Ditari i javës / Michihiko Hachiya: Ditari i Hiroshimës - 15 gusht 1945 - Gazeta Express
string(66) "ditari-i-javes-michihiko-hachiya-ditari-i-hiroshimes-15-gusht-1945"

Ditari i javës / Michihiko Hachiya: Ditari i Hiroshimës – 15 gusht 1945

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 16:02

Michihico Hachiya (1903–1980), drejtor i spitalit të vetëm të mbetur në këmbë në Hiroshima, më 6 gusht 1945, kur qyteti u godit nga bomba e parë atomike, i ka regjistruar në këtë ditar ngjarjet përreth tij dhe vrojtimet e tij, nga ajo ditë e tmerrshme e epokës bërthamore deri më 30 shtator 1945

15 gusht 1945

Lexo Edhe:

Drejtori Okamoto, që kishte qëndruar afër aparatit, na tha: “Foli perandori personalisht dhe thjesht tha se e kemi humbur luftën. Deri në urdhrin e ri ju lutem të ktheheni në vendin tuaj të punës”.

Kisha pritur një komunikatë ku do të na thuhej të rezistonim deri në fund, po ajo që kuptova ishte krejtësisht i papritur, aq sa më la gojëhapur. Perandori personalisht e kishte lexuar deklaratën perandorake të dorëzimit! Isha pothuajse i paralizuar, nuk arrija aq të qaja. Edhe unë si të tjerët, kur kisha dëgjuar ta përmendnin perandorin isha vënë gatitu dhe për një copë kohë të gjithë kishim qëndruar në heshtje dhe pa lëvizur. Sytë më ishin mjegulluar, po i kërcisja dhëmbët dhe ndieja një djersë të ftohtë përgjatë shpinës.

Mandej u shkunda; u ktheva në spital dhe u shtriva në shtrat. Më dukej se po e dëgjoja një zë që vazhdonte të ma përsëriste në vesh: “Lufta është humbur!”.

Në repart heshtja zgjati gjatë. Në fund u dëgjua dikush të qante. Pashë rrotull. Në fytyrat e shokëve të mi sigurisht s’kishte asnjë fije shprehjeje krenarie, por vetëm dëshpërim dhe mosbesim.

Pak e nga pak nisën të pëshpëritnin mes vete, mandej të flisnin me zë më të lartë dhe në fund një zë u çor: “Nuk është e mundshme të na kenë mposhtur!”.

Atë çirrje e pasuan mallkime e thirrma zemërimi.

“Vetëm një frikacak do ta pranonte dorëzimin!”.

“Na e kanë luajtur mirë!”.

“Më mirë të vdisnim se sa të dorëzoheshim!”.

“Merreni me mend sa shumë kemi vuajtur për asgjë!”.

“Të vdekurit do të rrotullohen në varr!”.

Spitali dukej si një kafaz të marrësh dhe s’kishe as pse të provoje t’i qetoje. Deri edhe ata që e kishin mbështetur nevojën për të bërë paqe dhe ata të cilëve pika ua kishte hequr dëshirën e luftës ulërinin se duhej të vazhdonim të luftonim. E tash që dorëzimi ishte punë e kryer, e parefuzueshme dhe përfundimtare, dukej se i kishte kapur frenezia; gjithçka ishte humbur, frika e më të keqes kishte kaluar dhe ata tash tregoheshin sypatrembur. Edhe unë i infektova nga humori i tyre, më dukej e domosdoshme të luftonim deri në frymën e fundit. Pse të vazhdonim të jetonim të gjymtuar dhe të sakatuar? A nuk ishte më mirë të vdisnim për atdheun dhe t’i jepnim fund jetës në një mënyrë të bukur në vend se të mbijetonim me marre dhe turp?

Një fjalë e vetme – dorëzim – në Hiroshimë kishte shkaktuar më shumë trazirë se sa bombardimi. Sa më shumë që e mendoja aq më shumë ndihesha i trishtuar dhe i pangushëlluar.

Por urdhrin për dorëzim e kishte dhënë perandori dhe ne duhej të bindeshim. E duke na thënë se duhej ta duronim të padurueshmen, kishte dashur të na thoshte se duhej të dorëzohej i tërë kombi. Ia përsërita vetes shumë herë këtë frazë, por, sa më shumë që e bëja, vazhdoja të ndieja një lloj boshllëku dhe turbullire. Në fund më erdhi një mendim tjetër.

Katër vjet më parë, gjatë aktit të shpalljes së luftës, askush nuk bëhej merak për pasojat, askush nuk mendonte se do të vinte një ditë si kjo. Pse atëherë nuk i kishim kërkuar perandorit të dëgjohej zëri i tij? Thjesht ngase në skenë ishte një aktor i vetëm, Toio, që bënte krejt çka i vinte në mendje. Më dukej se po e dëgjoja përsëri të më kumbonte në veshë zëri i tij cijatës.

 Nisa ta kisha me ushtrinë. “A mund ta dimë”, thosha me vete, “çka mendonit ju se është perandori? Ia keni nisur luftës me kokën tuaj. E kur gjërat shkonin mirë, fryheshit si kaposhë, por sapo filluan t’jua tregojnë qejfin, bëtë çmos t’i fshihni humbjet dhe vetëm kur u gjendet të mbështetur për muri, u kthyet kah perandori! Ende paskeni guxim ta quani veten ushtarë? S’kishte zgjidhje tjetër për ju: bëni harakiri dhe shkoni në ferr!”.

Si për t’ju bërë jehonë mendimeve të mia, u dëgjua një britmë: “Gjeneral Toio, copë hajvani kokëfortë, futja vetes në bark dhe cof!”.

/Marrë nga Michihico Hachiya, Diario di Hiroshima, Feltrinelli, 1960

/Gazeta Express