Dilema e Man Unitedit: Ta paguajë Romën që ta marrë Sanchezin apo ta dërgojë kilianin te të rinjtë


Gazeta Express
14 Gusht 2019 9:33

Alexis Sanchez përballet me mundësinë e stërvitjes me rezervat e Manchester Unitedit gjatë gjithë sezonit të ardhshëm, nëse nuk arrin ta sigurojë një transferim te një klub tjetër.

Trajneri i “Djajve të kuq”, Ole Gunnar Solskjaer, dëshiron me ngulm ta largojë kilianin, që paguhet 500 mijë euro në javë, nga skuadra, para se të mbyllet afati kalimtar në vendet e tjera të Evropës, më 2 shtator, transmeton Gazeta Express.

Roma dëshiron ta transferojë Sanchezin në formë huazimi, mirëpo nuk është e gatshme ta paguajë rrogën e madhe të kilianit. Manchester Unitedi mund të detyrohet ta ndajë këtë përgjegjësi me klubin italian.

Përndryshe, Manchester Unitedi do të duhet t’i shpenzojë 8.6 milionë funte deri në janar për pagat e Sanchezin, të cilin Solskjaer e ka bërë të qartë se nuk e do në skuadër dhe se nuk do ta përdorë në ndeshje.

Solskjaer nuk ka qenë tifoz i madh i sulmuesit nga Kili qysh nga fillimi, pasi që e kishte përcjellë dështimin e tij në “Old Trafford” fillimisht si tifoz e pastaj si trajner i “Djajve të kuq”.

Ish-sulmuesi i Arsenalit, 30-vjeçar, e shënoi vetëm një gol në 16 paraqitjet e tij sezonin e kaluar, pasi Solskjaer u ul në karrigen e trajnerit në dhjetor.

Trajneri norvegjez preferon të luajë me lojtarë të rinj e të shpejtë, të cilët janë dëshmuar të jenë më efektiv sesa Sanchezi, përkundër moshës së tyre.

E gjitha kjo situatë bën që Manchester Unitedi ose t’ia paguajë Sanchezit një pjesë të pagës gjatë huazimit në Romë ose ta lë atë të stërvitet me ekipin U-23. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart