Disney vjen me aventurën e radhës “Jungle Cruise”


Gazeta Express
16 Tetor 2019 22:30

Disa muaj më parë, Dwayne Johnson dhe Emily Blunt publikuan trailerë të shkurtër për filmin “Jungle Cruise”, por pamjet e para u përqendruan vetëm tek personazhet e tyre. Tani ka mbërritur traileri i parë i vërtetë, i cili na sjellë pamjen e parë të vërtetë për filmin.

Filmi Jungle Cruise është një tjetër përpjekje e Disney për ta shndërruar atraksionin e vet të popullarizuar nga parku i dëfrimit në një adaptim filmik. Projekti po përgatitet për ca kohë, ndërsa në ndërkohë janë ndërruar regjisorë dhe aktorë të ndryshëm.

Regjinë më në fund e ka marrë Jaume Collet-Serra ndërsa skenarin Glenn Ficarra dhe Michael Green.

Johnson shfaqet në rolin e kapitenit të anijes Frank, i cili është në telashe financiare. Daljen nga këto probleme ia ofron hulumtuesja Lily Houghton (Blunt) e cila ia ofron një pagesë të mirë nëse ai e dërgon në një ekspeditë të rrezikshme në zemrën e xhunglës, për ta gjetur pemën legjendare të jetës.

 Në fillim, ata grinden, e fyejnë dhe mezi durojnë njëri tjetrin, por shpejt i bashkojnë forcat kundër një armiku të përbashkët.

Ekspedita e lundrimit në xhungël do të dalë në kinematë tona në fund të korrikut 2020.

Te fundit


Kthehu lart