap gjithçka nga vetja. Duhet të japim gjithçka për t’u kthyer aty ku duam të jemi, në Evropë”.

“Më vjen keq për mënyrën se si na shkoi sezoni i kaluar, edhe pse, siç thanë drejtorët dhe trajneri, ne mund të punojmë shumë për t’u kthyer aty ku e meritojmë të jemi”.

“Dhjetë minuta para fundit të ndeshjes, ne ishim në Ligën e Kampionëve, por të gjithë e dimë si përfundoi. Ishim shumë të zhgënjyer, por duhet ta përdorim këtë për ta shtyrë veten edhe më shumë këtë sezon”.

“Jam shumë më i pjekur tani. Edhe pse jam ende 20-vjeçar, ndihem si burrë falë Milanit. Unë gjithashtu jam përmirësuar shumë si lojtar, por duhet të përmirësohem edhe më shumë sepse kjo gjë nuk përfundon asnjëherë. Në çdo stërvitje, duhet të japësh gjithçka për t’u përmirësuar edhe më shumë”. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart