Dimitrov në takim me aleatët e NATO-s, fillojnë përgatitjet për Samitin e Londrës


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 9:57

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Nikolla Dimitrov, sot në Bruksel do të marrë pjesë në takimin e shefave të diplomacive të shteteve anëtare të NATO-s, i cili paraqet përgatitjen e fundit para Samitit të Londrës që do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor, njofton Portalb.mk.

Vizita e Dimitrovit në Bruksel ka për qëllim të riafirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e RMV-së, për politikat kyçe të NATO-s, si vend-anëtar i ardhshëm rreth çështjeve me rëndësi të veçantë për Aleancën.

Megjithëse procesi i ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të RMV-së në NATO duhet të përfundojë më së voni deri në prill të 2020-s, sekretari gjeneral Jens Stoltenberg ka deklaruar se Protokolli për anëtarësimin e RMV-së në NATO do të ratifikohet në fillim të vitit 2020.

Pritshmëritë ishin që RMV-ja anëtare e 30 e NATO-s do të bëhet në Samitin e NATO-s që pritet të mbahet në muajin dhjetor 2019, por kjo u pamundësua nga zgjedhjet në Spanjë, për këtë, zëvendësndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë, Xhejms Apaturaj në intervistën për Radion Evropa e Lira ka deklaruar se pret që RMV-ja anëtare e plotfuqishme e NATO-s të bëhet në “fillim të pranverës” së 2020-s.

Sa i takon Samitit të Londrës, Apaturaj theksoi se të gjithë e kanë të qartë se RMV-ja së shpejti do t’i bashkëngjitet Aleancës.

“Të gjithë do ta kenë të qartë se Maqedonia e Veriut është në prag dhe se së shpejti do t’i bashkëngjitet Aleancës”, tha Apaturaj.

Te fundit


Kthehu lart