Disa shtete po i bëjnë presion Maqedonisë që ta mbrojë FETO-n


Gazeta Express
16 Korrik 2019 10:19

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavushoglu, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e përvjetorit të tretë të tentativës për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste FETO.

Aktiviteti me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar u organizua në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (AA) nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, me kontribute të TIKA-s, Institutit Yunus Emre, Anadolu Agency (AA), Fondacionit Maarif të Turqisë dhe IBU-së.

Në program të pranishëm ishin kryediplomati turk me delegacionin e tij shoqërues, ministri pa resor i Maqedonisë së Veriut, Elvin Hasan, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, anëtari i bordit drejtues të IBU-së, Ajdovan Ademoski, deputetë, përfaqësues të lartë të dy vendeve, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, akademikë, diplomatë dhe qytetarë të shumtë.

Ceremonia filloi me intonimin e himneve të dy shteteve dhe me shfaqjen e një videoje lidhur me 15 Korrikun, ndërsa po ashtu u lexua një mesazh i dërguar nga kryeparlamentari i Turqisë, Mustafa Shentop.

Në fjalën e tij, ministri Çavushoglu përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe shprehu kënaqësi që pas një kohe të gjatë gjendet në Maqedoninë e Veriut, të cilën e quajti si shtet mik.

“U gëzova që pashë të bashkuar komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut. Kjo është fotografia që duam ta shohim gjithmonë”, tha Çavushoglu.

Duke folur për tentativën për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste FETO, shefi i diplomacisë turke rikujtoi se qytetarët e Turqisë vërshuan rrugët në 81 provinca të Turqisë me thirrjen e presidentit Erdogan.

“Ne jo vetëm që mbajtëm roje pas tentativës së pabesë për grusht shteti më 15 korrik, por po ashtu hodhëm çdo hap të nevojshëm në luftën ligjore kundër kësaj organizate terroriste”, potencoi Çavushoglu.

“Dhe jo vetëm në Turqi, çdo bashkatdhetarë i yni në çdo cep të botës atë natë ishte në këmbë…Edhe komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut atë natë nuk bëri gjumë. Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut, si çdo herë, tregoi lidhjen, solidaritetin dhe mbështetjen për Turqinë. Allahu qoftë i kënaqur me ju. Ju falënderoj shumë”, shtoi ministri i jashtëm turk.

Te fundit


Kthehu lart