Dokumenti i Senatit Amerikan: Finalja Kosovë - Serbi duhet të mbyllet me njohje reciproke, SHBA-ja duhet ta mbështesë ushtrinë e Kosovës - Gazeta Express

Dokumenti i Senatit Amerikan: Finalja Kosovë – Serbi duhet të mbyllet me njohje reciproke, SHBA-ja duhet ta mbështesë ushtrinë e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

02/07/2020 13:37

SHBA-ja duhet t’i mbështesë përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje finale e historike që si element kryesor ka njohjen reciproke. Trupat amerikane duhet të mbesin në misionin e KFOR-it dhe SHBA-së duhet të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës drejt një transformimi në një ushtri dhe gjithashtu anëtarësimin në NATO. Rusia ka bërë përpjekje për acarimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka minuar sigurinë në Mal të Zi përmes përpjekjeve për grusht shteti dhe ka bërë përpjekje të pengojë Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit në NATO. Të gjitha këto janë thekse të një raporti të Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura për vitin fiskal 2021.

Gazeta Express

Komiteti i Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura ka publikuar në faqen e tyre zyrtare një dosje për vitin fiskal 2021, dokument në të cilin përmendet edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjen finale mes dy shteteve, përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu për përkrahjen që SHBA-ja duhet t’ia japë Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në dokument thuhet se Komiteti për Shërbime të Armatosura beson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë përkrahjen për Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje historike e cila do të ketë si element kryesor njohjen reciproke.

“Komiteti beson se SHBA-ja duhet të vazhdojë të mbështesë përpjekjet diplomatike të Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje historike për normalizim të raporteve me njohjen reciproke si element qendror. Një marrëveshje e tillë është në interes të dy shteteve dhe do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në dokument.

Në këtë raport Senatit Amerikan thuhet se SHBA-ja duhet të vazhdojnë të mbështesin tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt një ushtrie multi-etnike, e cila ndërvepron me anëtarët e NATO-s përmes një procesi transparent që respekton dhe të gjitha të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe promovon sigurinë dhe stabilitetin rajonal, raporton Gazeta Express.

Po ashtu bëhet thirrje që ushtarët amerikanë të vazhdojnë të qëndrojnë në kuadër të KFOR-it, pasi që sipas Komitetit për Shërbime të Armatosura një gjë e tillë është jetike për suksesin dhe besueshmërinë e misionit të KFOR-it në Kosovë. Vlerësohet gjithashtu se roli i KFOR-it për stabilitetin e rajonit është edhe thelbësor për suksesin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve.

“Komiteti vlerëson se KFOR-i vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit që është thelbësor për suksesin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Pjesëmarrja e Forcave të Armatosura të SHBA-së për KFOR-in janë fundamentale për suksesin dhe besueshmërinë e misionit të KFOR-it”, potencon raporti i siguruar nga Gazeta Express.

“Shtuar kësaj, komiteti beson se SHBA-ja duhet të vazhdojë përkrahjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës drejt një transformimi gradual në një ushtri multi-etnike të Republikës së Kosovës që ndërvepron me anëtarët e NATO-s, përmes një procesi transparent dhe që respekton të drejtat dhe të gjitha shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Kosovës, promovon stabilitetin dhe sigurinë rajonale, dhe mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO”.

Gjithashtu, thuhet se SHBA-ja duhet të mbështesë aspiratat e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO.

Në këtë raport është përmendur edhe influenca ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Siç shkruhet në dosje, Rusia ka bërë përpjekje për përkeqësimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka minuar stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës duke mbështetur grupe ekstremiste.

Përveç kësaj, në raport Rusia thuhet se është përgjegjëse për grusht-shtetin në Malin e Zi dhe, gjithashtu, për përpjekjet që të parandalojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Si rezultat i këtyre, Komiteti ka ftuar Sekretarin e Mbrojtjes që të raportojë jo më larg se data 30 tetor 2020 për synimet e SHBA-së për promovimin e sigurisë dhe bashkëpunimin me vendet e Ballkanit për të reduktuar gjithashtu varësinë e tyre nga sistemet e armatosura ruse. /GazetaExpress/