Doktori Salih Krasniqi flet për motrën e vrarë nga bashkëshorti i saj në Dardani


Gazeta Express
25 Prill 2019 10:48

Gjatë ditës së djeshme, në varrezat e Zllatarit në Matiçan, i është dhënë lamtumira e fundit 60-vjeçares Hysnije Krasniqi, e cila ndërroi jetë në ngjarjen tragjike të së hënës në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Ajo u vra nga bashkëshorti i saj Hasan Krasniqi, i cili vrau gjithashtu edhe renë 28 vjeçare [Remzije Krasniqi] dhe në fund edhe veten. Vëllai i të ndjerës, doktor Salihi Krasniqi, ka treguar arsyet pse motra e tij nuk është varrosur në të njëjtat varreza me bashkëshortin e saj dhe njëherësh dorasin e këtij krimi.

Ai ka thënë se si familje nuk kanë lejuar që motra e tij të varroset afër dorasit. Krasniqi ka konfirmuar se motra e tij dhe bashkëshorti i saj, të dy tashmë të ndjerë, kanë pasë probleme bashkëshortore edhe më herët.

Ai, gjithashtu, ka thënë se Hasan Krasniqi ka pasur në të kaluarën vizita te neuropsikiatri.

61-vjeçari Hasan Krasniqi, ditë më parë, në lagjen “Dardania” kreu një krim të trefishtë pasi vrau gruan e tij [Hysnije Krasniqi] një vit më të re, renë 28 vjeçare [Remzije Krasniqi] dhe në fund edhe veten.

Dy djemtë e të ndjerit nuk kanë dashur të flasin për këtë rast duke thënë se kjo çfarë ka ndodhur është një tragjedi.

Motivet e këtij krimi të trefishtë ende nuk janë tërësisht të qarta, mirëpo besohet se autori kishte probleme psikike.

Te fundit


Kthehu lart