Dogana sekuestron 29 ton duhan dhe cigare


Gazeta Express
11 Korrik 2019 16:41

Mbi 16 ton cigare ka konfiskuar Dogana në pikën kufitare Bogorodicë, ndërsa në Tabanovcë ishte parandaluar përpjekja për futjen në mënyrë të paligjshme 13 ton duhan.

Nëse ky mall  do të përfundonte në shitje me pakicë, dëmi do të ishte rreth një milion euro për shtetin.

Bëhet fjalë për marka kineze të cigareve që janë prodhuar në një vend tjetër ku kompania kineze ka fabrikën e vet.

“Ndaj tre personave është ngritur padi penale për kontrabandë.Në vendkalimin kufitar të Tabanocit më 28 maj 2019, gjatë kontrollit të një mjeti motorik u konstatua se i njëjti përmbante njëmijë pako cigare ilegale, me një peshë totale prej 15,000 kg. Në vendkalimin kufitar Bogorodicë më 16 maj 2019, rreth orës 18:00, shërbimet doganore konfiskuan një mjet transporti në të cilin ishin fshehur  130 pako me peshë neto 13,000 kilogram, ndërsa pesha bruto ishte 14,300 me duhan në fletë” deklaroi Gjoko Tanasoski, drejtor i Drejtorisë së Doganave.

Ende duhet të përcaktohet nëse kjo përpjekje për hyrjen e paligjshme të duhanit ka lidhje me duhanin që u konfiskua në Luboten më pak se një muaj më parë.

Drejtori edhe njëherë siguron se doganat nuk kanë asnjë lidhje me atë aferë.

“Sipas informatave që kemi deri tani nuk kemi konstatuar një situatë të shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, nëse gjatë hetimit rezulton se ndonjë person e ka bërë këtë, ne do të veprojmë në përputhje me procedurat e brendshme” shtoi Gjoko Tanasoski.

Në aksionin e Policisë Financiare në fshatin Luboten të Shkupit u konfiskuan 12 ton duhan.

Hetim është hapur për katër persona që dyshohet se kanë kontrabanduar  duhanin.

Drejtori i Policisë Financiare Arafat Muaremi, gjatë atyre ditëve në një intervistë për Alsatin, tha se në kontrabandën e duhanit ishin përfshirë persona nga Ministria e Ekonomisë dhe Drejtoria e Doganave, shkruan Alsat.

Te fundit


Kthehu lart