Ditari i javës / Bajroni: 16 nëntor 1813 - Gazeta Express
string(37) "ditari-i-javes-bajroni-16-nentor-1813"

Arte

Gazeta Express

25/11/2022 17:09

Ditari i javës / Bajroni: 16 nëntor 1813

Arte

Gazeta Express

25/11/2022 17:09

George Gordon Noel Byron, i njohur si Lordi Bajron (1788 – 1824), ka qenë fisnik, poet dhe politikan britanik.

16 nëntor 1813

Lexo Edhe:

Mbrëmë shkova me Luisin në premierën e Antoni dhe Kleopatra. Vënie në skenë e mrekullueshme dhe recitim i mirë – një përzierje e Shekspirit dhe Drydenit. Kleopatra më duket personifikim i seksit të saj – e ngrohtë, e gjallë, e trishtë, e butë, provokuese, e përulur, hundëpërpjetë, shumë e bukur, demoni! – lozonjare deri në pikën e fundit, me aspidin si me Antonin. Pasi që është bërë gjithçka që është e mundshme për ta bindur se – po pse e kanë kaq shumë me të pse ia ka prerë kokën atij frikacakut, Ciceronit? A nuk i kishte thënë Tullio Brutit se kishte qenë mëkat kursimi i Antonit? E a nuk i kishte deklamuar ai filipikat? Pastaj, a nuk janë gjëra, fjalët? Bile, disa fjalë, gjëra njëmend të rrezikshme? Po t’i kishte pasur njëqind koka, secila do të kishte merituar (nga ana e Antonit) një sqep (maje të të cilit damarin e tij të shpuar) – sado që, në fund të fundit, edhe do të mund ta falte, që të mburrej pastaj. Por që të kthehem aty ku e lashë – Kleopatra, pasi që e kishte lidhur pas vetes, i thotë: «Megjithatë shko – është në interesin tënd», etj. – tipike për gjininë e butë! E pyetjet mbi Oktavian – është në gjithçka dhe për gjithçka grua.

Sot e kam marrë ftesën nga ana e Lord Jersey të shkoj në Middleton – një udhëtim gjashtëdhjetë milje për ta takuar Madame de Staël! Njëherë i kam bërë tremijë sish për t’u gjendur në mesin e ca njerëzve të heshtur; teksa zonja në fjalë shkruan ble in-ottavo dhe flet format in-folio. I kam lexuar librat e saj – për më tepër më pëlqejnë, i fundit bile është magjepsës; prandaj, pasi që e kam lexuar, s’e kam ndërmend ta dëgjoj.

Sot e lexova Bërnsin. Çka do të ishte bërë po të kishte qenë patric?

Do të kishim pasur më shumë shkëlqim – më pak forcë – numrin e njëjtë të poezive, por jo pavdekësi – një shkurorëzim dhe një duel a dy, të cilëve po t’u shpëtonte taksa alkoolike e libacioneve do të ishte më e vogël, do të kishte rrojtur sa Sheridani, duke i mbijetuar vetvetes të paktën sa i shkreti Brinsley. Çfarë zezone jeta e këtij njeriu! Dhe e gjitha për shkak të një lundrimi të keq; se erëra më të mira s’ka pasur askush, sado që nganjëherë paksa të stuhishme.

Sherry i dashur i shkretë! S’do ta harroj kurrë ditën që ai, Rogers, Moore dhe unë e kaluam bashkë; ai fliste e ne e dëgjonim, pa na luajtur qerpiku, nga ora gjashtë e mbrëmjes deri në orën një pasmesnate.

I kam marrë vulat… Sërish e kam harruar lodrën për ma petite cousine Eliza; duhet ta marr nesër. Shpresoj që Herry të ma sjellë. Ia kam dërguar Lord Hollandit bocat e para të Giaour-it dhe të Bride of Abydos. Kjo e fundit nuk do t’i pëlqejë, siç s’do të më pëlqejë as mua pas pak kohësh. E kam shkruar për katër net për ta hequr mendjen nga***. Përndryshe kush do ta kishte shkruar; e nëse në ato momente s’do të kisha bërë asgjë, do të isha çmendur nga vuajtjet e zemrës – dietë e hidhët! – Hodgson e preferon më shumë se Giaourin, por askush tjetër s’do ta bëjë – e atij Fragmenti s’i ka pëlqyer kurrë. Jam i sigurt se ky, po të mos ishe për Murray-n, s’do ta kishin botuar kurrë, edhe pse rrethanat që janë në bazë e bëjnë… durim!

Sonte i kam parë të dy motrat e ***, Zoti im! Më e reja i ngjan aq shumë! Do të duhej të kërceja nga njëri skaj në tjetrin të teatrit dhe jam shumë i lumtur që s’ishte askush me mua në skenën e Lady H. Sa i urrej ca ngjashmëri – tusha përqeshëse, jo bilbili – aq të ngjashme sa të ta ngjallin kujtimin, aq të ndryshme sa të të shkaktojnë dhimbje.

Marrë nga George B. Byron: “Un vaso d’alabastro illuminato dall’interno” Adelphi, 2018

/Përkthimi: Gazeta Express