Ditari i javës / Ana Franku - Gazeta Express
string(25) "ditari-i-javes-anna-frank"

Ditari i javës / Ana Franku

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:11

Anna Franku e ka mbajtur këtë ditar nga data 12 qershor 1942 deri më 1 gusht 1944.

E mërkurë, 8 korrik 1942

Lexo Edhe:

E dashur Kiti,

Nga e diela në mëngjes deri sot, duket sikur janë rrokullisur vite. Kanë ndodhur kaq shumë ngjarje, sa më ngjan sikur befas bota u kthye përmbys! Por, Kiti, siç e sheh, unë jam ende gjallë, dhe kjo është më kryesorja, sipas babait. Po, jam ende gjallë, por mos pyet ku dhe si. Kam frikë se ti sot nuk do kuptosh gjë nga këto që po të shkruaj, kështu që po të rrëfej fije e për pe çfarë ndodhi të dielën pasdite.

Në orën tre (Helloja sapo kishte dalë dhe do të kthehej përsëri), dikush i ra ziles së derës. Unë nuk dëgjova gjë, se isha ulur në një shezlong në verandë, po lexoja e po merrja rreze dielli. Margoja erdhi te dera e kuzhinës shumë e shqetësuar.- Ana, kanë sjellë një fletëthirrje nga SS-të për babanë,- pëshpëriti, mamaja shkoi menjëherë te Van Danët. (Van Dani është një mik i ngushtë dhe ortak i babait).

U tremba per vdekje. Një fletëthirrje… gjithkush e di çfarë do të thotë: më dolën para sysh aty për aty kampet e përqendrimit, qelitë e izoluara… dhe ne ta lëmë babanë të shkojë atje?

– Natyrisht që jo, ai nuk do të shkojë,- tha Margoja e sigurt, ndërsa po prisnim mamanë.- Mamaja është nisur te Van Danët për t’i pyetur nëse mund të fshihemi që nesër. Van Danët do të vijnë të fshihen me ne. Kështu që do të bëhemi shtatë veta. Heshtje. Nuk e hapnim dot më gojën, ideja që babai, duke mos dyshuar për asgjë, kishte vajtur të vizitonte disa klientë të tij në azilin e çifutëve, pritja e mamasë, vapa, ankthi… të gjitha këto na e kishin qepur gojën.

Befas zilja ra prapë.- Është Helloja,- thashë unë. – Mos e hap!- tha Margoja, por nuk ishte e nevojshme. – Dëgjuam poshtë mamanë dhe zotin Van Dan duke biseduar me Hellon. Pastaj hynë brenda dhe kyçën derën. Sa herë binte zilja, unë ose Margoja duhej të zbrisnim póshtë në majë të gishtave për të parë se mos ishte babai, askujt tjetër nuk do t’ia hapnim derën. Mua dhe Margosë na thanë të dilnim nga dhoma. Van Dani donte të fliste vetëm për vetëm me mamanë.

Ndërsa ishim në dhomën tonë, Margoja më tregoi se fletë thirrja nuk ishte për babanë, por për atë vetë. U tremba sërish dhe ia shkrepa të qarit. Margoja është 16 vjeç, si kështu, duan të nisin vajza kaq të reja vetëm? Por për fat, ajo nuk do të shkojë. E tha edhe mamaja; dhe sigurisht edhe babai këtë kishte ndër mend, kur më foli për fshehjen.

Të fshihemi! Po ku do të fshihemi? Në qytet, në fshat, në ndonjë ndërtesë, në ndonjë barakë, kur, si, ku…? Ishin një mori pyetjesh, që nuk mund t’i bëja, por që më rrihnin si çekan në kokë.

Margoja dhe unë filluam të fusim në një çantë gjërat më të nevojshme. E para gjë që futa në çantë ishte kjo fletore, pastaj bikutinat, shamitë, librat e shkollës, një krehër dhe letra të vjet ra. Mendimi që duhet të fshiheshim më rrihte si çekan në kokë dhe rrasja në çantë gjithfarë sendesh koti, me mendjen gjetiu. Por nuk më vjen keq, për mua kujtimet janë më të shtrenjta se plaçkat.

Në orën pesë më në fund mbërriti babai. Ai i bëri një telefon zotin Klejman dhe iu lut që të kalonte tek ne në mbrëmje. Zoti Van Dan shkoi të merrte Mipin. Ajo erdhi, mblodhi në një çantë të madhe këpucë, rroba, xhaketa, disa plaçka të brendshme, çorape dhe premtoi se do të kthehej përsëri në mbrëmje. Pastaj në shtëpinë tonë ra heshtja, askujt nuk i shkonte mendja për të ngrënë. Bënte akoma shumë nxehtë dhe gjithçka dukej shumë e çuditshme.

Dhomën e madhe në katin e fundit e kish marrë me qira një zotëri i quajtur Goldshmit, rreth tridhjetë vjeç, i divorcuar. Me sa duket, atë mbrëmje ai s’kish me se të merrej, prandaj u ngul tek ne deri në orën dhjetë, nuk po e hiqnim qafe dot.

Më njëmbëdhjetë mbërriti Mipi dhe Jan Giesi. Mipi punon

në zyrën e babait që më 1933-shin dhe është bërë një mike e

dashur për ne, po kështu edhe burri i saj, me të cilin sapo është

martuar. Sërish u zhdukën në valixhen e Mipit dhe thellë në

xhepat e Janit këpucë, çorape, libra dhe të brendshme. Në orën

njëmbëdhjetë e gjysmë ikën edhe ata.

Isha e lodhur për vdekje dhe, sado që e dija se ishte nata e fundit që po flija në shtratin tim, më zuri një gjumë i thellë dhe mamaja hoqi keq derisa më zgjoi në orën pesë e gjysmë të mëng jesit. Për fat, nuk ishte aq vapë sa të dielën, gjithë ditën e ditës ra një shi i ngrohtë. Të katërt u veshëm trashë, sikur do të shkon im të flinim në ndonjë frigorifer, vetëm e vetëm, sepse donim që të merrnim sa më shumë rroba me vete. Asnjë çifut në kushtet tona nuk do të guxonte të dilte në rrugë me një valixhe plot me plaçka. Unë kisha veshur dy këmishë, tre palë të mbathura, një fustan, mbi fustanin një fund dhe një xhaketë dhe një pardesy vere, dy palë çorape, këpucët e dimrit, beretë, shallin dhe gjëra të tjera. Që në shtëpi gati m’u zu fryma, por kjo nuk i ra në sy asnjerit.

Margoja mbushi çantën e saj të librave, mori biçikletën dhe

u nis me Mipin për të shkuar në një vend që unë nuk e dija. Në fakt, unë nuk e dija ende ku ishte ai vend i mistershëm ku do të fshiheshim… Në orën shtatë e gjysmë ne i vumë çelësin shtëpisë. Moorti, macja ime e dashur, qe e vetmja që munda të përshëndesja. Tani

ajo do të gjente strehë te fqinjët, siç i kishim shkruar një pusullë

zotit Goldshmit.

Shtretërit e parregulluar, mbi tryezë pjatat edhe mbeturinat e mëngjesit, në kuzhinë gjysmë kg. mish për macen, gjithçka të linte të kuptoje se ne kishim ikur nxitimthi. Por se ç’do të thoshin të tjerët, pak rëndësi kishte. Dëshironim vetëm të iknim prej rrezikut, të arrinim diku shëndoshë e mirë, asgjë tjetër nuk na hynte në sy.

Do vazhdoj nesër.

E jotja Ana

/Marrë nga Anna Frank, Ditar, me përkthim të Edit Dibra, botoi Dituria, 2004

/Gazeta Express